Për sa kohë qëndroja shtrirë, mund të shihja vetëm tavanin e bardhë dhe llambën në mes të tij, që qëndronin pa lëvizur asnjë grimcë. Ndoshta nëse do të isha e bërë prej guri, do të isha më e lumtur me atë që kisha. Pa e kuptuar, më kishte zënë gjumi duke menduar dhe kisha kaluar disa orë lehtësim, por siç dukej, i isha kthyer jetës sime. Sepse gjumi është thjesht një dozë gënjeshtre, derisa ti të mësohesh të përballesh me të vërtetën. A ekziton një botë ëndrrash? Në atë mur të bardhë më shfaqeshin momentet që kisha kaluar me të, si të ishte një çarçaf kinemaje. Ndonjëherë gënjeja veten se gjithçka që kishte ndodhur ishte thjesht një tjetër fazë e jetës, e cila do të kalonte me kohën. Gënjeja veten se malli që kisha për të ishte reciprok, se ai ishte duke menduar për mua atje ku ndodhej dhe se e kishte edhe ai të vështirë të mësohej me një tjetër realitet. Ndoshta nuk ekzistonte më. Ndoshta nuk kishte qenë kurrë një vetëvrasje. Mendimet më turbullonin.
U ngrita për t'u shkëputur nga ai vizion që po krijohej në mendjen time, për të dalë nga dhoma. Po shpresoja që ata të kishin dalë nga shtëpia, ose të paktën të qëndronin në dhomat e tyre, në të kundërt do të më duhej të largohesha vetë nga ajo shtëpi. Ndërkohë që zbrisja shkallët dëgjova zërat e tyre të buçasin sërish, ndaj ishte koha perfekte për të marrë disa ajër të pastër në park.
-Ku po shkon? - më pyeti sikur i interesonte vërtet, dhe unë sikur mendoja që i interesonte vërtet ktheva kokën t'i përgjigjesha.
-Në park. Kam nevojë të pushoj, - me "të pushoj" nënkuptoja të qëndroja larg tyre dhe ata e dinin shumë mirë këtë.
-A nuk po pushoje deri tani? - u mundua të bënte një shaka qesharake, e cila as që mund të quhej e tillë, ndaj thjesht e injorova dhe u përkula për të veshur këpucët. Hapa derën. Si të kisha qëndruar me muaj pa dalë nga ai vend, ndjeva erën të më përplasej në fytyrë, çka më shkaktoi ethe, ndaj u ktheva për të marrë xhaketën, e cila fatmirësisht ndodhej ngjitur me daljen.
Koha sa vjen e ftohej. Jo vetëm në qytet, por edhe në mendjen time. Dikush ka thënë se gjithçka është psikologjike. Në mendjen time, vendin e kishte mbuluar dëbora e bardhë, por megjithatë e akullt sa të mos arrije ta prekje dot, sepse mund të të shkaktonte të çara sipërfaqësore në pëllëmbë, nga copëzat e ngrira të akullit. E gjitha në mendjen time dhe në atë që shikoja. Në realitet, retë ishin të rralla dhe pikat e shiut nuk binin më. Siç dukej, kishin rënë të gjitha.
Kur dola, pashë sërish Niranin jashtë derës së saj, duke u kujdesur për lulishten para shtëpisë. Ajo vërtet që nuk kishte një jetë. Nuk kisha ndërmend të ndaloja, apo të kaloja andej, kur minutat që shpenzova pranë saj, më bënë të ndihem çuditshëm dhe aspak rehat me veten. Do të vinte koha që t'i flisja, por jo në atë moment. Se sa do të zgjasnin ato orë të mërzitshme, askush nuk e dinte.
Ndonjëherë shihja nxënës të klasës sime të kalonin në rrugë dhe as që doja të flisja me ta. Edhe ata me të cilët shpenzoja kohë, kisha filluar t'i injoroja, duke e bërë veten kështu, një vend të shkretuar ku nuk ndodhte gjë tjetër veç qetësisë. Qetësia më pëlqente më shumë se gjithçka tjetër, ndaj nuk do të kërkoja për më shumë.
Të kaloja kohë e vetme e kisha të vështirë, pasi isha gjatë gjithë kohës në kontakt me Roin dhe rrallë herë dilja nga shtëpia kur nuk do të qëndroja me të. Thjesht jeta më kishte ardhur në majë të hundës, ndaj mund t'i jepja të drejtë doktorit që i dha fund, cilido qoftë shkaku.
Nëse dielli do të fillonte të perëndonte më shpejt, do të isha më e lumtur. Ndaj më pëlqente dimri. Dita mbaronte shpejt sa nuk e kuptoje se si, dhe megjithatë ishte e mjaftueshme për të kryer gjithçka që ke në mendje. Madje, edhe të shohësh një serial të tërë brenda disa orësh, gjatë pushimeve dimërore. Ndërsa vera? Vera ishte e zhurmshme. E mbushur me njerëz që duan të lëvizin dhe me çdo lloj insekti të mundshëm, bimë, gjelbërim, hare. Asgjë nga ato të sapopërmendura nuk më shpallnin ndonjë emocion, ndaj për sa kohë preferoja vetminë, qetësinë, balancën njerëzore, preferoja dimrin.
Nuk u largova shumë nga shtëpia. Isha në stolat përballë saj, të cilët kishin pamje nga lumi që kalonte mes e përmes Klaipedës. Ishte pamje e bukur, por nuk ishte arsyeja pse qëndroja shpesh aty. Këtë mund ta bënin të gjithë, ndërkohë që unë thjesht isha e pafuqishme të lëvizja më larg, ose të kisha një mendim se ku mund të shkoja tjetër. Mendja ime ishte kaq e zënë gjatë gjithë kohës, sa nuk mund të mendoja asgjë tjetër veç çështjes kyç që truri im ishte duke operuar në një moment të caktuar. Momente që as vetë nuk e dija se kur fillonin apo kur mbaronin. Thjesht ekzistonin në mendjen time si një karusel që s'ka të ndaluar.
Mund të qëndroja aty me orë të tëra, duke mos bërë asgjë tjetër, por kureshtja nuk me linte të qetë. Isha kaq e paduruar për të nesërmen, sa gjithçka që me dilte përpara syve, e bëja pjesë të historisë. Nirani duhet të kishte marrë vesh diçka. Në shtëpinë ku ajo është duke jetuar, ka qenë e tij, ndaj duhet të ketë diçka të fshehur në ndonjë cep të asaj ndërtese. Si mund të ishte aq e qetë, kur gjithçka rreth saj sa vjen e ndryshonte më shumë.
Pa hezituar nxorra telefonin nga xhepi i gjerë i tutave. Telefonova Roin, për t'i thënë se nuk isha gati të prisja më gjatë. Nëse kishte diçka që mund ta zbulonim para se të shkonim nesër në spital, ky ishte momenti.
-A je e sigurt që nuk dëshiron ta kalosh pjesën tjetër të ditës jashtë kësaj? - shqetësohej për gjëra që zakonisht nuk më bënin përshtypje.
-Po Ro, dhe për më tepër, e kam të pamundur të pres duarkryq kur diku mund të ketë diçka që mund të na nevojitet. Dua t'i dal në fund kësaj pune sa më parë të jetë e mundur. Nëse nuk je duke bërë ndonjë gjë më të mirë për momentin, mund të më shoqërosh. Të pres! - më duhet të isha e duruar. Por nuk mund të bëja më shumë se aq.
-Kanë kaluar vetëm 4 orë që në momentin kur më the se doje të largoje mendjen nga kjo. Dhe ja ku je duke më thënë se dëshiron të kthehesh sërish, - e kuptoja që mund të ishte i lodhur nga unë dhe sjelljet e mia kontradiktore, të cilat ishin krejtësisht normale, por nuk kisha kohë të mendoja për këtë dhe nuk i kushtoja shumë rëndësi, kur gjithçka që po bënte me mua, e bënte me dëshirën e tij të plotë. Pjesa tjetër, mbetej për t'u parë.
-Jam tek i njëjti stol si gjithmonë. Mund të më gjesh shumë lehtësisht, kështu që nuk ke asnjë arsye të fortë për të mos ardhur tek unë. Thjesht do të diskutojmë! Të lutem! - isha gati të shpërtheja në të qara nga nervat që luanin në kokën time. Nuk më pëlqente të jepja shumë shpjegime dhe për më tepër, bisedat telefonike më lodhnin jashtë mase, kur thjesht mund të ishim ballë për ballë duke folur rreth kësaj.
-Po vij! - dëgjova të qeshurën e tij pas ekranit dhe më pas tingullin e shpejtë që lëshon ai kur telefonata përfundon. Më mbetej thjesht të prisja deri sa ai të mbërrinte. Për fatin tonë të mirë, jetonim në të njëjtin qytet dhe pavarësisht madhësisë së tij, ishte e thjeshtë ta gjenim njëri-tjetrin në kohë rekord.
Vendosa pëllëmbët para fytyrës, duke mbuluar pjesën më të madhe të saj, përfshirë sytë, të cilët i mbyllja shpesh për të kujtuar se gjithçka do të kalonte, ose thjesht mendoja kështu. Bëra një lëvizje poshtë të tyre dhe më pas i bashkova për t'i vendosur para buzëve të mia që kishin kohë që dridheshin nga stresi i atyre ditëve. Këmbën e majtë e lëvizja shpejt dhe e përplasja mbi tokë, si të ishte faji i rrugës së asfaltuar për çdo dyshim timin. Bërrylat i kisha vendosur mbi gjunjët e çformuar të këmbëve të mia, ndaj kurrizin e kisha të kërrusur dhe larg pjesës së sipërme të stolit. Më kishte kapluar një ndjenjë që as që e njihja dhe nuk e kisha përjetuar më parë. Të paktën jo në atë mënyrë. Ndihesha bosh dhe njëkohësisht e mbushur më shumë seç duhej, sa kishin filluar të derdheshin infromacione të rëndësishme që qëndronin aty prej kohësh, por kishte ardhur koha ta zinte vendin një tematikë aq e madhe, sa s'kishte vend për të tjerat. Më e keqja sapo kishte filluar dhe kjo disi më frikësonte apo më jepte shpresë se ishte një fillim i mbarë.
Ndodhi 6 muaj më parë. Nuk e di se sa kohë para tyre ishte planifikuar të ndodhte, por e vërteta kishte filluar të ndihej vetëm në ato çaste.
YOU ARE READING
Kaos: Teoria e Fundit
FantasyTë gjithë e kanë frikë vdekjen. Shpesh e përshkruar si e egër dhe e errët. Të paktën kështu mendojnë njerëzit. Por a është në të vërtetë e tillë? Doktor Valdmar Andris, gjatë një eksperimenti shkencor mbi një trup të vdekur në Lituani, zbulon diçka...