♡12♡

401 57 92
                                    

Që në momentin që kishte vendosur të vepronte në atë mënyrë e dinte se në vazhdim do të haste shumë probleme, ndaj dhe i kishte marrë parasysh të gjitha. Çdo sekondë që kishte kaluar në atë vend kishte menduar me detaje gjithçka, duke marrë me mend të gjitha telashet që mund të takonte rrugës dhe të gjitha pengesat që do t'i dilnin. Ndaj dhe ishte e përgatitur.

-Po, normalisht. Desha që të merrja nga ushqimi i rojeve duke qenë se ushqimi që na japin ne është i pangrënshëm dhe isha e uritur, -u përgjigj. -Mendoja se ju tashmë e dinit këtë gjë, -kishte dëgjuar se gënjeshtarët nuk të shihnin dot në sy. Por nuk ishte e vërtetë. Gënjeshtarët e mirë e përdornin pikërisht shikimin sy më sy si armën për të fshehur dyshimet dhe për të manipuluar të tjerët. Ndërsa për Anaherën të dyja linin dyshime. Edhe shmang'ja e shikimit në sy, edhe përdorimi i tij. Kështu që ajo nuk fokusohej fare në veprimet që bënin sytë e saj. Arma e saj më e fortë ishin fjalët.

-Dhe ne erdhëm në drejtori pas teje? -pyeti sërish ai. Një pjesë e mendjes i thoshte se diçka nuk shkonte me atë situatë, por një pjesë tjetër i thoshte se gjithçka që kishte ndodhur nuk kishte të bënte me Anaherën. Por kësaj rradhe po fitonte pjesa e parë.

-Supozohet ta di unë këtë? -metoda më e mirë për t'u përgjigjur që përdorte ajo ishte drejtimi i një pyetjeje tjetër. -Pasi më nxorrën nga drejtoria, drejtori u tha rojeve të më mbanin në një moment jashtë zyrës, por pa më sjellë këtu. Më pas edhe ai doli dhe nuk e di ku shkoi. Disa minuta më vonë unë u ktheva këtu dhe ju nuk ishit.

-Po Nedëllin e pe të futet? -vazhdoi pyetja e rradhës.

-Ezekiel do bëhesh i zgjuar të lutem? -ajo ngriti zërin si të ishte e bezdisur nga këto pyetje. Por gjithçka ishte e planifikuar. Çdo reagim dhe çdo përgjigje. -E pe ti Nedëllin të hynte? Mua më pe? Pe njeri tjetër? A i lejon drejtori nxënësit ta marrin vesh kush hyn dhe kush del nga drejtoria?

-Ke të drejtë, -ai mbylli bisedën dhe ajo u ndie e lehtësuar. Kaideni nuk ia kishte hequr sytë ende. E shihte sikur çdo veprim apo mimikë e saj t'i jepte një provë që të vërtetonte që ajo kishte gisht diku.

-Po kapeni me gjëra të kota, -vazhdoi ajo. -E kuptuat thelbin e asaj që sapo ju thashë?

-Nuk jemi të trashë, -foli Kaideni dhe u ngrit nga vendi ku ishte ulur. -Koha të veprojmë!

U afrua në drejtim të dy rojeve që qëndronin te dera kryesore. Dukej sikur kishin një shprehi të gdhendur në fytyrë, që s'kishte ndryshuar prej vitesh. E urrenin Kaidenin, ai ishte gjithmonë i gatshëm për të bashkëbiseduar me ta. Fatkeqësisht, ky lloj bashkëbisedimi nuk pëlqehej gjithmonë nga të dyja palët.

-Syze të bukura! -iu drejtua rojës në të djathtë që nuk kishte syze.

-Shko në vendin tënd djalosh, nuk kam nerva të merrem me ty, -pavarësisht se muskujt e fytyrës i lëviznin kur fliste, shprehia mbetej po e njëjtë. Vetullat i mbante të ngrysura dhe dukej sikur në sy i vargullonin grumbuj mjegulle e re të zeza.

-Nuk ke? Sa do të të pyesja nëse ke, në fakt, -nuk mori përgjigje, por ishte vetëm fillimi. -Nuk ndiheni xhelozë ndonjëherë?

-Xhelozë për çfarë? -dukej se rojës tjetër që ndodhej në të majtë po i pëlqente biseda.

-Për rojet e tjera. Dua të them, ajo çfarë bëni ju është thjesht të qëndroni më këmbë nga mëngjesi deri në darkë në këtë derë, t'i bini këmbanës sipas orarit dhe të dëgjoni zhurmat e 173 fëmijëve të paedukuar. Ndërkohë që të tjerë roje ruajnë zonat në natyrë, në një qetësi të plotë dhe ajër të pastër; të tjerë kanë si detyrë të ruajnë vendin ku marrim dënimet, dua të them, të paktën atje ka pak aksion.

-Shko në vendin tënd ose do i kesh keq punët pesëdhjetë e teta, -roja në të djathtë duhet të ishte ngritur keq. Kishte një humor të dërrmuar, por Kaidenit kjo i duhej.

-Sa keq për shembull? Meqë mu kujtua, a paguheni njësoj ju? Sepse nëse paguheni njësoj, është dëm i madh. Disa roje as që ruajnë gjithë ditën. Ndërsa ju këtu, -bëri një mimikë si të ndiente keqardhje, -ju këtu, jeni shumë të nënvlerësuar. Për të ardhur keq, vërtet për të ardhur keq.

Nuk mori përgjigje nga asnjë. Por qeshi dhe vazhdoi.

-Nëse do të më jepej mundësia të zgjidhja midis të qenit nxënës këtu, dhe të qenit roje, do të zgjidhja nxënësin. Sepse, e di si dukeni? Sikur të mos keni asnjë lloj qëllimi në jetë. Më konkretisht, sikur jetoni kot, -sado t'i injoronin fjalët e tij, nuk i kundërshtonin dot. Në një mënyrë a në një tjetër ai gjithnjë ia dilte mbanë të fitonte vëmendjen e tyre.

-Paralajmërimi i fundit! -ngriti zërin aq sa nxënësit që ishin më afër e dëgjuan.

-Shikoje kur ta dënojnë, -pëshpëriti njëri nga ata. Raste të tilla për nxënësit atje ishin argëtim. Dikush shkaktonte një problem dhe dënohej. Nuk ishte asgjë e re.

-Eh, nuk ju shkon rreptësia juve. Ndoshta atyre te dënimet po, po ju thjesht duhet të na ruani dhe të shikoni herë pas here orën për t'i rënë këmbanës. Nuk pres ndonjë gjë kushedi nga ju. Madje, gjatë gjithë eksperiencës sime këtu si specialist në diskutimet me rojet e kësaj shkolle, me ju gjithmonë e kam patur më të lehtë. Ngaqë në fund të diskutimit, s'ka pasoja. S'ka as dënim për mua dhe as ndonjë pasojë tjetër. Faleminderit djema! Më pëlqeni ju. Më lejoni të tallem me ju gjatë gjithë kohës. Ju jam shumë mirënjohës. Keni një vend shumë të veçantë në zemrën time.

Dhe ai ishte paralajmërimi i fundit. Me një fytyrë që po shpërthente nga inati dy rojet kapën krahët e tij si të ishin duke e arrestuar për një krim që kishte bërë. Ai nuk rezistoi, përkundrazi, vendosi duart mbrapa dhe buzëqeshi. E dinte që do të ishte e thjeshtë të arrinte atë që donte. Fundja, ishte ai. Nuk kishte asgjë që e kishte provuar dhe nuk ia kishte dalë mbanë. Dhe kjo s'do të ishte hera e parë.

-Oh, po çfarë po bëni tani? Do të imitoni shokët tuaj? Ose më saktë, rivalët? -edhe pse kishte arritur atë që donte duhet të vazhdonte lojën e tij. Kështu do të ishte i sigurt që nuk do kishte kthim pas.

-Të paralajmëruam djalosh, por mesa duket të ka marrë malli të dënohesh. Jeni mësuar me dënime ju këtu, e keni bërë si dozë që duhet ta merrni shpesh tashmë, -foli roja i krahut të djathtë. Roja tjetër ishte i qetë. Ndoshta ai dëshironte ta vazhdonte bisedën nëse do t'i jepej mundësia.

-Si e gjete? -fliste me ironi të theksuar në çdo fjalë të tij. -Dua të them, keni të drejtë deri diku. Ne kemi nevojë të dënohemi herë pas here. Por një arsye tjetër është edhe që të mos zërë pluhur gjithë ajo ndërtesë në anën tjetër të shkollës. Duhet vizituar herë pas here, apo jo? Duhet biseduar edhe me rojet e tjera, jo vetëm me ju.

Nuk mori përgjigje. Dera u hap dhe të gjithë kthyen kokën për të parë se ç'po bëhej.

-Të thashë që do të dënohet, -tha sërish ai që foli në fillim. Por ai nuk do të dënohej. Do të plotësonte detyrën e tij. Shpresonte që ky të ishte dënimi i fundit që merrte.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now