Po mendohej shumë dhe disi po më acaronte fakti se duhet të prisnim aq gjatë për një përgjigje nga ana e saj. Nëse nuk kishte asgjë për të thënë, mund të mos na i kishte hapur derën dhe shumë ëmbëlsisht të largoheshim dhe të shihnim rrugët tona. Sikur të mundja të kuptoja se çfarë po mundohej të bënte, nuk do të isha në atë gjendje.
-Fëmijë, kanë kaluar 6 muaj që kur u krye vetëvrasja. Çdo informacion i mundshëm është nxjerrë dhe nëse nuk është mjaftueshëm për ju, nuk është aspak në dorën time. Ato që specialistët kanë mundur të gjejnë, besoj se i keni marrë vesh kohë më parë. Nuk kam asgjë për të shtuar, pasi ashtu si ju, edhe unë di pak rreth kësaj. Do të doja shumë t'ju ndihmoja, por nuk kam asgjë mbi të cilën mund të bazohem, - fliste me qetësi dhe mundohej të ishte e matur, por çka më bëri përshtypje ishte se si mundohej të anashkalonte gjithçka. Çfarë mund të prisja më shumë prej saj? E dija shumë mirë që nuk duhet të isha kthyer në atë vend, por Roi këmbëngulte.
-Por të paktën e di se ku ka ndodhur, apo jo? - i hodhi një vështrim të shpejtë për ta vërtetuar dhe më pas pa drejt meje duke pritur për përgjigjen e saj.
-Thonë se ishte morgu i spitalit ku ai punonte. Nuk jam e sigurt për këtë, - munda të dalloj qartë se sa u konfuzua kur e pyetëm rreth kësaj. Ndoshta nuk e dinte se me sa seriozitet i ishim nisur asaj pune.
-Saktësisht, mund të na shoqërosh në këtë vend, për sa kohë nuk e dimë se ku ndodhet? Më pas do të heqim dorë nga pyetjet e shumta me të cilat po të harxhojmë kohën tënde të çmuar, - Roi nuk e kuptoi qëllimin tim dhe po mundohej të komunikonte me mua përmes shenjave.
Duhet të më jepte një reagim pozitiv, pasi isha mjaft e lodhur për të vazhduar me pyetësorin, kur shumë mirë mund të merreshim të vetëm me këtë çështje. Nga Nirani nuk po nxirrnim asnjë të re, ndaj duhet të vazhdonim përpara, për të mbaruar sa më shpejt me këtë fakt që po më detyronte të bëhesha pjesë e diçkaje të tillë, që më pas t'i kthehesha jetës sime normale.
-Nuk e kuptoj qëllimin tuaj, por gjithsesi mund ta bëj këtë gjë për ju, që të shuani kureshtjen që po vlon brenda jush. Nesër në orën 8:00 në mëngjes. Dakord? - më shihte njëherë mua dhe njëherë Roin dhe me shumë mundësi ishte ende duke menduar se pse ishte futur edhe ai në gjithë këtë mesele.
Nuk ishte thjesht kureshtje. Ishte një fakt të cilin nuk e pranoja dot, kur gjithçka dinim ne për babin, ishte se kishte një jetë të bukur, duke arritur suksese që i ka ëndërruar gjithmonë. Pa bërë shumë fjalë, pranova që të largohesha sa më parë. Në jetën time po ndodhnin aq shumë gjëra njëherësh, sa nuk kisha kohë të bëhesha pjesë e asnjërës prej tyre.
-Nëse do ta njihje ndopak atë, do të na kuptoje, - i pëshpërita para se të largoheshim. Sjellja e saj e çuditshme më bënte të mendonte se kishte kaluar aq shumë ngjarje traumatizuese në jetë, sa e kishte lënë me pasoja. Megjithatë, në sytë e të tjerëve dukej gruaja më e ëmbël dhe më perfekte, e bukur dhe shtëpiake e shkëlqyer. Por ndonjëherë, rrëmbehemi aq shumë nga kopertina e një libri, sa brendësia e tij nuk na intereson shumë. Ndonjëherë, kopertinat janë më të bukura se përmbajtja e tyre.
Për të disatën herë, shkela mbi rrugën e shtruar me gurë zalli para shtëpisë. Nëse nuk ishe i kujdesshëm kur ecje, ata gurë mund të dëshmonin fundin tënd. Duhet të prisja për ditën tjetër të zbardhte dhe për më tepër ishte ende mesditë, çka nënkuptonte se kisha për të pritur shumë. Por pas 6 muajsh, 1 ditë pritje nuk do të më bënte dëm.
-A ndihesh më mirë tani? - më ngriti kokën me duart e tij, për të më parë më qartë drejt e në sy, që të vërtetonte që po thoja të vërtetën.
-Po, - iu përgjigja me gjysmë zëri, edhe pse e dija që kjo bisedë nuk kishte ndryshuar asgjë specifikisht.
Vjeshta e këtij viti nisi ndryshe. Kishte po të njëjtën aromë shiu, po të njëjtat pemë të zhveshura, rrugë të lagura, fllad i freskët që të shkaktonte ethe të lehta në trup, por jo të njëjtat ndjenja. Jo të njëjtin njeri brenda meje, që sa vjen e merrte tjetër formë dhe shpresoja që një ditë të mos kisha frikë prej saj. Një vjeshtë aq perfekte në pamje të parë, sa të jepte përshtypjen e asaj të fundit.
-Më duhet të shkoj, - u shkëputa prej tij kur u gjenda para shtëpisë sime, -Shihemi nesër! - i dhurova një përqafim të shkurtër si për të shmangur ato që kishte për të thënë, ndaj thjesht më buzëqeshi dhe më përshëndeti me dorë. Zakonisht nuk më pëlqente të kaloja kohë brenda në shtëpi, pasi isha e detyruar të qëndroja e vetme në një vend të zymtë si ai, ku gjithçka dëgjoja ishin të qara apo biseda dhe zënka që nuk më interesonin aspak. Për sa kohë në atë vend nuk ekzitonte asnjë grimcë qetësie, kisha të drejtën time të plotë për ta urryer.
-U ktheve herët, - m'u drejtua mami, kur isha ende duke hequr çizmet e gjata, ku vende vende mund të gjeje pika të njollosura nga balta. Ishte mësuar me faktin se kthehesha pasdite vonë pasi dilja në mëngjes, sepse preferoja të kaloja një ditë ndryshe nga ata.
Thjesht shtira një buzëqeshje dhe u drejtova nga shkallët për t'u ngjitur në dhomën time. Kisha gjëra më të mira për të bërë.
-A mund të më ndihmosh pak? Babi ka shkuar në punë, - më fliste teksa mundohej të ngrinte qesen me ushqime për ta çuar në kuzhinë.
-Babi ka vdekur, - nuk mund ta quaja baba dikë si Rolandi, të cilit nuk i interesonte asgjë tjetër veç djalit të tij të llastuar. Mbi të gjitha, nuk ishte babai im biologjik.
Ajo thjesht ngriti kokën dhe më vështroi çuditshëm, pa lëvizur asnjë shqisë të fytyrës, e më pas u ul sërish për të vazhduar.
-Mund të shkosh se e bëj vetë, - m'u drejtua si të mos kisha përmendur atë temë. Nuk i pëlqente kur e përmendja shpesh, por ishte gjëja e vetme që mund t'i thoja në të tilla situata. Nuk flisja shpesh me të. Në fakt, me asnjë.
Pa i kushtuar rëndësi asaj që tha, ngjita shkallët për në dhomën time, që të mund të qetësohesha sadopak. Ato pushime më ishin mërzitur vërtet, por pavarësisht kësaj, nuk doja të kthehesha në shkollë. Është thjesht një periudhë kohore në të cilën nuk dëshiron të bësh gjë tjetër veçse të marrësh frymë dhe të zhdukesh nga realiteti, që pak nga pak fillon të të mbysë pa e kuptuar as vetë. Kjo më ndodh shpesh dhe nuk mundohem ta shmang, sepse e di se nuk do të mbarojë kurrë dhe do të vijë prapë.
Në kulmin e asaj që mund ta quaja mërzi, nuk mund të bëja gjë tjetër veç se të mendoja se çfarë do të ndodhte këto ditë. A do të më duhet të harroja apo të vazhdoja siç e kisha nisur? Mbytur në mendime të tilla, rrëmbeva laptopin dhe pa humbur kohë e hapa për të kërkuar çfarë më duhej të dija. Si për dreq, ekrani i zi dhe ai rrethi i bardhë në mes të tij, nuk po lejonin të ndizej shpejt. Ato minuta po më dukeshin si orë të tëra dhe isha gati të hiqja dorë, derisa ikonat filluan të shfaqen të shpërndara dhe pa hezitim shtypa motorin e kërkimit, gjë që donte kohën e vetë për t'u hapur. Shkrojta "Vdekja e doktor Vladmar Andris", dhe para meje u shfaqën disa faqe të ndryshme televizive që kishin folur rreth kësaj.
E para që lexova tingëllonte e njëjtë me atë çka na tha Niran:
" Një lajm i papritur prek qytetin e Klaipedës. Vladmar Andris, i njohur si doktor dhe banor i këtij vendi, gjendet i vdekur në spitalin ku punonte. Forcat policore besojnë të ketë qenë vetëvrasje, por pavarësisht kësaj, nuk kemi ende një zbardhje të plotë të ngjarjes."E çfarë informacioni pritej nga një lajm i publikuar vetëm 2 ditë më vonë? Pas kaq shumë muajsh, ishte e pamundur të dëgjoje rreth kësaj, madje edhe në lagje kishin filluar të interesoheshin se kush ishte Nirani, duke u mësuar me faktin se doktor Vladmari nuk ishte më në atë shtëpi. Gjëja që më shqetësonte më shumë ishte vendi dhe mbi të gjitha, çfarë ishte duke bërë ai njeri atë ditë. Gjithçka do të merrte kuptim të nesërmen.
Mbylla kapakun e laptopit dhe e vendosa në qoshe të krevatit. Duke qëndruar shtrirë mendimet nuk më largoheshin, madje rriteshin gjithmonë e më shumë, si të ushqeheshin nga frika ime. U ngrita për një çast për të mbyllur derën e hapur të dhomës dhe vura re mistrecin e vogël të më shihte sërish prapa saj. Sapo e kuptoi se e kisha parë, filloi të vraponte si i çmendur drejt dhomës së tij. Nuk i dhashë rëndësi, ndaj mbylla derën për t'u shkëputur nga ata njerëz për disa minuta.
YOU ARE READING
Kaos: Teoria e Fundit
FantasyTë gjithë e kanë frikë vdekjen. Shpesh e përshkruar si e egër dhe e errët. Të paktën kështu mendojnë njerëzit. Por a është në të vërtetë e tillë? Doktor Valdmar Andris, gjatë një eksperimenti shkencor mbi një trup të vdekur në Lituani, zbulon diçka...