◇XX◇

112 36 18
                                    

Duhet të mbaronin shpejt mësim. Kishin një punë të madhe që e priste atje në kompani, e cila duhet të përfundohej atë ditë. Maori nuk ishte shumë e shqetësuar. Pavarësisht fjalëve të Xhonatanit, ajo arriti të gjente kohën për ta shfrytëzuar. Por a do të vazhdonte kështu?

Ishte duke vrapuar në korridorin e asaj shkolle për të gjetur zonjën Rozali. Dëshironte t'i tregonte për konkursin dhe si kishte ecur, para se ora e fundit e mësimit të fillonte. Ishte e lodhur, sepse kishte gjithë natën që mendonte dhe nuk flinte. Mendonte për atë dhe fatin e saj. A do të arrinte ndonjëherë ta fitonte atë konkurs?

Nga mendimet e zgjoi zonja Rozali, duke u afruar pranë saj. Kishte marrë një pozicion të ngrirë drejt saj, dhe dukej qartë se ishte e humbur në mendime.

-Maori? Gjithçka në rregull? - dukej të ishte e shqetësuar.

-Po! Po! Thjesht... Isha duke menduar për gjëra të ndryshme dhe... E kuptoni? E humba mendjen për një çast! - fliste me vështirësi, sepse i duhej edhe pak kohë për të ardhur në vete.

-The se doje të flisje me mua për konkursin. Mos ka ndodhur ndonjë gjë?

-Jo, vërtet! Thjesht, doja të të informoja se e kaluam fazën e parë. Edhe pse ishim me vonesë. Dje punuam në kompani për robotin e parë, dhe sot pas mësimit do të vazhdojmë punën. Nesër do të bëhen sërish skualifikime, dhe shpresoj t'ia dalim të mbarojmë fazën e dytë në kohë, - tha ajo.

-Paç fat Maori! Unë e di që do të bësh më të mirën! - tha zonja Rozali, i buzëqeshi dhe vazhdoi rrugën për në zyrën e saj.

Maori vrapoi për të nisur klasën e rradhës, por sërish e pengoi diçka.

-Shiko, shiko! Përsëri një ditë e ngarkuar për Maorin. Sa keq që ka një të paaftë bashkëpunëtor. E gjithë puna bie mbi supet e saj. Ah, sikur të mund të të ndihmonim! - tha ajo dhe filloi të qeshte plot ironi.

-Nuk kam kohë të merrem me fjalët e tua zonjushë. Dhe nuk të kërkova aspak të flasësh për problemet apo të mirat e mia. Pse je ende këtu? A nuk duhet të ishe duke fituar në konkursin e ICT në këto momente? - nuk dëshironte të zgjatej me fjalë me njerëz si ajo, sidomos kur kishte shumë për të bërë dhe nuk duhet të humbiste kohë. Bëri një hap për t'u larguar, por dëgjoi sërish zërin e saj.

-Nesër është finalja! Do të flasim sërish, por ne do të jemi fitues!

-Atëherë ju uroj fat! - thirri Maori dhe u largua. Nuk kishte më lidhje me ata njerëz. Nuk duhet të shpërqëndrohej nga fjalët e tyre. Duhet të vazhdonte të bënte atë që ajo pëlqente, ashtu siç kishte vazhduar deri në ato momente.

Nuk e dinte pse, por i imagjinonte më të bukura ato ditë. I imagjinonte më argëtuese. Imagjinonte sikur do të ishte më e lumtur që po e bënte atë punë. Por ishte gjatë gjithë kohës në ankth, duke menduar nëse kishte bërë diçka gabim apo jo. Vendosi të largojë këto mendime për herë të fundit, që gjithçka të shkonte mirë. E nesërmja do të vinte shpejt, dhe ajo duhet të ishte gati.

Mësimin e fundit e mbaroi shpejt. Dhe ky ishte një avantazh shumë i madh për të. Do të mund të shkonte më herët për t'u përgatitur për ditën e nesërme, dhe më e mira ishte se ata mund të punonin kur të dëshironin atë ditë. Mund të shkonin në çfarë orari që të donin, por koha e shkurtër i detyronte të shkonin sa më shpejt të ishte e mundur.

Telefonoi Dovahkinin që të shkonin bashkë në kompani këtë herë.

-Dov! Sapo dola prej mësimit. Duhet të shkojmë sa më parë në kompani, - tha ajo duke vrapuar drejt daljes së universitetit.

-Takohemi tek parku, - tha ai dhe mbylli telefonin. Të dy po shpejtonin. E çfarë mund të bënin më shumë? I kishte zënë paniku që në ditën e parë të punës së plotë në kompani.

Siç thanë, u takuan tek parku për të shkuar në kompani. Dovahkini kishte kohë që e priste Maorin dhe më në fund e pa të vinte me të shpejtë drejt makinës së tij.

-Mendon se do të na dalë koha për nesër? - tha ajo ende pa hyrë.

-Nëse herën tjetër vjen më shpejt... Ndoshta, - tha ai duke ngritur supet.

-Isha në mësim! Falendero Zotin që klasën e fundit nuk e bëmë të plotë, - për këtë gjë ishin vërtet me fat.

Brenda disa minutash, ndodheshin atje. Një punë e madhe i priste. Ishin më shpejt se ditën e djeshme. Edhe ky ishte një avantazh për ta.

Kur hynë në dhomën e punës, nuk kishte njeri tjetër veç tyre. Ndoshta e kishin pushim, ose e kishin orarin e punës pak më vonë. Prandaj, Maori vendosi të shfrytëzojë nga ky çast.

Vrapoi drejt dhomës së vogël, e cila ndodhej afër me makinerinë e madhe të robotëve. Përderisa aty kishin punuar më parë për robotët, duhet të kishte një arsye pse nuk e përdornin më.

-Çfarë po bën? Nuk na lejohet të futemi aty! - tha Dovahkini duke u munduar ta ndalonte.

-Nuk ka asgjë të keqe. Thjesht dua t'i hedh një sy, - tha Maori duke u afruar më shumë më derën e vogël.

-A i mban mend rregullat? Ishe shumë e sigurt duke i ndjekur ato. Mos na kthe nga kjo rrugë. Kemi arritur deri këtu! - vazhdonte të ishte i shqetësuar.

-Nuk do të ndodhë gjë Dovahkin! Nuk do ta marrë vesh askush, nëse më lejon ta mbaroj këtë punë sa më shpejt! - ishte këmbëngulëse, dhe atë që e dëshironte, do ta bënte gjithmonë.

-Në rregull, por ki kujdes! Mos prek asgjë! Gjithçka mund të jetë e rrezikshme, - kishte një parandjenjë se ajo dhomë nuk ishte vendi i duhur për t'u eksploruar.

Hapi ngadalë dorezën e vjetër të derës. Dera bënte një zhurmë shurdhuese, që bëri fytyrën e saj të mblidhej nga tingujt e pakëndshëm. Hyri në brendësi të saj dhe vuri re se ajo dhomë ishte sa 1/4 e dhomës ku ndodheshin aktualisht, aty ku ndodheshin makineritë kryesore për ndërtimin e robotëve. Edhe ajo dhomë ishte e mbushur plot me makineri, por ishin të modelit të vjetër, dhe ndoshta nuk punonin më siç duhet. Në cep të dhomës ndodhej një kompjuter i ndezur. Kjo vërtetonte se ajo dhomë nuk ishte plotësisht e dalë nga funksioni. Dikush punonte ende aty.

Por kjo nuk ishte ajo që kishte më shumë rëndësi. Ajo që e çuditi Maorin ishte një robot i vogël afër kompjuterit. Nuk dukej të ishte i gjallë. Ndoshta puna me të ishte e lënë përgjysmë, ose ishte prishur. Në fillim mendoi ta merrte dhe t'i hidhte një sy, pasi pamja e tij engjëllore i bëri përshtypje. U afrua tek kompjuteri dhe u ul në karrigen që qëndronte para tij. U përkul dhe mori robotin e vogël për t'i parë emrin, që të mund ta regjistronte në kompjuter, që ta programonte nga fillimi.

-Maori, nxito! Po vjen dikush! - dëgjoi zërin e Dovahkinit nga dera e hapur e dhomës.

-Edhe pak Dovahkin, edhe pak! - tha ajo e fokusuar në program.

-Shpejt! - ishte i padurueshëm. Më shumë i trembur se do ta pësonin për atë që kishin bërë.

Hyri brenda në dhomë dhe u mundua të bindte Maorin të dilnin të dy nga ajo dhomë, por ajo dëshironte ta mbaronte punën që kishte nisur.

-Maori, eja tani! - e tërhoqi prej krahu dhe arritën tek dera e dhomës së vogël për të dalë.

-Nuk arrita ta përfundoj! - u ankua ajo.

Dolën të dy prej asaj dhome. Mbyllën derën e vogël dhe kthyen kokën nga dalja. Dikush tashmë ndodhej aty.

MaoriWhere stories live. Discover now