𖥸I

184 34 83
                                    

Shtator

Era frynte furishëm dhe i bënte gjethet e pemëve të vallëzonin me njëra-tjetrën. Ndjeja që herë-herë pikonte ndonjë vesë e vogël shiu mbi pallton time prej lëkure, e cila nuk e linte të depërtonte në trupin tim, por e ndalonte me një përplasje të shpejtë, që shkaktonte një tingull, i cili nuk më pëlqente. Ndryshe nga të tjerët, nuk po e shijoja aspak atë pamje. Çfarë mund të të pëlqejë në lidhje me ciklin e ujit apo të ajrit? Është thjesht se si jeta funksionon, nuk ka asgjë të veçantë rreth tyre. Shumica e stolave pranë lumit ishin bosh dhe ndihesha me fat që më në fund mund të gjeja pak qetësi për të lexuar kapitullin e fundit të librit që kisha kohë që e kisha nisur. Pavarësisht kësaj, era nuk më lejonte të ktheja faqet e tij dhe për më tepër, ngatërrohej me flokët e mi, si të mos kishte asgjë tjetër për të bërë.

-Qenke kthyer! - dëgjova zërin e tij të vinte nga rruga e lagur. Vraponte për të arritur vendin ku qëndroja e ulur, pa lëvizur asnjë gjymtyrë.

-Rreth 4 ditë. Ende nuk e kuptoj pse më duhej të kaloja disa pushime të shëmtuara me mamin dhe familjen e saj të dashur. Mund të qëndroja me muaj të tërë e vetme në këtë vend. Vetmia është e bukur, - prita të afrohej dhe të ulej pranë meje, pa më kërkuar të ngrihesha.

-Unë kam qenë gjatë gjithë kohës këtu. Prindërve të mi nuk iu pëlqejnë shumë udhëtimet. Mbi të gjitha, pse do të largoheshim nga Klaipeda për disa pushime verore? Madje madje, ata më detyronin çdo ditë të lexoja për astronominë, për sa kohë kam vendosur se do të jetë dega që do të ndjek në universitet, - iu bashkua qetësisë bashkë me mua, dhe nuk i kushtoi aspak rëndësi faktit se po fillonte të binte shi. Pas disa sekondash, uli sytë i ngazëllyer për të parë librin që qëndronte në dorën time. -Pylli i Zotave, - lexoi titullin mbi kopertinë.

-Balis Sruoga. I vjetër, por ende klasik, - i buzëqesha si pa të keq dhe i ngulita sytë sërish duarve të mia që luanin me librin. -E di? Kur u ktheva nga Hollanda, pashë sërish atë vajzën për të cilën të kam folur, të dilte nga shtëpia e babit. Kishte të veshur po të njëjtin fustan të zi si atë ditë, ose ashtu m'u duk mua, për sa kohë veshjet e thjeshta si ato duken të njëjta.

-A ia di emrin? - më pyeti dhe duke ngritur sytë, mohova.

-Nuk di asgjë rreth saj. As pse qëndron ende në atë shtëpi. Nëse do të ishte ndonjë shërbëtore do të ishte larguar deri tani, apo jo? - ndonjëherë mendoja se mund të ishte i vetmi opsion i besueshëm për origjinën e saj, por e kundërshtoja aq shpejt sa e pohoja.

-Nuk e besoj. A e ke menduar ndonjëherë t'i bësh ndonjë vizitë? Mbase ajo që do të mësosh, do të të interesojë, - Roi më lexonte mendjen si askush tjetër, ndaj e kisha të lehtë të flisja me të.

-Kam provuar disa herë, por gjithmonë më ka penguar diçka. Më bën aq kureshtare, sa shpresoj të mos zhgënjehem në fund, - lashë librin në cep të stolit dhe mbështeta kokën në supin e tij. -Një ditë dëgjova mamin teksa fliste me të shoqin, Rolandin, për pasuritë e babit. Më pyesnin shpesh nëse kisha gjetur ndonjë letër që të tregonte se gjithçka e kishte trashëguar tek unë, fëmijës të tij të vetëm, apo nëse më kishte treguar ndonjëherë për këtë. Zhgënjeheshin aq shumë kur iu thoja se asgjë nga ato që ata dëshironin nuk kishte ndodhur, sa ndonjëherë vazhdonin të mendonin thellë se ai nuk mund të ishte larguar pa lënë asnjë shënim.

-Ky është vërtet budallallëk! Duhet të flasësh me vajzën që qëndron në shtëpinë e tij. Mbase ajo di diçka. Tek e fundit, duhet ta njohë sadopak. Nuk kam dëgjuar për ndonjë Zbardhje të çështjes që në prill, pasi ndodhi e gjitha. Njerëzve vërtet nuk iu intereson, - po më shtynte të bëja gjëra që kisha kohë që i mendoja, dhe ende nuk e dija pse nuk kisha vepruar më parë.

Kaos: Teoria e FunditWhere stories live. Discover now