Kishte pikëpamje të ndryshme nga të cilat mund ta shihje situatën. Të gjitha dilnin në të njëjtin konkluzion; faji ishte i gjithi i tiji. Nëse nuk do të kishte shpikur një teori që nuk kishim për ta gjetur kurrë dhe nëse nuk do t'i kishte dhënë fund jetës pas kësaj, do të ishim duke jetuar të qetë. Në gjithë atë rrëmujë, të cilën ishim të detyruar ta rregullonim, duhet të gjenim më shumë rreth gjithçkaje që do të ndodhte. A do të ndodhte diçka? Ndonjëherë mendoja se ishte thjesht një nga mendimet e tij të pakuptimta, që të çonin drejt një rruge pa mbarim. E urreja kur ndodhte diçka e tillë.
-Pra ti po thua se ajo mund të ketë organizuar gjithçka? - tingëllonte po aq e pabesueshme, edhe e çuditshme. Tek e fundit, përse do ta bënte ajo diçka të tillë?
-Ashtu siç edhe ti përmende, mundet. Por mundësitë nuk janë të sigurta. Jemi në mes të një lëmshi të tillë, ku duhet të pranojmë çdo gjë që na del para udhës. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Jemi të detyruar. Ndërkohë, duhet të rregullojmë një rrëmujë që nuk ia kam idenë përse e ka bërë, - nuk isha në gjendjen më të mirë të mundshme, dhe herë-herë bota më rrotullohej nëpër sy. Probleme të tilla i kisha pasur që kohë më parë, por sa vjen e shumoheshin si të donin të më paralajmëronin për të mos vazhduar.
-Rëndësi ka të qëndrojmë bashkë, - e dija që Roi ndihej sikur nuk po i kushtoja shumë rëndësi kohët e fundit, por nuk mund të bëja asgjë rreth kësaj. Jo për momentin. Por për sa kohë më njihte prej vitesh, nuk do ta kishte problem. Ngjarje të këtilla ndodhin shpesh, dhe po aq herë do i duhej të përballej me ketë.
-Kjo është e vetmja gjë që më ngushëllon për momentin, - ktheva kokën për t'i buzëqeshur dhe dallova qartë se ishte duke pritur për këtë që në fillim.
-E di? Ndonjëherë mendoj se e gjitha kjo do të na çojë diku ku mund të gjejmë të vërtetën mbi jetët tona. Po sikur të jetë diçka e mirë? - e shija tek shpresonte që gjithçka të bëhej më mirë.
-Është mendimi që po më mban gjallë kureshtjen të vazhdoj Ro. Nëse nuk do të ishte diçka e mirë, përse do ta ndiqnim? - kur mendoja pozitivisht mund të gjeja me qindra arsye pse do të më pëlqente të vazhdoja.
-Sepse nuk e dimë si vazhdon, apo jo? Dy adoleshentë të vetëm kalojnë kohë drithëruese me njëri-tjetrin, - si të donte të bënte një reklamë filmi apo libri, ngriti zërin dhe lëvizte duart në një mënyrë të çrregullt, për të treguar ambjentin. -Ky vend është vërtet i mahnitshëm, - nuk i vija faj. Edhe pse kisha jetuar gjatë fëmijërisë sime në atë vend, ende isha e fiksuar pas mureve të lartë dhe të errët, të zbukuruar kryesisht nga piktura dhe rafte me libra. Atij i pëlqente të lexonte, prandaj edhe mua.
-Vërtet më bën të mendoj se jemi duke jetuar në një histori libri, - qesha me faktin se si mund të ishte aq i qetë për të menduar të tilla gjëra. Ishte i mahnitshëm në to.
-E pse jo? - ndjeva duart e tij të më përshkronin belin e fshehur poshtë buzës së gjerë. Përqafimet e tij më jepnin shpresë se për sa kohë do të qëndronim të dy, gjithçka do të shkonte mirë.
-Koha të fokusohemi në atë që ka rëndësi, a nuk mendon kështu? - nuk do të doja të shkëputesha kurrë prej krahëve të tij, por ideja se kisha shumë për të bërë më tërhiqte pas vetes.
-E drejtë, - u largua për të arritur një nga kutitë e mbyllura, në të cilat supozohej të ndodheshin sendet e tim eti.
Disa nga ato ishin të panevojshme. Kryesisht dokumente vetjake të tij, apo projekte që i kishte nisur, por fatkeqësisht nuk arriti kurrë t'i përfundonte, skica, e shumë fletë të cilat më shumë po na lodhnin dhe po na ngatërronin në atë që po mundoheshim të bënim.
YOU ARE READING
Kaos: Teoria e Fundit
FantasyTë gjithë e kanë frikë vdekjen. Shpesh e përshkruar si e egër dhe e errët. Të paktën kështu mendojnë njerëzit. Por a është në të vërtetë e tillë? Doktor Valdmar Andris, gjatë një eksperimenti shkencor mbi një trup të vdekur në Lituani, zbulon diçka...