E dija se ishte momenti, që kur ndjeva rrezet e diellit të më kalonin mbi sy, duke më zgjuar kompletisht dhe për të më kujtuar se më priste një ditë e madhe para. Fakti se nuk do më duhej më të prisja më gëzonte jashtë mase, ndërkohë që më motivonte se i gjithë ky entuziazëm nuk do të shkonte dëm. Diçka do të zbulohej atë ditë. E vërteta po afrohej. U ngrita nga krevati për t'u larguar sa më shpejt. Gjithçka do të fillonte atë ditë. U ndërrova me shpejtësinë e erës dhe kalova njëherë dorën mbi flokë, sa për t'iu larguar elektrizimin që i kishte fryrë.
Duke zbritur shkallët me të shpejtë, po shpresoja që edhe Roi të ishte gati për këtë. Nëse nuk do të gjenim asgjë të nevojshme, do të zhgënjehesha jashtëzakonisht shumë. Kisha me orë të tëra që prisja të vinte ajo ditë, ndaj do ta shfrytëzoja në çdo sekondë të vetme.
Vështrimi i pafajshëm i Kait të vogël nuk mund të mungonte as atë ditë. Duke qëndruar pranë mamit në kuzhinë, më shikonte si të kishte diçka për të më thënë, por nuk guxonte ta bënte nga ajo që më frikësohej mua. Dilja gjithmonë herët nga shtëpia, kështu që secili prej tyre ishte mësuar më këtë tashmë. Ose duhet të mësoheshin.
Ashtu si e djeshmja, qielli ishte ende i mbuluar nga retë, por që kryesisht ishin në ngjyrë të hapur dhe nuk paralajmëronin për ndonjë rreshje të mundshme. Atë mëngjes, era nuk frynte fort, megjithatë arrinte të ngrinte nga toka, gjethet e rëna të pemëve sezonale. Me duar në xhepa po ecja drejt shtëpisë së Niranit, duke menduar nëse ishte kujtuar për atë që na kishte premtuar apo jo. Ndalova para derës dhe trokita disa herë rradhazi, por nuk erdhi askush ta hapë.
-Jam këtu! - dëgjova zërin e saj të vinte nga lulishtja në jug, ndërkohë që vraponte rreth meje. -Ty po të prisja. Je gati të nisemi, apo jo? - eci para meje duke marrë frymë me vështirësi.
-Po, - i hodha një vështrim qortues pasi konfirmova. -A e ke problem të ndalojmë diku për Roin? - nuk duhej ta kishte harruar. Kishim orë që prisnim bashkë. Nuk e dija se çfarë po e vononte kaq shumë, por po shpresoja që të mos zgjaste akoma.
-Sigurisht! Mund të qëndrojmë, - më buzëqeshi dhe më tregoi rrugën për tek makina e saj. Dukej si ai lloj njeriu që nuk dilte shpesh, qëndronte gjatë gjithë kohës në shtëpi dhe i pëlqente të kujdesej për bimët. Kishte një kopsht madhështor me lule nga më të ndryshmet, por nuk është se më bënin përshtypje. I kisha urryer gjithmonë lulet.
Nuk kishim ecur shumë, kur pashë Roin të vraponte i rraskapitur drejt makinës, duke u ndjerë i lumtur se po na shihte në rrugë. Nirani ndaloi dhe i la kohë të afrohej.
-A je mirë? - e dija që përgjigjja e kësaj pyetjeje ishte e qartë, por nuk mund ta nisja ndryshe.
-Po, - bëlbëzoi duke marrë frymë thellë, ndërkohë që hynte brenda. -Më falni për vonesën, por më duhej të shkoja diku tjetër para kësaj, - pa drejt meje për të nënkuptuar se do të më tregonte më vonë rreth kësaj, dhe se gjithçka që kishte rëndësi në ato momente, ishte të gjenim diçka që ia vlente, edhe pse thjesht po shkonim në vendin e tij të punës. E ku tjetër mund të gjenim më shumë informacion, kur ai vend u kthye gjithashtu në shtëpinë e tij të vdekjes?
Spitali ishte afër, dhe brenda pak minutave makina ndaloi para tij, për të na lajmëruar se kishte ardhur koha që gjithçka të bëhej realitet, çdo dyshim i yni.
-Mua më duhet të shkoj fëmijë. Kam filluar punë diku dhe nuk dua të vonohem. Ky vend nuk është shumë larg, ndaj besoj se do të ktheheni duke ecur, - këtë nuk e prisja, por më pëlqeu për sa kohë do të ishim më të qetë pa të.
-Nuk ka problem. Do të jemi mirë! - e dija që nuk i interesonte për gjendjen tonë, por duhet t'i thoja diçka si përgjigje të mirëfilltë. Pas kësaj, mundëm të dëgjonim zhurmën që lëshonte makina të zvogëlohej sa vjen e më shumë.
YOU ARE READING
Kaos: Teoria e Fundit
FantasyTë gjithë e kanë frikë vdekjen. Shpesh e përshkruar si e egër dhe e errët. Të paktën kështu mendojnë njerëzit. Por a është në të vërtetë e tillë? Doktor Valdmar Andris, gjatë një eksperimenti shkencor mbi një trup të vdekur në Lituani, zbulon diçka...