-Mund të dal pak në oborr? - tha Maori dhe ata pohuan me kokë.
Nuk e bëri pa qëllim. E bëri që të hakmerrej, por ndonjëherë hakmarrja thjesht nuk është mënyra e duhur për të zgjidhur diçka. Doli nga dera gjigande e asaj ndërtese po aq gjigande dhe ndoqi atë djalin. Bëri të mundur që ai ta vinte re prezencën e saj atje, që ai të ndalonte së kërkuari.
-Çfarë kërkon ti këtu? - iu drejtua ai Maorit.
-Pse është prona jote private ku unë nuk mund të shkel? - tha Maori dhe buzëqeshi.
Ai e injoroi përgjigjen e saj dhe vazhdoi të kërkonte, ndërkohë që Maori i foli sërish.
-Juria më dërgoi të të pyesja se ku e humbët USB-në, kështu që rojet e sigurimit të kërkojnë, - e gënjeu ajo.
-Diku këtu e hodha! - tha ai pasi u mendua nëse duhet të fliste.
-Faleminderit! - tha ajo dhe u afrua tek vendi. Filloi të vështronte rreth e rrotull, derisa syri i zuri veshjen e zezë të USB-së, në shkallën më të ulët të hyrjes tjerër të ndërtesës. U afrua më shumë, e mori dhe u kthye nga ai.
-Po ajo është! - tha ai duke zgjatur dorën.
-Prit! - tha Maori dhe u tërhoq, -Do të ta jap, vetëm nëse i tregon jurisë se ajo vajzë të kërcënoi që ti të hidhje USB-në time, që ju të fitonit.
-Në rregull! Do t'iu tregoj!
Ajo u çudit se si ai pranoi aq shpejt, por ishte një avantazh për të. Vendosi t'i japë USB-në, vetëm pasi të kishte bërë punën e tij. Hynë të dy në ndërtesë dhe ajo u ul në vendin e saj duke u ndierë fitimtare.
-A e gjete? - i tha ajo egër.
-Po, por... - dridhej ai nga frika.
-Por çfarë? Ma jep! - thirri ajo e inatosur.
-Ndonjë problem? E gjetët projektin? - foli njëri nga pjesëtarët e jurisë.
Ai djali doli përpara dhe më në fund vendosi të flasë. Maori po ndihej e lumtur që loja sapo kishte filluar, por nuk e dinte aspak që kjo lojë ishte kundër saj.
-Po! - tha djaloshi, -E gjeta! Por më kanë kërcënuar!
U kthye nga Maori, e cila sapo pa trupin e tij të kthehej drejt saj dhe shikimin e tij për të treguar diçka në lidhje me të, e humbi buzëqeshjen fitimtare, që kishte në fytyrë pak me parë.
-Maori Oak! Ne...ne ngatërruam USB-në e saj me tonën, dhe nuk e dinim këtë gjë, ngaqë tonën e humbëm. Ama...ajo kishte marrë USB-në tonë me qëllim, dhe më tha se do të ma jepte vetëm nëse unë ju them se...se ne e morëm qëllimisht projektin e saj që ajo të humbiste dhe ne të arrinim të merrnim pjesë në konkurs. Më tha të thoja se do të ma jepte USB-në, vetëm nëse ju thoja se ne dëshironim të hidhnim tutje atë të sajën. A nuk është e tmerrshme? Ajo e ka ende USB-në dhe nëse nuk do të kisha treguar, nuk do ta merrnim dot sërish, pasi ajo nuk do të na e jepte edhe nëse unë do të trilloja historinë që ajo më tha, - tha ai duke bërë të pafajshmin në atë skenë, ku Maori ishte e keqja.
Ajo nuk mund ta besonte çfarë dëgjoi? Si mund të deformohet historia në atë mënyrë? Ajo nuk e kishte marrë USB-në e tyre që në fillim, dhe më e rëndësishmja nuk e kishte kërcënuar.
-A është e vërtetë kjo Maori Oak? - dëgjoi një zë që vinte nga pjesëtarët e jurisë.
-Jo! - u ngrit menjëherë në këmbë, - Nuk mund ta thotë këtë! Ata më vodhën USB-në dhe dëshironin ta zhduknin, por e ngatërruan me të tyren dhe ju dhanë projektin tim!
-Ajo më kërcënoi! Më tha se nuk do të na e kthente USB-në, nëse nuk bëja atë që ajo dëshironte! - kundërshtoi sërish ai. Ishte vërtet shumë i mirë në rolin e viktimës. Ose e kishte pasion aktrimin, ose ishte mësuar të ishte gjithmonë viktima në jetë.
-A është e vërtetë kjo Maori Oak? Këto veprime nuk lejohen në një konkurs si ky! - mori sërish të njëjtën pyetje, dhe një përgjigje shtesë, të cilën nuk do të donte ta dëgjonte.
-Por...pse do të më interesonte pasi e prezantova projektin tim? - filloi ajo të shpjegohej, por ishte tepër vonë.
Ata injoruan çdo fjalë të saj, çdo vështrim, çdo ankesë.
-E di çfarë? - tha ajo dhe përplasi USB-në e klubit në tavolinën e xhamtë. Iu afrua laptopit që ndodhej në tavolinën e jurisë, tërhoqi USB-në e saj me forcë, duke bërë që ekrani gjigand në mur të ngelej sërish bosh, -Nuk do të marr pjesë në këtë konkurs. Heq dorë!
-Ne sapo të skualifikuam! - tha njëri nga juria.
Maori buzëqeshi lehtë, por këtë herë me zë.
-Nuk e bëtë! Hoqa dorë para se të më skualifikonit, kështu që nuk mund të përmendem më në këtë konkurs, pjesëmarrësit apo të skualifikuarit! - bëri disa hapa dhe ktheu sërish kokën pas, -Mirupafshim! - përfundoi ajo bisedën.
Edhe pse dukej aq e sigurt në atë që po bënte, në të vërtetë ishte e dërrmuar. Ëndrrat e saj u thyen në mes, vetëm sepse ata dëshironin të ishin të vetmit të mirë në atë sallë. Sa e padrejtë është kjo botë! Të tërheq, të mundon, të jep mundësinë, dhe pastaj të përball me njerëz xhelozë që të urrejnë, dhe në shumicën e rasteve nuk shpëton kurrë nga ata lloj njerëzish. Në një mënyrë a në një tjetër, nëse dëshiron apo jo, ata prishin gjithnjë plane. Plane jo afatshkurtër, apo plane për të fituar një kupë të cilën do e shesësh një ditë, por plane për të ardhen ashtu si ato të Maorit.
Dovahkini e ndoqi. Nuk mund ta linte të shkonte e vetme, pasi ishte e vetmja që të paktën u mundua ta ndihmonte dhe ta pranonte, edhe pse nuk e bëri në fund të fundit.
-Pse erdhe? - iu drejtua Maori. Lotët i kishin përshkruar faqet, të cilat tashmë ishin të nxira nga makeup-i i zi, që ishte deformuar në fytyrën e saj.
-Sepse nuk kisha zgjidhje tjetër! - ia ktheu ai, -Nuk mund të bëja asgjë pa ty në atë konkurs. Unë as që isha regjistruar!
-Unë të prisha ëndrrat! - vazhdonte ajo e përhumbur dhe duke ecur me hapa më të shpejtë se ai.
-Shiko, e di, por ti ishe ajo që i krijove. Para se t'i krijoje ti ato ëndrra, ato nuk ekzistonin. Ti u dhe shpresë atyre ëndrrave, pavarësisht se nuk u realizuan. Pastaj, ky konkurs nuk është vendi i vetëm ku mund të vazhdojmë ëndrrën tonë! - mundohej ta qetësonte, por nuk e njihte fare Maorin.
-Që kur kemi pasur një ëndërr të përbashkët? - ia ktheu ajo duke injoruar pjesët më të rëndësishme.
Ai nuk dinte se çfarë t'i thoshte. Ajo ishte vërtet shumë pesimiste me raste, dhe ishte vërtet e vështirë ta ktheje në humorin e mëparshëm kur flitej për të ardhmen.
-Për mua ishte mundësia e vetme dhe e fundit Dov! Nuk mund të vazhdoj më! A më kuptove? Ai konkurs ishte gjithçka për mua. Tashmë nuk kam as një shkollë, - ia ktheu ajo gjithë inat, si të ishte faji i tij, -Iu thashë prindërve se nuk do të kërkoja asgjë nga ata nëse nuk do të kualifikohesha në këtë konkurs, sepse isha kaq e sigurt dreqin! Kaq e sigurt që do t'ia dilja mbanë! Dhe nuk do të më pengonte asgjë nëse nuk do të ishte për atë klub të tillë! Pse?
-Por ti nuk ke pse iu tregon që u skualifikove, apo jo?
YOU ARE READING
Maori
Science FictionDy mundësi të jepen në jetë; të sigurosh jetesën ose të ndjekësh ëndrrën. Dhe ajo i zgjodhi të dyja. Maori Oak, vajza më e apasionuar në Universitetin e teknologjisë dhe komunikimit, merr pjesë në konkursin vjetor midis dy kompanive të avancuara të...