Kishte orë që punonte në atë projekt. Kishte orë që i përkushtohej atij ekrani. Sytë i ishin skuqur, por nuk ndalonte. Dukej të mos i interesonte asgjë tjetër. Ishte e çmendur, e apasionuar. Kohën ia falte gjithmonë asaj paisjeje. Përkushtimi i madh që kishte e shtynte të ecte më thellë rrjetit. Të zbulonte më shumë. Të kërkonte më shumë. Të synonte më shumë. Kishte një jetë të tërë që i përkushtohej teknologjisë. Ëndrra e saj ka qenë gjithmonë që të këtë biznesin e saj të vogël brenda atij ekrani. Por jo gjithçka ishte më e thjeshtë nga çfarë dukej për një 19 - vjeçare.
-Sërish në kompjuter? Maori, të lutem, a mund t'i kushtosh më pak kohë atij ekrani dhe të fokusohesh në jetën tënde?
-Ma', të lutem! Kam vetëm një orë që kam filluar të punoj! Mund të mos më pengosh për pak? - tha ajo me një fytyrë të ngrysur, duke mos e hequr vështrimin e saj të fokusuar në ekranin e ndezur të kompjuterit të saj.
-Je nëntëmbëdhjetë vjeçe! Nuk je më një fëmijë! Duhet të fillosh ta marrësh jetën më seriozisht! - erdhi sërish kritika e rradhës nga e ëma.
-Ma', që kur kanë filluar paisjet teknologjike të quhen për fëmijë? - i drejtoi një pyetje ironike, të cilën e bënte gjithmonë.
-Prapë me këtë pyetje ti? Maori, nuk është çështja në paisjet teknologjike! Unë po them se...
-Duhet të përgatitesh për jetën, sepse nuk është kurrë shpejt për të menduar për të ardhmen tënde, dhe ato hekura nuk të sjellin asgjë tjetër përveç dëmeve shëndetësore dhe duhet të jesh më e hapur me njerëzit! - përsëriti Maori pas së ëmës. -E di! Dhe siç e the edhe vetë, jam 19 vjeç! Jam e aftë për të marrë vendime mbi jetën time. Për momentin kjo është jeta ime! Mësohuni me këtë fakt!
E kishte mësuar përmendësh leksionin e përditshëm të mamasë së saj. Të gjithë ia thoshin, por e ëma ishte ajo që e theksonte sa vjen edhe më shumë.
Por askush nuk e kuptonte se ai ekran nuk ishte thjesht pjesë e një kompjuteri për të. Nuk ishte thjesht një paisje teknologjike. Për të ishte diçka që krijonte atë që ajo quante jetë. Por kush mund ta kuptonte më mirë se vetja e saj? Kishte kohë që mundohej t'i bindte të gjithë se ajo ishte thjesht e lindur për të qenë një përdoruese e tillë. Por dështonte gjithmonë. Babai i saj ishte krenar për aftësitë e saj. Pak a shumë...-Çfarë dëgjova unë? - hyri ai në dhomë, si gjithmonë humorist.
-Ba', jo edhe ti tani! - u ankua Maori.
-Po sikur aftësitë e tua të shkëlqyera t'i lidhje me një profesion për jetën tënde? Për shembull, mjekësinë? - ishte diçka që ai ia thoshte shpesh, edhe pse ajo ndodhej në universitet.
-Jam në vitin e parë në Universitetin e teknologjisë së informacionit! Nuk mund të ndërroj shkollë! Edhe sikur të mundja, nuk do ta bëja, kështu që bën mirë të mos e thuash më këtë mendim, - tha ajo dhe nisi diçka të re për të ndërruar temë, -"Ah po! Kam një lajm shumë të mirë! Do të organizohet një konkurs për paisjen e re teknologjike. Mund të aplikosh nëpërmjet internetit, dhe nëse ideja jonë pranohet, do të paraqitemi atje të dielë. A nuk është fantastike? Mezi po e pres!
-Nuk do të shkosh! - ia ktheu i ati.
-Çfarë do të thuash me nuk do të shkosh? - frika brenda trupit të saj filloi të rritej sa vjen e më shumë. Kishte kohë që priste për një shans të tillë, dhe nuk mund ta humbiste tashmë që i kishte trokitur në derë.
-Do të thotë se nuk do të shkosh! Do të harxhosh kohën, punën dhe mundin kot. Pastaj, do të na kushtojë shumë! - tha ai për ta mbyllur këtë bisedë që ende nuk kishte filluar.
-Por nuk duhet të paguajmë për të hyrë në konkurs. Nëse ideja ime fiton, buxhetin për krijimin e paisjes do të mbulohet nga fondacioni i universitetit. Mos u shqetëso! - tha ajo ende e qeshur dhe plot shpresa. Nuk mundi të gjente dot asnjë arsye se pse ajo nuk mund të shkonte.
-Mos e lodh babin. Kur ai thotë që nuk duhet të shkosh, ashtu le të bëhet! - ndërhyri mamaja e saj.
Buzëqeshja në fytyrën e saj u venit. Buzët i formuan një harkore të shtrembëruar në fytyrën e saj. Flokët e saj të zinj e të shkurtër i jepnin një pamje akoma dhe më të egër. Do të shkonte, dhe ajo e dinte shumë mirë këtë.
-Shikoni! Kam një jetë të tërë që e pres këtë çast. Një mundësi e vetme i erdhi vajzës suaj për të bërë realitet ëndrrën e saj. Dhe çfarëdolloj akuze të hidhni mbi mua dhe kushedi se sa herë do ta mohoni, unë do të shkoj! Jam e madhe mjaftueshëm për të marrë vendime. Pak më parë po më thoshit se duhet të bëhesha aktive në jetë. Ja pra! Çfarë dëshironi më shumë? - përfundoi ajo dhe u nis për në dhomën e saj.
-Ç'na gjeti me këtë vajzë! - psherëtiu i ati. La gazetën dhe filxhanin e kafes në tavolinë dhe u ngrit për t'u larguar.
Edhe pas gjithë atyre që prindërit e saj i thanë, ajo nuk ndalonte së menduari për pjesëmarrjen e saj në konkurs. E imagjinonte se sa speciale do të dilte pajisja e saj. Ndezi telefonin e saj dhe hyri në faqen e aplikimit në internet. Para syve të saj u shfaq një pyetësor i gjatë, gjë që nuk e kuptoi pse nevojiteshin aq shumë pyetje të panevojshme thjesht për t'u regjistruar në një konkurs. Pasi plotësoi pyetjet e mërzitshme, i kishte ardhur rradha hapsirës boshe, në të cilen duhet të shpjegohej ideja kryesore e projektit me të cilën aplikanti do të punojë.
-Kam pritur vite për këtë moment! Dhe ende nuk e kam menduar atë që do të bëj. Është kaq shans i madh për mua, sa nuk e di se cila ide është më e mira. Më duhet të zgjedh shpejt! - tha ajo duke menduar thellë idetë e saj, që i kishte shpikur që në fëmijëri.
***
Shtypi butonin e vogël submit dhe priti derisa rrethi i mërzitshëm që rrotullohej në mes të ekranit të bardhë, të ndalonte.
Ndodhi një problem në aplikimin tuaj! Ju lutem provoni përsëri më vonë ose na dërgoni një email në adresën e mëposhtme.-Dreqin! - thirri e inatosur, -Më duhet ta shkruaj edhe njëherë idenë tani!
Ajo vërtet e adhuronte atë që bënte, por jo me fjalë, me vepra. Nuk i pëlqen të zgjatet me fjalë për diçka që thjesht mund të tregohet duke u realizuar. Kjo tregonte një anë të dukshme të saj, që nuk ishte e mirë në lëndën e Letërsisë.
-Duhet t'i takoj! - tha ajo me vetbesim dhe shkoi në dhomën ngjitur për t'iu treguar vendimin përfundimtar.
YOU ARE READING
Maori
Science FictionDy mundësi të jepen në jetë; të sigurosh jetesën ose të ndjekësh ëndrrën. Dhe ajo i zgjodhi të dyja. Maori Oak, vajza më e apasionuar në Universitetin e teknologjisë dhe komunikimit, merr pjesë në konkursin vjetor midis dy kompanive të avancuara të...