𖥸XIV

121 24 18
                                    

1 ditë më parë

-A ta kam thënë ndonjëherë se, edhe pse kaloj vetëm një pjesë të vogël të ditës në shtëpi, kam vënë re se nuk është si më parë. Nuk ekziston ajo qetësia shpirtërore mes tyre, si të dinin diçka që mundoheshin shpesh ta fshihnin prej meje, - këtë të fundit e kisha vënë re që prej vdekjes së tim eti.

-Ç'do të thuash? Mendon se dikush nga ata mund të na ndihmojë? - as vetë nuk isha e qartë në atë që mendoja, por meqë gjithçka nisa ta tregoj, duhet të shkoja deri në fund.

-Pavarësisht kësaj, nuk besoj se ndonjëri nga ta dëshiron ta ndajë atë që dinë me mua. Nuk e di se për çfarë bëhet fjalë, mbase nuk ka lidhje me atë që po kalojmë, por i druhem mendimit se dyshimet e mia janë të vërteta.

-Çfarë të bën ta mendosh këtë? Dua të them, kjo ide nuk u shfaq papritur, apo jo? - Roi mundohej të më kuptonte, ndërkohë që edhe unë mundohesha të kuptoja veten.

-Gjithmonë kur mendoj se kam gjetur qetësi larg tyre, i ashtuquajturi vëllai im i vogël, shfaqet duke më vështruar, si të donte të më tregonte diçka të rëndësishme. Por gjithmonë kur vë re prezencën e tij, ai zhduket sikur të trembej nga reagimi im. Nuk sillej kështu para se gjithçka të fillonte. Nuk më afrohej kurrë, madje mundohej gjithmonë të shmangte vendet ku qëndroja unë. Gjithmonë kur përmendet vdekja e tij, një qetësi e frikshme kaplon ato mure. A nuk të duket edhe ty anormale? - nuk e dija se sa saktë e kisha përcjellë atë mendim në trurin e tij. Mund të mendonte se kisha luajtur mendsh dhe se duhet të ndaloja së pari ëndrra me sy hapur. Nga ana tjetër, shpresoja që të mos i dukej një trillim.

-Pra ti po thua se ai mund të dijë diçka?

-Çfarëdo qoftë ajo, jam e sigurt që mami dhe bashkëshorti i saj nuk do të donin të ma tregonin kurrë. Vetëm nëse asnjëri prej tyre nuk di gjë rreth kësaj, - ngatërrohesha me veten, dhe nuk doja të dukesha një e çmendur që s'dinte ç'fliste.

-Mundet. Kai është shumë i vogël për ta kuptuar rëndësinë e asaj që mund të dijë vërtet. Ndoshta duhet të fillosh të afrohesh me të. Mbi të gjitha, është thjesht një fëmijë i pafajshëm. Të qenit e lidhur me të, mund të na ndihmojë të nxjerrim goxha informacione. Sidomos nëse edhe babai i tij ka gisht në këtë, - e pranoja. Ndonjëherë më surprizonte me idetë e tij.

-Mendon se Rolandi është i përfshirë? Ai as që e njihte babin! - nuk e dija nëse mund t'i besoja ato që thoja.

-A e di ti këtë? - kjo pyetje më bëri të kujtoj se nuk e kisha ditur kurrë nëse ata e njihnin njëri-tjetrin, sidomos para lidhjes së tij me mamin. Nuk e kisha pyetur kurrë babin, madje nuk isha interesuar ndonjëherë për të kuptuar vërtet arsyen përse ai u largua. Tanimë ndieja se isha sjellë si e marrë, si një fëmijë i rebeluar, të cilës nuk i interesonte gjë rreth botës që e rrethonte. Nuk i vë faj. Nëse do të kisha jetën e atëhershme, nuk do të ndryshoja aspak pikpamje të asaj që jetoja. Nuk kishte ndryshuar gjë, veç ankthit që sa vjen e shtohej brenda meje. Nuk do të mund ta besoja kurrë se një ditë do të shfaqja interesa për Kain dhe Rolandin. Kjo gjë bënte mirë të më ndihmonte, sepse nëse do të ishte ndryshe, do të hiqja dorë përfundimisht.

-Jo. Jo në të vërtetë.

-Mendon se ka ardhur koha? - të pyesja Kain rreth kësaj, kur ende nuk e dija nëse dinte diçka apo jo, më bënte të mendoja se do të ishte një veprim i përshpejtuar.

Kaos: Teoria e FunditWhere stories live. Discover now