/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 35

72 29 46
                                    

-Mos po tallesh gjë me mua? - shfryu i inatosur drejt tij, si të ishte arsyeja e dështimit. -Duhet të dilte sot! A më kupton? Ai e kërkon sot përgjigjen, - lëvizi nga vendi ku po qëndronte dhe doli nga dhoma. -Sikur ta dija si të veproja në këto momente. Gjithçka bëhet më e vështirë sa më shumë kohë të kalojë. Duhet të veprojmë shpejt, - mëmëriti disa fjalë me zë të ulët ndërkohë që ecte në korridorin e pafund të hotelit.

Arriti në një nga dhomat e tij për të kërkuar më shumë. Të gjitha informacionet që kishte grumbulluar i dukeshin të pavlera në krahasim me atë që duhet të arrinte në të vërtetë. Ishte po aq larg sa ishte afër së vërtetës dhe misterit të një diamanti binjak, ekzistenca e të cilit vihej ende në mëdyshje. Bemnian vërtet mendonte se do ta gjente një ditë, por po shpresonte që kjo ditë të mos largohej prej tij.

-Do të ndjekim një hartë budallaqe? - nervat e saj nuk kishin ku të shkonin më lart, -Dhe për më tepër një hartë të vizatuar nga dikush që nuk ia kemi idenë? Uarden, më thuaj! Ku e gjete këtë?

-Është hartë e supozuar! Nëse dëshiron të vish me ne, të mirëpresim. Nëse dëshiron të dish detaje të panevojshme mbi këtë, mund t'i zgjidhësh në mendjen tënde, sepse ishe pikërisht ti ajo që po pohoje se po humbisnim kohë. Po të them se mbi 90% e hartës është e saktë. Ta siguroj këtë, - nuk kishte kohë t'i shpjegonte se në çfarë mënyre e kishte gjetur rrugën për të zbuluar vendin ku fshihej diamanti binjak i Tavernier.

-Nuk ka të bëjë me hartën Anakhonta. Por me vendin që tregon kjo hartë. Nëse e shikon me vëmendje, mund të shohësh qartë tempullin ku ndodheshim ne këtu, dhe jo shumë larg tij ish minierën Kollur në Gontur të Indisë, nga e cila kanë dalë të dy diamantët në shekullin e 16. E gjithë zona është e dyshimtë, por nëse shohim pas saj, kemi një shtrirje të madhe të ishujve të Indisë, dhe nga ajo që tregon harta, Baratang është destinacioni kryesor. Nuk e di pse, por nuk besoj se Uardeni po na çon drejt kësaj pa një arsye të fortë, -Vin'nila arrinte të kuptonte disa gjëra thelbësore mbi atë që do të ndodhte, por shpjegimin e Uardenit nuk e kishte asnjëra prej tyre.

-Që është diamanti! Qëllimi ynë është diamanti. Mos vallë mendoni se do të shkojmë në ishull për diçka tjetër? Për pushime për shembull? Ju lutem! Serioziteti duhet të jetë reciprok, - pa drejt tyre për të konfirmuar atë që tha dhe pas kësaj mbylli hartën e hapur në tavolinë dhe e vendosi prapë në xhep. -Nesër, -përmendi dhe u ngrit për t'u larguar.

-Nuk mund ta këtë seriozisht! - dyshonte për të vetmen arsye se nuk mund të zbulonte një hartë aq të besueshme për një kohë aq të shkurtër. Si mund ta bënte të gjithë këtë i vetëm?

-Mos u shqetëso! Do t'ia dalim. Këtë herë shpresoj që po. Të paktën kemi diçka në të cilën mund të bazohemi, apo jo? Gjithçka që duhet të bësh për momentin, është të ndjekësh hapat e Bemnianit. Ndoshta ai mund të këtë një përgjigje më të besueshme. Por do të lutesha ta bëje këtë në fshehtësi. Nuk besoj ta ketë pritur mirë atë që bëre pak orë më parë, - i mbështeti dorën në shpatull si të donte ta ngushëllonte atë dhe veten për gjithçka që po ndodhte, dhe shkoi në drejtimin nga i cili u largua Uardeni. Ndërsa asaj thjesht i mbetej të zbulonte më shumë. Gjithçka që Vin'nila përmendi i dukej e pakuptimtë.

Ora shënonte 14:56, ndaj nxitoi të dilte nga dhoma. Kishte disa orë që e priste atë moment, sepse shpresonte se në këtë takim në të cilin do të mësonte më shumë rreth planit për në Meksikë, do të përmendej edhe vendndodhja e Tavernierit. Para se të zbriste shkallët, mori një telefonatë nga Vin'nila.

-Vin, gjithçka në rregull? - kishte kohë që nuk fliste me të, ndaj telefonata e saj supozohej të kishte një arsye të fortë.

-Po. Mendoj. Nuk kam kohë për këtë, ndaj thjesht doja të të lajmëroja që do të largohemi nga Meksika së shpejti. Ndonjë lajm nga ana jote? Ke arritur të gjesh ndonjë gjë? - po shpresonte të dëgjonte lajme të mira.

-Asnjë shenjë e tij për momentin. Nuk e di nëse do të arrij diçka, por më beso që po mundohem. Është e vështirë. Është e qartë. Ju u munduat të gjithë ta merrnit atë nga Elois dhe unë nuk jam si ju Vin'nila. Ndaj e kam më të vështirë, por nuk dua t'ju zhgënjej, - fliste të vërtetën, edhe pse mund të arrinte të fliste apo të bënte marrëveshje me Elois, mendonte se nuk do të arrinte kurrë të merrte diamantin.

-E di Henlej. Unë isha kundër së gjithës. Por Uardeni beson tek ti. Nuk e kuptoj pse është kaq i sigurt se ti do t'ia dalësh, por më lejo të të them se nuk dua të lëndohesh. Gjithçka të bësh, mos ia bëj vetes. Të lutem! - dëgjoi zërin e Uardenit që e thërriste për të vazhduar me planin, ndaj i duhej ta përfundonte me kaq telefonatën e tyre. -Do të flasim sërish Henlej. Më duhet të shkoj. Kemi diçka të madhe për të bërë. Pres lajme të mira prej teje.

-Gjithashtu, - mbylli telefonin. Ishte 4 minuta me vonesë.

Vrapoi drejt dhomës ku po qëndronte Uardeni duke e pritur. E kishte hapur hartën prapë mbi tavolinë dhe po mendohej teksa lexonte çdo shënim në të.

-Më kërkove? - i tërhoqi vëmendjen.

-Eja Vin'nila. Eja, - hoqi duart e mbështetura mbi tavolinë dhe drejtoi trupin duke u kthyer nga ajo, -Kemi shumë për të bërë. Do të doja të të thoja shumë më shumë, por nuk kam mjaftueshëm kohë për këtë. Ndaj shpresoj të më kuptosh një ditë. Rëndësia qëndron tek plani, që siç duket u kthye në një udhëtim. Baratang është një ishull turistik. Pritej. Por nuk mendoj se shpellat e tij janë aq të preferuara nga ta. Ka pasur turistë kuriozë që kanë hyrë në këto shpella, por thjesht për të bërë fotografi dhe për të kapur disa momente. Ashtu si tek muzeu Smithsonian i Bunchit në Uashington, - nuk i premtonte siguri, por të paktën kishin një destinacion të besueshëm.

-Gjithmonë kemi besuar se diamanti nuk e ka lënë kurrë Indinë, apo jo? Po nëse e ka bërë? Ose nëse jo, si është e mundur që nuk është gjetur ende? Dua të them, nuk mund të nisemi me idenë që dimë diçka të madhe, kur në të vërtetë specialistë s'kanë gjetur asnjë gjurmë të tij, - i duhej të qartësonte disa pyetje që po e mundonin.

-Askush nuk është përpjekur aq shumë sa ta gjejë Vin'nila. Të gjithë kanë besuar se është thjesht një përrallë dhe se nuk ka ekzistuar kurrë një gur i tillë, i njëjtë me Tavernierin. Kështu që nuk kanë pasur asnjë rezultat. Të them të drejtën, kam dyshuar gjithmonë mbi ekzistencën e tij, por sa më shumë kohë të kalonte, aq më shumë mendoja se të trillohet diçka e tillë pa asnjë lloj arsyeje specifike, është e pamundur. Pse do ta bënin gjithsesi? Njerëzit nuk mund të flasin për një binjak tëndin nëse nuk kanë parë kurrë diçka të tillë, apo jo? Baratang është një hap drejt zbulimit, ndaj nuk duhet të mendojmë, por të veprojmë. Të shkojmë atje dhe të shohim se çfarë mund të gjejmë. Për sa i përket Bemnianit, të siguroj që kjo hartë ka qenë edhe në dorën e tij, ndaj mund të jetë atje së shpejti, - kishte shumë për të thënë, por nuk i premtonte koha. Sa më shpejt të shkonin në atë ishull, aq më shpejt do të kishin përgjigje për pyetjet e tyre. Ose do të zhdukeshin pa një të tillë.

-Shpresoj, - lëvizi nga vendi ku po qëndronte, -A duhet të flasim edhe me Henlein për këtë? - nuk mund të harronin atë pjesë të planit.

-Një gjë e tillë është e sigurt. Duhet ta dijë se ku ndodhemi. Për më tepër nuk duhet të vonohemi më shumë për të marrë Tavernierin. Po kalon shumë kohë, - duhet të mendonin për dy plane njëherësh. Edhe pse jo shumë larg njëri-tjetrit.

Të shkosh pas diçkaje të pasigurt nuk është e lehtë. Të ndjekësh një fakt jo të kryer ende dhe të mendosh se do të arrish shumë më shumë. Deri ku do të shkonin? Nëse ishte diçka që nuk do ta arrinin kurrë, ishte qetësia. Nëse do të ishin të qetë, do ta kishin më të lehtë. Por për të qenë të qetë, do t'iu duhej më shumë punë, të siguroheshin më shumë. Por për ta arritur këtë, duhet të kishin durim, gjë që shkatërronte qetësinë. Një gjë e tillë nuk kishte kurrë fund. Sado të ndodhë prapë dhe prapë, do të jetë e njëjta. Si një cikël që s'ka një hyrje dhe një dalje, ndaj ngecesh brenda tij përgjithmonë. Dalja e vetme është të qetësohesh. Për t'u qetësuar, duhet të kalosh mbi këtë cikël. Nëse nuk mbetesh brenda tij, je me fat.

Më e çmuar se vetë jetaWhere stories live. Discover now