/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 18

114 30 13
                                    

Përpara kishte po të njëjtin hotel, në të cilin qëndronte edhe Henlej. Në fillim ngurroi, por më pas u fut brenda. Nuk ishte e sigurt nëse duhet të fliste me të. Ndoshta ai kishte të drejtë. Ndoshta jo. Ndoshta kërkonte të qëndronte vetëm për pak kohë, e ndoshta, nuk ndodhej fare në atë hotel për momentin. Ishte e lodhur dhe zor mendonte ndonjë zgjidhje të mirë, por si gjithmonë duhet të sillej si një person i pashpirt, qëllimet e së cilës kishin lidhje vetëm me atë diamant. Ngjiti shkallët ngadalë, duke qenë e sigurt se Elois ishte në dhomën e saj duke e pritur, pasi nuk mund t'i shpëtonte nga duart ky rast për ta marrë në pyetje, apo për ta detyruar të fliste dhe të tregonte diçka që as ajo vetë nuk e dinte.

Derën e hapi menjëherë, por nuk i ngriti sytë të kontrollonte për prezencën e saj. E dinte se ishte aty. E ndiente me kilometra larg frymën e saj. Kjo e fundit kohët që po kalonin, po e bënte të kishte ankth, dhe të mos punonte e qetë. Uashingtoni do të ishte një zgjedhje e mirë për të, por nuk do të largohej që aty pa marrë edhe Henlein me vete. Nuk dëshironte të vazhdonte në atë mënyrë. Ndihej e detyruar të fliste me të dhe t'i shpjegonte gjithçka rreth saj, pasi ai vërtet ishte penduar që e kishte njohur. E kishte marrë malli për buzëqeshjen e tij, për telefonatat e tij të vona dhe mesazhet e gjata. Dinte thjesht që i mungonte të ndihej e lumtur.

Aq keq sa ishin ngatërruar punët, edhe Elois do të refuzonte të vazhdonte. Ishte e rraskapitur pas ndjekjes së Uardenit dhe Vin'nilës, dhe për më tepër nuk rezultoi t'i shtinte në dorë sërish. Pavarësisht kësaj, ajo nuk do të ndalonte. Kishte dërguar trupa për të kërkuar në çdo spital të afërt, dhe përpara kishte një person të cilës mund t'i kërkonte shumë shpjegime.

-Besoj se marrëveshja vazhdon, apo jo? Nuk besoj se një zënkë e tillë e pakuptimtë do të prishte të gjithë dashurinë tënde për Travenierin, - duhet të bënte të sigurt që ishte ende në marrëdhënie të mirë me të.

I vinte të bërtiste. Të shkonte pranë saj dhe t'i tregonte se nuk donte të vazhdonte. Se nuk i interesonte më për marrëveshjen e tyre dhe se dëshironte t'i jepte një mësim të mirë. Ndiente boshllëk, aq sa donte ta mbushte me urrejtje. Donte të thërriste si e marrë se ishte e lodhur nga e gjitha dhe se dëshironte jetën e saj anonime pas. Por nuk mundej. Nuk mundej pasi nuk do të fitonte e vetme. Kishte humbur shumë që nga ai moment. Ndaj nuk do t'i lejonte vetes të humbiste as qimen të më vogël të flokut të saj.

-Nuk besoj se ishte e nevojshme të përmendje zënkën, - kaloi karrigen në të cilën ishte ulur Elois, duke shkuar pranë dritares. Hodhi një vështrim të shpejtë jashtë, si të donte të hiqte mendjen nga gjithçka që po thoshte dhe më pas u kthye sërish nga ajo, -Po, - tha me kokën lart dhe me një vështrim joshës, -Marrëveshja vazhdon. Por kjo nuk do të thotë se në krye të saj qëndron ti. Ti e di shumë mirë që unë mund t'ia dal edhe pa ty, apo jo? Mund ta marrësh Travenierin, dhe mund ta grabis shumë lehtë atë nga ti, Bunchi, muzeu, apo kushdo qoftë. Kështu që peshorja është në barazpeshë. Mos u gëzo kaq shumë. Mund të kesh fituar betejën, por lufta nuk ka filluar ende, - piu një gllënjkë nga gota me ujë, duke i lënë asaj hapësirë të flasë.

Për një çast hezitoi. Nuk mendonte t'i merrte të mirëfillta fjalët e saj, por me shumë siguri do t'i duheshin. Iu kthye po me të njëjtin vështrim të egër dhe kërkues, si të donte t'i tregonte se vazhdonte të kishte po të njëjtën forcë dhe pushtet mbi të.

-Unë jam plotësisht e kënaqur, e dashur. Veçse jo gjithçka shkoi si duhet, ndaj më duhet një informacion i vogël nga ti, - nuk e dinte nëse ishte e drejtë t'i tregonte për arratisjen e Uardenit dhe Vin'nilës dhe për humbjen e saj, por ndoshta kjo do ta ndihmonte disi, pasi Anakhonta do të mendonte se edhe Elois ishte duke u rrëfyer, -Uarden dhe Vin'nila u arratisën sërish.

Nënqeshi. Nuk e dinte pse ndjeu një kënaqësi aq të madhe kur e dëgjoi atë që Elois kishte për të thënë; nga humbja e saj apo nga fitorja e armikut të saj?

-Isha e sigurt, - rezultoi të thoshte si përfundim, -Por prisja që të ndodhte për një kohë më të gjatë. Për shembull, gjatë udhëtimit për t'u kthyer në Uashington. Do të ishte një çast shumë i mirë për t'u arratisur, apo jo? - u kthye duke qeshur drejt saj, ndërkohë që ajo vazhdonte të mbante një qëndrim serioz.

-E di se nuk do të ishte lajm i hidhur për ty Anakhonta, apo mos duhet të them Venera?

Kjo e fundit nuk i pëlqeu. Fakti se ajo tashmë njihte identitetin e saj të vërtetë, e shqetësonte jashtë mase. Më shumë për faktin se e urrente ta thërriste në emër. Ndiente se vetëm Henlej ishte i lejuar ta bënte këtë, ndaj emri i saj i kujtonte gjithmonë atë, që fatkeqësisht nuk ndodhej momentalisht pranë saj.

-Por mos mendo se humbja ishte vetëm e imja, - vijoi të tregonte, -Sepse sa më shumë kohë të kalojmë këtu në Indi duke u marrë me Uardenin, aq më e pamundur bëhet për ty të marrësh diamantin sërish, - ndiente kënaqësi kur e përmendte.

-Fakti se diamanti qëndron me ty, - ndaloi si të donte të respektonte tre-pikëshin, -për momentin, nuk do të thotë se ke kontroll mbi mua. Më duket se ta bëra të sigurt se jam e aftë ta rifitoj vetë prapë. Ndaj do të të sugjeroja t'i qëndroje marrëveshjes. Nëse dëshirojmë të marrim atë që duam, nuk ka nevojë të kujtojmë qëllimet e njëra-tjetrës. Pastaj, ishe ti ajo që ishe kureshtare nëse duhet të vazhdonim apo jo. Tek e fundit t'u përgjigja dhe nuk ishte nevoja për të të dhënë kaq shumë shpjegime. Besoj se atë që dëshiroje të dëgjoje, e dëgjove, ndaj do të doja të kisha pak hapësirë vetë. Kam edhe unë jetën time si gjithë të tjerët, apo jo? - drejtoi sytë drejt saj duke pritur për një përgjigje, kundërshtim, apo thjesht largimin e saj nga dhoma pa asnjë shpjegim dytësor.

-Sigurisht, - u ngrit e qetë nga vendi ku ishte ulur dhe i hodhi një vështrim dyshues para se të largohej. Nuk kishte besim as tek ajo as te fjalët e saj, ndaj duhet ta mbante nën vëzhgim, derisa e gjitha të merrte fund.

Provoi ta telefononte disa herë, por telefoni i tij ishte i fikur. Donte të fliste me atë sa më parë të ishte e mundur, por nuk mund ta bënte kur Elois endej vërdallë. Përveç planeve, qëllimeve apo identitetit që ajo tashmë i kishte zbuluar, nuk dëshironte që të merrte vesh edhe së çfarë ndodhte me jetën e saj personale. Nuk e dinte pse, por gjithmonë kishte gjetur ngjashmëri midis mësuesve dhe policëve. Kishin po të njëjtin karakter, të njëjtën hije që të pushonte, ishin po aq bezdisës dhe dëshironin të dinin më shumë seç duhet apo më shumë sa ishte e nevojshme.

Në pamundësi për të vazhduar ta telefononte duke mos marrë asnjë rezultat, i dërgoi një mesazh që shpresonte që ai ta kuptonte, ose thjesht ta lexonte.

"E di që nuk është momenti i duhur për të folur, por kam shumë gjëra për të të treguar dhe e di shumë mirë që edhe ti ke shumë pikëpyetje të cilat dëshiron t'i zhdukësh sa më parë. Ke arsye për të qenë i nevrikosur dhe i lënduar nga unë, por do të doja të më dëgjoje një moment edhe nëse nuk dëshiron të kesh besim tek unë sërish. Nëse je dakord të flasim, të pres tek kafeneja poshtë."

Ndonjëherë i dukej shumë formale, pas lidhjes që kishin pasur bashkë. Nuk donte që të dërgonte një mesazh, në vend që të vraponte drejt tij duke e përqafuar fort, pa pritur për reagimin e tij, apo mendimin që do të kishte. Nuk mendonte kurrë që do të përfundonte kaq keq diçka që mendonte se nuk kishte lidhje me Diamantin e Shpresës, por dukej sheshit se gjithçka e ngelur në jetën e saj, ishte të rendte pas atij guri të çmuar. Henlej doli të ishte vëllai i bashkëpunëtores së Uardenit, të ashtuquajturit rivalit të saj, ndërkohë që mendonte se asnjë dhe asgjë nga ato që kishte përjetuar të kishte lidhje me atë çështje.

Hapi sërish telefonin. Ndoshta takimi i tyre nuk kishte më shumë rëndësi për Henlein sesa lajmi të cilin i përcolli Elois, ndaj vendosi t'i dërgonte një mesazh të dytë.

"Jam e sigurt që ashtu si unë, edhe ti mendon se u bë pak e tepruar kjo metoda e mesazhit, por besoj se kjo do të të interesojë. Vin'nila dhe Uardeni kanë arritur të largohen sërish nga Elois. Shpresoj që kjo të të gëzojë sadopak, edhe pse e di që nuk e prisje nga unë këtë lajm. Besoje apo jo, u gëzova shumë kur e mora vesh."

Shtypi ikonën dhe priti derisa mesazhi të arrinte tek ai. Më pas la telefonin në tavolinë dhe u shtri duke menduar për ato që sapo kishin ndodhur. I mungonte Uashingtoni.

Më e çmuar se vetë jetaWhere stories live. Discover now