Kërkoi me sy nëpër gjithë hapësirën e gjelbër, por nuk e pa asgjëkundi. Nuk e kuptonte pse, por ishte shumë e shqetësuar për të. Ndonjëherë i dukej sikur ishte faji i saj që ai nuk ishte më me ta, ndërsa herë të tjera mallkonte Kaidenin për atë që bëri.
Më në fund syri i zuri flokët kafe të kacurrelta, syzet me skelet të trashë të zi, dhe fytyrën e imët në ngjyrë të zbehtë sikur të ishte i sëmurë.
-Sem! -i foli që nga një largësi e konsiderueshme, dhe ai nisi të ecte në drejtim të kundërt menjëherë sapo e vuri re që ajo po e ndiqte.
-Sem më prit! Duhet të flasim! Është shumë e rëndësishme! -Anahera filloi të vraponte për ta arritur.
-Largohu Anahera, -ai shpejtoi hapin me qëllimin që ajo të mos e arrinte. Por pa e kuptuar sytë iu përplasën me pamjen e mureve të pjesës së pestë. Ishte larguar mjaftueshëm nga vendqëndrimi.
-Më në fund të arrita, -ai ktheu kokën dhe e pa Anaherën teksa sforcohej për të rregulluar frymëmarrjen.
-Çfarë do tani? A nuk ta bëra të qartë që s'ka mbetur asgjë për të folur? -i tha ai duke u munduar të dukej sa më i irrituar.
-Ndoshta ti s'ke më gjë për të thënë, por unë kam shumë, Sem!
-Nuk dua të të dëgjoj! -ai ngriti zërin dhe u kthye mbrapa për t'u larguar, por u ndesh sërish me murin e ndërtesës.
-Duhet të më dëgjosh Sem, -i tha ajo sërish.
Ai psherëtiu.
-Do të jetë e kotë, -i tha, -do humbasësh kohën kot.-Është koha ime dhe e shpenzoj si të dua, -mori disa herë frymë thellë sepse ishte ende duke gulçuar. -Asnjë nuk del nga këtu Sem.
-Ku e di ti? Nëse po mundohesh sërish të më bësh të vij me ju, mos u mundo kot. Nuk dua Anahera.
-Mos më ndërprit! Ti e di shumë mirë që e urrej të më ndërpresin! -ia tha këto me inat, por më pas uli zërin dhe zbuti tonin. -Bëj si të duash Sem. Askush nuk do të të detyrojë të vish me ne. Por vetëm më dëgjo, -ai nuk foli. -Nëse do të dilnin nxënësit që këtu, të paktën njëri prej tyre do ta kishte denoncuar shkollën. Ose do t'ia kishte treguar dikujt që Clarkenwelli nuk është siç tregohet nëpër fletëpalosje. Unë do ta kisha bërë. Edhe ti do ta kishe bërë.
-Do ta kisha bërë, -pohoi ai.
-Pikërisht, si ka mundësi që askush nuk e ka bërë më parë këtë gjë? Kjo sepse askush nuk del që këtu! Je në rrezik, kuptoje dreqin. E gjitha që po mundohem të bëj, është të të ndihmoj. Mos u trego kaq kokëfortë.
-Ti ia del dot pa mua Anahera!
-Nuk ia dal dot! -thirri ajo me inat. -E pranoj që çdo gjë që kemi bërë deri tani ka qenë pjesë e planeve të mia, por ti më ndihmove t'i vë në zbatim. Po, plani im ishte që Ezekieli dhe Kaideni të dënoheshin rëndë, kështu që do të pranonin idenë time të arratisjes. Dhe po, unë isha ajo që i vodhi biçakun Ezekielit. Po pa ty që shkaktove zënkën midis tyre nuk do ia kisha dalë mbanë. Madje që në fillim ishe ti ai që më bëri të arrij deri këtu. Ishe ti që më tregove për Kaidenin dhe Ezekielin, ishe ti që më ndihmove të njoh më mirë ambientin këtu, duke më treguar vendndodhjen e kamerave, rojeve dhe llojet e dënimeve. Megjithatë, më e rëndësishmja nuk është kjo. Sepse nuk po t'i them të gjitha këto që të të mbush mendjen të vish me mua. Po e bëj të gjithë këtë për ty Sem. Jam e shqetësuar se çfarë mund të të ndodhë. Jam e shqetësuar për rrezikun që të pret.
-Pse duhet të të besoj unë ty? -Anahera tundi kokën në mosbesim.
-Si mund të ma bësh këtë pyetje? Vërtet hodhe poshtë gjithçka dhe zgjodhe të besosh fjalët e Kaidenit? Pse të më besosh mua? Ndoshta sepse jam e vetmja që nuk të kam përbuzur. Ndoshta sepse jam e vetmja që kam qenë shoqe me ty. Ndoshta sepse jam e vetmja që nuk jam sjellë kurrë keq me ty. Ndoshta sepse jam e vetmja që të kam ndihmuar deri tani! -tashmë ajo ishte tepër e acaruar.
-Ose ndoshta jam unë i vetmi që të kam ndihmuar deri tani! -kundërshtoi ai. -Po has vështirësi me Kaidenin dhe Ezekielin dhe po mundohesh të më mashtrosh përsëri! Që të jem përsëri në anën tënde dhe të më përdorësh si të duash ti. Por jo, Anahera! Nuk dua të kthehem sërish me ty. Më lër të qetë dhe të lutem ndalo së u shtiruri sikur të intereson shumë për mua. Nuk dua të flas më me ty, kuptove? Madje nuk dua as të të shikoj fytyrën. Kështu që, kur të më shohësh, të lutem ndërro rrugë, dhe unë do të bëj të njëjtën gjë. Dhe të lutem, bëj sikur s'më njeh. Sepse unë do të bëj të njëjtën gjë. Do të doja të mos të të kisha njohur kurrë!!!
'Do të doja të mos të të kisha njohur kurrë...' A ishte ajo aq e keqe sa t'i meritonte ato fjalë?
-Do të jetë vonë kur të pendohesh, -ishin fjalët e saj të fundit. Vrapoi larg tij më e inatosur se më parë. Më shumë se me Semin, inatin e kishte me veten. Nuk duhet ta kishte ulur kurrë veten, as për të mbrojtur dikë. Sepse kështu ajo nuk ishte vetvetja. Nuk ishte Anahera që mendonte vetëm për veten dhe Anahera me krenari të lartë. Kësaj rradhe e kishte ulur shumë poshtë krenarinë e saj, dhe u ndie e shtypur me këmbë. Por s'do ta bënte më. Sepse ajo ia dinte vlerën vetes, dhe kishte veten prioritet.
-Më fal, Anahera, por nuk kisha asnjë zgjidhje tjetër, -tha me vete teksa e shihte duke u larguar. -Dua t'jua vërtetoj se edhe unë vlej për diçka. Nuk më intereson sa e rrezikshme është. Është e vetmja mënyrë se si mund të mësoj të vërtetën e kësaj shkolle. Dhe do ta bëj. Vetëm kështu mund të të falënderoj siç duhet për ato që ke bërë për mua. Unë ta di vlerën Anahera, por duhet të shtirem sepse ndryshe nuk të rri dot larg. Vetëm prit.
Ktheu kokën dhe e ngriti lart. Picërroi sytë sepse drita e Diellit nuk e linte të shihte qartë. Fundi i lartësisë së ndërtesës dukej shumë larg krahasuar me gjatësinë e tij. Vuri re arkitekturën e vjetër që e bënte ndonjëherë të dukej sikur ndërtesa do të shembej nga çasti në çast. Kujtoi se nuk i ishte afruar kurrë aq afër pjesës së pestë. Nuk e kuptoi pse, ndoshta sepse nuk ishte ndier kurrë kureshtar mjaftueshëm, por kësaj rradhe kureshtja po e hante përbrenda.
Vuri re një tullë pak më të dalë se të tjerat, dhe u mundua të vendoste këmbën atje që të mund të shihte nga dritarja. Arriti të ngjitej me vështirësi, ishte gati në t'u rrëzuar kur sytë u bënë dëshmitar të pamjes që pa atje brenda.
-Oh jo... Duhet të flas me Anaherën! Mbajti duart në bar për të mos u dëmtuar kur ra. Vrapoi si i çmendur për ta arritur. Shpresonte të mos ishte vërtet vonë.
![](https://img.wattpad.com/cover/274277187-288-k302117.jpg)
YOU ARE READING
Anahera: E fshehta e Clarkenwellit
AdventurePËRFUNDUAR Në shkollën më famëkeqe të Londrës, në shkollën e riedukimit "Clarkenwell", për herë të parë regjistrohet një vajzë. Kushtet atje do ta bëjnë të pamundur qëndrimin e saj, kështu që ajo vendos të arratiset. Mirëpo pengesat që do të hasë gj...