Sheshi i qytetit të Klaipedës është kthyer në një qendër kryengritjeje nga banorë të revoltuar, me në krye Niran Andris, vajza e doktorit dhe kirurgut që u nda nga jeta gjashtë muaj më parë, Vladmar Andris. Shkak për këtë ngjarje është bërë Niran Andris, për të cilën dyshohet se ka ngritur një komplot kundër qeverisë. Mes të tjerëve janë gjetur 107 banorë pa ndjenja të cilët u shoqëruan në spitalin e Klaipedës dhe një viktimë me inicialet R.A. Falë trupave të policisë së vendit, banorët e mbetur janë kthyer në shtëpitë e tyre shëndoshë e mirë, ndërsa e dyshuara Niran Andris për komplot dhe vrasje, është shoqëruar për në rajonin e policisë. Nga burimet e mëparshme thuhet se e arrestuara ka shfaqur shenja të theksuara të sëmundjes mendore.
Të nesërmen bëhej varrimi. Për mua, për të dytën herë. E kisha urryer gjatë gjithë jetës, e përçmoja dhe e injoroja. Por nuk e dija faktin se ai na mbrojti gjithë ato vite. Nuk e dija si të ndihesha. Së fundmi, Rolandi kishte qenë një ndihmë e pandashme për mua. Por nuk isha e vetmja e prekur nga e gjithë kjo ngjarje.
Kai ishte ende i vogël, shumë i vogël për të përjetuar diçka të tillë. Fatet tona ishin të ndërthurur e pak a shumë, fundi ishte i qartë. Rolandi ishte një njeri i përkushtuar, jo vetëm ndaj punës së tij, por edhe jetës familjare. Ishte një baba i shkëlqyer. E donte shumë Kain.
Mami kishte humbur bashkëshortin e saj, për të dytën herë. Tani jeta e saj nuk do të kishte asnjë mundësi për t'u rregulluar, apo për të ecur përpara. Por e dija se Kai djali i Rolandit, dhe unë, vajza e Vladmarit, do të ishim pranë saj për t'i kujtuar çdo të mirë që të dy i sollën në jetë.
Do të doja ta harroja. Kisha pritur kaq shumë për të marrë vesh të vërtetën, e cila erdhi me një kosto. Por për të parën herë, Rolandi kishte gabuar. Kishte gabuar sepse harroi se prapa tij qëndronte një familje që e priste në shtëpi, e cila e donte më shumë se çdo jetë personi që ai arriti të shpëtojë. E meritonin të vdisnin. Që të gjithë. Por jo ai. Që të gjithë që u bindën se ëndrra e tyre do të bëhej realitet, që të gjithë që u bashkuan me Niranin. E meritonin një mësim të tillë, por jo ai.
Disa nga ne e kuptuan se e vërteta që po kërkonim, nuk na solli ndriçimin që dëshironim. Ata që kërkojnë të vërtetën mund të pendohen për të dhe të kuptojnë se jeta mund të kishte qenë më e mirë pa të. Ideja që "e vërteta" siç e dimë nuk është e vërtetë është e vështirë të gëlltitet. Është një nga ato koncepte marramendëse që e kthen botën tënde përmbys nëse e mendon shumë fort. Por, përveç atij aspekti të vështirë për t'u gëlltitur të kësaj pikëpamjeje të re të realitetit, ekziston sfida për të marrë në konsideratë diçka për të cilën jemi stërvitur të mos e shohim gjatë gjithë jetës. E kështu, pak nga pak, gërryen gjithë brendësinë e trupit tonë.
Tashmë e dija se çdo të ndodhte me mua pasi gjithçka të përfundonte dhe trupi im t'i dorëzohej tokës. Por kjo nuk më bëri aspak më të lumtur. Kur të mbyllja sytë dhe t'i jepja lamtumirën e fundit botës, a do të ndieja rrahjet e zemrës në kraharorin tim të ngadalësoheshin? Kur gjaku mos rridhte më nëpër vena dhe stomaku të mos ishte më i uritur, kur buzët të më thaheshin dhe të çaheshin nga i ftohti, a do të isha e lumtur? Përgjigjen e kësaj pyetjeje, nuk e mësova kurrë nga ai.
Koha do të kalonte, dhe të gjithë do ta harronin atë ditë të shëmtuar. A ishte mjaftueshëm?
Isha para lumit që ndante në mes Klaipedën. Aty, sërish. Njerëzit nuk dëgjoheshin, por mund të ndieja turpin që i kishte pushtuar pas asaj që bënë. Një marrëzi që e emëroi Klaipedën, qyteti i kaosit.
Veç luleve shumëngjyrëshe dhe pemëve të zhveshura, shiut të rrëmbyer dhe stolave të lagur, fenerëve që ndriçonin rrugët natën për hiç gjë, gjithçka në atë vend ishte një fantazëm. Vendi që më dhuroi familjen dhe njerëzit e dashur, po m'i merrte mbrapsht një nga një.
Pas varrimit, do të largoheshim nga Lituania. Kujtimet në atë vend nuk do të na linin kurrë të qetë. Nuk mendoja ndonjëherë se do e kisha aq të lehtë të largohesha dhe të lija çdo moment pas, por shtëpia nuk ndihej më si shtëpi, dhe në këtë rast, nuk mund të quhet më e tillë. Shtëpia e ngrohtë e mbushur me gjallëri, kuriozitet dhe lumturi, në atë vend nuk ishte më gjë tjetër veçse një koncept.
Nuk e dija nëse do ta takoja më Roin, por e dija se e ardhmja e tij ishte e ndritur dhe plot sukses, ndryshe nga e imja. Është një person që e di shumë mirë se çfarë dëshiron, dhe gjithmonë e ka arritur. Do të më mungonte, për këtë isha e sigurt. Kudo që e ardhmja e priste, do të kthehesha me patjetër.
U ngrita nga stoli për të fundit herë, dhe do të shkoja në shtëpi po për të fundit herë. Asgjë nuk ndihej si më parë, ndaj kishte ardhur koha të largohesha. E dija se mami po më priste në shtëpi. Shprehia në fytyrën e saj të qeshur ishte zhdukur dhe e dija se do të më duhej shumë kohë për ta rikthyer, nëse do të ishte ndonjëherë e mundur.
Eca poshtë rrugicës së ngushtë, ende e mbuluar nga gjethet e kuqërremta të asaj stine. Do të doja të kisha ndaluar që në fillim, mendimi se nuk do të gjeja rehati dhe lumturi asnjëherë në jetën që më kishte mbetur më trulloste. Ky ishte fundi për të cilin kisha pritur me kaq padurim. Kisha gërrmuar dhe e kisha nxjerrë vetë në sipërfaqe, të gjithën e kisha bërë me vetëdijen time të plotë. Fundi nuk më solli lumturinë që kërkova, dhe isha e sigurt se as vdekja nuk do ta bënte. Megjithatë, një jetë e re më priste atje jashtë. Jo çdo fund është i lumtur.
FUND
YOU ARE READING
Kaos: Teoria e Fundit
FantastikTë gjithë e kanë frikë vdekjen. Shpesh e përshkruar si e egër dhe e errët. Të paktën kështu mendojnë njerëzit. Por a është në të vërtetë e tillë? Doktor Valdmar Andris, gjatë një eksperimenti shkencor mbi një trup të vdekur në Lituani, zbulon diçka...