♡2♡

542 70 205
                                    

U ngrit më këmbë dhe vështroi nga dritaret e mëdha pa i lëvizur perdet. Nëse kishte diçka të përbashkët me Anaherën, ishte ajo buzëqeshja dinake që rrinte gjithmonë në fytyrat e tyre. Por njëra nga ato dy buzëqeshje duhej të zhdukej. Cila do të mbijetonte nga të dyja?

Kur u sigurua që Barbara ishte larguar tashmë, ktheu kokën dhe ua bëri me shenjë rojeve ta çonin Anaherën në dhomën e saj. Epo, të paktën kështu mendohej.

Ajo ndoqi rojet pa thënë asgjë. Zakonisht do të fliste ose do të bënte diçka për të zemëruar ata, por dukej se ishte shumë e zënë duke vëzhguar me kujdes të gjitha detajet e vendit në të cilin shkelte. Në hapësirën e madhe të gjelbërt kishte vend mjaftueshëm për të ndërtuar edhe një ndërtesë tjetër. Në të majtë të statujës misterioze, pak më larg saj, ndodhej një pus që më shumë dukej sikur ishte për dekorim. Ishte shumë i vjetër dhe me siguri nuk ishte vënë në përdorim prej kohësh.

Arritën në pjesën e dytë të shkollës. Një tjetër roje i ngeci në bluzë një etiketë me numrin 173. Me sa duket ishin 172 nxënës, dhe ajo ishte e 173-ta.

Vriste mendjen pse ndërtesa ishte aq e madhe, kur numri i nxënësve nuk ishte i tillë. Me siguri duhej të kishte qenë në funksion të diçkaje tjetër, dhe më vonë ishte kthyer në shkollë, ose thjesht numri i nxënësve dikur ka qenë më i madh.

*****

-Të lutem, m'i jep. Nuk shikoj dot fare pa ato, -lutej dhe hidhej të kapte syzet, sepse gjatësia e tij nuk ishte e mjaftueshme për të arritur lartësinë në të cilën kundërshtari i tij mbante dorën. Zënkën e tyre do ta ndërpriste hapja e derës. Të gjithë kthyen kokën me kureshtje. Dera nuk hapej kurrë para orarit të daljes në oborr.

Pas derës qëndronin dy roje, dhe në mes të tyre, një vajzë e shkurtër, e dobët, dhe e veshur si djalë. Në kokë mbante një kapuç në ngjyrë jeshile, dhe veshur kishte një xhaketë në masë më të madhe se e saja, aq sa mëngët i mbulonin duart. Flokët në kafe të lehtë i kishte lënë çregullt e i binin nga sytë, por nuk e shqetësonin. Sytë i kishte të mëdhenj dhe me formë të rrumbullakët, në ngjyrë gështenjë. Fytyrën ja zbukuronin disa quka të lezetshme, që i kishte pasur që e vogël.

-Një vajzë! -u dëgjua të thoshte njëri prej tyre, frazë kjo që shpejt nisi të përhapej në të gjithë dhomën.

Çfarë e çuditi atë, ishte se dhoma ishte aq e madhe, sa të gjithë nxënësit ndodheshin aty. Në të majtë dhe në të djathtë ishin të vendosur rresht qindra shtretër, si të ishte batalion ushtrie.

Ktheu kokën nga rojet dhe e hutuar tha:
-Ju thatë se do të kem dhomën personale. Çfarë po ndodh?

Ata heshtën, mbyllën derën dhe u larguan, gjë që e habiti tej mase atë.

-Kështu kemi menduar të gjithë në fillim, -ajo ktheu kokën dhe pa një djalosh pak më të shkurtër se vetja, me flokë kaçurrela kafe dhe syze. -Por e vërteta është se menjëherë pas regjistrimit këtu, ata të sjellin në këtë vend ku do të kalosh të gjithë kohën, me njerëz problematikë që nuk ta duan të mirën, -vazhdoi ai. Kishte një zë të çjerrë por të lezetshëm. -Si quhesh ti?

-Djaloshi trashaluq po rri me vajza, -u dëgjua t'i thoshte duke qeshur një djalë pas tij. Ishte ai që i kishte marrë syzet pak më parë.

-Anahera Rei, -u përgjigj ajo, -dhe ti?

-Samuel, po mund të më thërrasësh Sem. Nuk më pëlqen emri që kam.

-Pse ndodhesh këtu? Nuk më dukesh fare lloji i njeriut që mund të futesh në telashe.

-Nuk jam, -i tha ai. Por prindërit e mi nuk interesohen për mua. Dikush u tregoi atyre për këtë shkollë, dhe duke ditur se ata nuk do të paguanin fare, më hoqën qafe duke më regjistruar këtu. Jam munduar shumë herë të arratisem, por është e pamundur. Nuk ndihem fare mirë këtu. Ushqimi është i keq, natën ka lagështirë dhe të dënojnë shumë keq edhe për gabimin më të vogël.

Ajo qeshi me keqardhje.

-Nuk je për këtu, -kjo e preku atë. Vërtet ishte shumë i paaftë, por duhet të ruante krenarinë e tij prej djali.

-Epo as ti nuk je, -i ngriti zërin si të protestonte kundër asaj që ajo i tha. -Je vajzë, nuk do të rezistosh dot, -donte që ta bënte të ndihej keq, kështu do të ishin barazim. Ajo sërish qeshi.

-Do t'ia kalojmë mirë, -i tha dhe nisi të ecte më në brendësi të dhomës. Ai e ndoqi mbrapa.

-E vështirë nëse ndodhesh këtu. Po të paralajmëroj se është ferr.

-Djajtë në ferr e kanë vendin apo jo? -ai nuk dinte ç'përgjigje t'i kthente. Çuditej se si asaj nuk i bënin përshtypje fjalët e tij. -Sa kohë ke këtu? -i tha.

-Për pak bëj një vit. Por çdo ditë më duket shumë herë më e gjatë se aq. Nuk dua të kaloj gjithë jetën time këtu. Por nuk di se si të shpëtoj. Po ti si nuk ke frikë? Si do të jetosh këtu?

-Kush tha që do të jetoj këtu? -atij iu deshën disa sekonda në mënyrë që truri të procesonte atë që ajo sapo tha.

-Jo, jo, do të shkojë më keq nëse ke në plan të arratisesh. E kam provuar mijëra herë, -e ngriti sërish zërin. Dukej sikur këtë bënte sa herë ishte i shqetësuar. -Do të të dënojnë keq. Do t'i rrisin masat, nuk do të të lejojnë të dalësh në oraret e caktuara, dhe mund të të lënë pa ngrënë derisa t'iu përgjërohesh.

-A i njeh këta të tjerët? -i tha ajo duke injoruar plotësisht atë çfarë ai po i thoshte.

-Të gjithë i njoh, po asnjë nuk më ka qejf, dhe as unë nuk i kam.

-Është e dukshme, -tha nëpër dhëmbë, -arratisja duhet bërë në grup Sem, nëse je vetëm gjithmonë ke për të dështuar.

-Por asnjë nga ata nuk do të arratiset. Disa kanë hequr dorë nga telashet dhe thjesht presin momentin që të dalin. Disa kanë frikë, disa janë mësuar me këtë jetë, por asnjë nuk tenton të arratiset.

-Pra ti po thua se të gjithë janë të mësuar me jetën këtu?

-Të gjithë... Pothuajse... -tha nën zë.

-Pothuajse? -sytë i ndriçuan nga fjala e fundit që dëgjoi.

-Epo, është e pamundur, por nëse ka njeri që mund të të ndihmojë, janë ata të dy, -bëri me gisht dhe ajo hodhi sytë në atë drejtim.

-Ezekiel Smirnov, 16 vjeç, rus, por mund të flasë rrjedhshëm shumë gjuhë të tjera. Erdhi këtu pas një zënke në shkollën e tij të mëparshme, ku ishte armatosur me një biçak dhe plagosi kundërshtarin. Unë nuk kam guxuar t'i afrohem ndonjëherë, por thonë se është impulsiv dhe pak i çmendur. Ai mund të bëjë gjithçka nëse ka vullnetin e duhur.

-Interesant, -fytyra e saj linte të qartë se në mendje ajo po e bënte djalin rus pjesë të planit.

-Kaiden Dalton, ose siç njihet këtu, njeriu i akullt. 17 vjeç, nuk e shikon kurrë të buzëqeshur. Nuk i vë faj në fakt, kush mund të buzëqeshë këtu? I thonë njeriu i akullt se nuk flet me asnjë. Në çdo telash që futet, ruan qetësinë. I pëlqen të luajë me nervat e të tjerëve, e ka si stil jetese. Nuk i bëhet vonë për dënimet që merr, është mësuar tashmë.

-Bukur, -ishte reagimi i saj i rradhës.

-Por siç të thashë është e pamundur të bashkëpunosh me ata, kështu që edhe arratisja është e pamundur, -ajo nuk u përgjigj, vazhdonte të shikonte herë njërin e herë tjetrin.

-Anahera ti nuk po mendon vërtet të arratisesh, apo jo?

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now