-Ishin bosh? Çfarë do të thuash? -pa sesi drejtori buzëqeshi dinakërisht.
-Është e pamundur të jetë plan i tij, -tha Kaideni i çuditur, -ai nuk dinte asgjë. E vetmja që e dinte për planin tonë ishte Helena, dhe është e pamundur që ajo të na ketë spiunuar.
-Ju thashë që po gënjenin, Clarkenwelli është shkollë e rreptë, por vetëm kaq. Sepse rregullat janë rregulla. Dhe nuk mund të lejoj që imazhi i shkollës të prishet në këtë mënyrë. Do t'iu hedh në gjyq, -dukej sikur tani e kishte fituar gjithë vetëbesimin e mëparshëm. -Madje çuditem se si gjithë ligji i Londrës vjen këtu dhe zgjedh të besojë katër nxënës kryeneçë në vend të një shkolle të rregullt dhe me një reputacion të mbajtur prej vitesh. Ç'janë këto akuza? Kush guxon njëherë të arrijë deri këtu? A e dini ju që flisni kundër shkollës se kjo gjë dënohet me ligj? -menjëherë pas fjalëve të tij ra qetësia. Anahera, Kaideni dhe Ezekieli nuk dinin ç'të thoshin. E dinin se kishin të drejtë; në kalimin e nëndheshëm ndodheshin të gjitha dokumentet.
-A i kontrolluat ju të gjitha dosjet kur hytë në atë dhomë? -pyeti oficeri.
Ata panë njëri-tjetrin të shtangur. Nuk e kishin bërë, pasi kishin menduar se të gjitha dosjet do të ishin njësoj si ajo e Anaherës. Tashmë as vetë nuk e dinin nëse kishin të drejtë për faktin se dokumentet ndodheshin atje apo jo.
-Hë pra, flisni, a i kontrolluat apo jo? -e përsëriti ai pyetjen e tij. Asnjë nga të tre nuk po fliste. E urrenin se sa shpejt ngjarja po kthehej kundër tyre.
-Jo, -Anahera uli kokën dhe mori guximin të fliste. Drejtori qeshi si ta shpallte veten fitimtar.
-Jua thashë pra, -tha sërish, por kësaj rradhe duke e ulur tonin e zërit e duke folur më qetë. -Gjithçka që ata janë duke folur është fantazi, asgjë tjetër veçse pjesë e imagjinatës së tyre. Nuk është faji dhe përgjegjësia e shkollës që disa fëmijë nuk duan të arsimohen dhe janë kryeneçë.
-Atëherë çfarë janë ata njerëz që vijnë çdo mëngjes këtu? -Helen mori guximin të fliste. Nuk mund të duronte t'i shihte në atë gjendje ata të katërt. Ajo e dinte të vërtetën po aq sa ta, dhe nuk mund të rrinte e të dëgjonte se si çdo e vërtetë po merrej si gënjeshtër.
-Mësuesit, -nuk mund ta besonin. Çfarë ishte duke thënë ai tani? Si mund të guxonte të gënjente në atë mënyrë, duke e ditur se në çfarë rreziku ndodhej? Çfarë lloj besimi mund të kishte që tha ato fjalë në atë moment?
-Kjo është absurde! Nuk është aspak e vërtetë! -thirri Anahera në protestë të asaj çfarë po ndodhte.
-E vetmja gjë absurde këtu jeni ju! -ia ktheu ai me të njëjtin ton. -Kam qenë drejtor i kësaj shkolle që në fillimet e saj, por kurrë s'kam hasur nxënës të tillë. Qenkeni kaq të pabesueshëm. Po filloj të kem frikë nga imagjinata juaj. Kushedi se çfarë gënjeshtre do të sajoni tani. Prit të mendohem, -bëri një fytyrë ironike sikur të ishte duke u menduar, -do të thoni që nuk bëjmë mësim? Apo do të thoni që këtu nuk vjen asnjë mësues? Sepse vetëm kjo gjë ka mbetur pa shpifur. Jepi, pra, zonjusha Rei, thuaje edhe këtë, -në të vërtetë, vetëm ajo e vërtetë kishte mbetur pa u thënë, por ai po bënte një lojë aq të mirë fjalësh, saqë ajo nuk po kundërshtonte dot asnjë fjalë të tij.
-A keni ndonjë provë për të gjitha akuzat që bëtë më lart mbi shkollën, zonjushë? -pyeti oficeri.
-Më ndihmoni! -u dëgjua një zë. Të gjithë ranë në qetësi për ta dëgjuar më qartë.
-Më ndihmoni! -u përsërit thirrja për ndihmë. Ishte një zë shumë i njohur. Shumë i afërt.
Anahera ndoqi jehonën e zërit derisa arriti te pusi.
-Jam këtu poshtë! -u dëgjua.
Anahera uli kokën poshtë për të kontrolluar nëse zëri vinte nga pusi i vjetër.
-Sem! -ishte e gëzuar por e frikësuar njëkohësisht. Ai qëndronte atje i mbajtur fort pas litarit. Ishte përpjekur të ngjitej, por kishte ngecur atje. Kaideni dhe Ezekieli e ndihmuan të ngjitej e të dilte nga pusi. Njëra dorë i ishte skuqur nga litari, ndërsa dorën tjetër e kishte të mbushur me fletë.
-Janë dokumentet, -tha dhe ua zgjati policëve. -Ndodhesha në izolim për shkak se sot ishte data kur unë supozohet të dilja, por në të vërtetë kushedi se për çfarë organi timin do të më vrisnin, -u drodh njëherë kur e pikturoi në mendjen e tij. -Hyra në kalimin e nëndheshëm dhe mendova të dal nga pusi që t'iu shpëtoj atyre. Por diçka më tha të merrja edhe dokumentet, sepse, kush e dinte ç'ndodhte dhe duhet të ishin të sigurta.
-Je më i miri Sem! -i tha Anahera dhe e përqafoi.
Vunë re policët që ishin dërguar për të kontrolluar pjesën e pestë të ktheheshin. Bashkë me ta, disa persona ishin të arrestuar. Ishin mjekët që kryenin operacionet.
-Gjithçka që tha vajza është e vërtetë. Ndërtesa atje është e gjitha e përbërë nga salla operimi, -pas kësaj fjalie u dëgjua e qara ngashëryese e një nëne.
-Jeni i arrestuar, -oficeri prangosi drejtorin ndërkohë që ai ishte i shokuar. Nuk mund ta besonte çfarë ndodhi. Nuk i besonte dot syve. Gjithë jeta e tij ishte rrënuar në atë moment.
-A mund t'i takojmë fëmijët? -ai zë i shkriu zemrën. Kishte aq shumë pa e dëgjuar dhe e kishte marrë aq shumë malli. Nuk i besohej që ai kishte ardhur atje. Jo vetëm nëna, por edhe babai i saj ndodhej aty.
-Patjetër! -kjo fjalë trazoi turmën duke përzier nxënësit dhe prindërit. Mori përqafimesh e lotësh shpërthyen. Ishte një moment sa i trishtë, aq edhe i lumtur. Gjithçka kishte përfunduar. Clarkenwelli kishte rënë. Të gjithë ishin bashkuar me familjet e tyre.
-Babi, mami! -Anahera vrapoi e lumtur drejt tyre. I përqafoi me lotë në sy dhe ata nuk iu shkëputën. E kishte marrë aq shumë malli. Për të dy ata.
-Më fal Anahera, nuk e bëra detyrën time si prind siç duhej. E di që është e kotë, por të kërkoj njëmijë herë të falur, -i tha e ëma ndër lotë.
-Mos fol kështu mami, ti doje vetëm të mirën time, -tha dhe s'mundi t'i ndalonte lotët që iu rrokullisën faqeve.
-Anahera, -e ndërpreu i ati, -unë dhe mami kemi diçka për të të thënë.
-Çfarë? -ajo u shkëput nga përqafimi dhe ngriti sytë për t'i parë të dy. Ata hezituan një moment dhe panë njëri-tjetrin.
-Hë, pra, çfarë? -përsëriti ajo pyetjen e saj me padurim.
-Ne do ta provojmë sërish bashkë, Anahera. Kemi qenë duke folur këtë kohë që ti ishe këtu dhe menduam se do t'ia vlente po ta provonim sërish. Fundja, çfarë do të humbnim?
-Prit, -Anahera tha si për të shfrytëzuar disa sekonda për të gëlltitur lajmin e mirë që mori, -ju... Ju do të jeni bashkë? Dhe ne do të jemi sërish një familje? E dija! E dija! -nisi të bërtiste e lumtur dhe i përqafoi edhe më fort se më parë. Kjo ishte gjëja që e kishte bërë atë më të lumtur atë ditë.
YOU ARE READING
Anahera: E fshehta e Clarkenwellit
AdventurePËRFUNDUAR Në shkollën më famëkeqe të Londrës, në shkollën e riedukimit "Clarkenwell", për herë të parë regjistrohet një vajzë. Kushtet atje do ta bëjnë të pamundur qëndrimin e saj, kështu që ajo vendos të arratiset. Mirëpo pengesat që do të hasë gj...