♡28♡

323 54 52
                                    

Të dy kishin shtangur. Mos vallë ishte dhe kjo lojë e saj? Mos ndoshta edhe kësaj here ajo po mundohej t'i manipulonte që të përfitonte sërish nga ta? Apo ndoshta kësaj rradhe po thoshte të vërtetën?

-Çfarë po bluan mendja jote kësaj rradhe? -më shumë donte të besonte se ajo nuk po thoshte të vërtetën, vetëm po gënjente siç bënte gjithmonë.

-Asgjë Ezekiel, por nuk është kjo pyetja që duhet të bësh. Duhet ta vrasësh më shumë mendjen për atë çfarë donte të më thoshte Semi dje, çfarë pa atë ditë në pjesën e pestë, -i bëri me shenjë që të vazhdonte dhe ai tundi kokën për ta miratuar.

-Kur Anahera u largua, ndodhesha shumë afër me pjesën e pestë, dhe u bëra shumë kureshtar për ta parë çfarë ndodhej atje. Ne e dimë që është vend i ndaluar dhe të frikësuar nga dënimet që mund të merrnim, nuk kemi guxuar kurrë t'i afrohemi. Një dritare ndodhej shumë afër me tokën, mjaftonte thjesht të ngjitesha në një tullë pak të dalë dhe...

-Dhe çfarë? -tha Kaideni me padurim.

-Dhe pashë se... se... -duart po i dridheshin dhe nisi të kërciste gishtat.

-Çfarë pe? -Kaideni ngriti zërin i acaruar. Semi gjithmonë ia sillte në majë të hundës.

-Pashë disa krevate të bardhë, mjete kirurgjike, njerëz që vinin vërdallë me maska dhe uniforma të bardha dhe blu, dhe... dhe... Disa aparate të ndezur. Dhe... Nedëllin të shtrirë atje. Isha dëshmitar i momentit kur i hoqën një organ nga trupi. Nuk jam i sigurt çfarë ishte, sepse rashë menjëherë pasi e pashë. Ishte pamja më e tmerrshme që kam parë ndonjëherë, -mbylli sytë si të donte të harronte gjithçka që kishte parë. Por ajo pamje i shfaqej gjithmonë para syve. Dhe frika se ndoshta edhe ai do të përfundonte ashtu e bënte të dridhej e të djersinte.

Asnjë nga ata të dy s'po fliste. Shumë më të shokuar se më parë, nuk arrinin ta besonin se kjo do të ishte e vërtetë. Ajo shkollë ishte vërtet misterioze, vërtet kishte kushte të këqija dhe i përngjante ferrit, por nuk mund të arrinte deri aty. Duhet të ishte e pamundur.

-Me siguri gënjen, -ishte e qartë që tashmë Ezekieli e kishte humbur gjithë besimin në ata të dy.

-Seriozisht? Shikoje si dridhet, -Anahera bëri me dorë nga Semi. -Tashmë gjithçka merr kuptim. Pjesa e pestë e shkollës që kurrë nuk duhej zbuluar nga nxënësit, i ashtuquajturi "arsim" pa asnjë lloj pagese të kërkuar, rregulli për të mos kontaktuar me asnjë nga pjesëtarët e familjes, njerëzit që Helen përmendi se vijnë çdo ditë këtu, si dhe përzgjedhja pa ndonjë kriter të veçantë e nxënësve që supozohet të dalin. Nxënësit kurrë nuk dalin që këtu. Ata thjesht hyjnë në operacione ku u heqin dhe shesin organet!! Prandaj nuk morën kurrë para nga prindërit tanë. Sepse morën diçka shumë më të shtrenjtë se aq! -ishte diçka drithëruese. Diçka që askush nuk e priste. Do të thoshte se asnjë nxënës që hynte atje, nuk dilte i gjallë. Një ngjarje që u përngjante filmave horror që kishin parë kur ishin fëmijë; megjithatë nuk e kishin menduar kurrë se realiteti do t'i përballte me diçka të tillë.

-Por, çfarë bëhet me trupat e tyre? Po familjet e tyre, a nuk duan të vijnë t'i marrin një ditë? Është e pamundur, -Ezekieli ishte ende i çoroditur. Ende nuk e dinte nëse duhet t'i besonte asaj çmendurie apo jo.

-Duhet të ketë diçka që shkolla përdor kundër tyre, jam e sigurt. Këtu fshihet shumë gjëra të tjera. Kush e di se sa ngjarje kanë dëshmuar këta mure. Ajo që dimë me siguri, është se sa më shumë të rrimë këtu, aq më e rrezikshme është. Semit i kanë mbetur shumë pak ditë derisa të përfundojë njësoj si gjithë të tjerët para tij. Dhe me ne do të ndodhë e njëjta gjë së shpejti nëse qëndrojmë këtu.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now