Thonë se jeta të përplas shpesh me të papritura, por a ishin ata të përgatitur për çdo lloj të papriture? Tetë ditë. Tetë ditë kohë për të vepruar. Shumë gjëra për të bërë, shumë pengesa gjatë rrugës dhe asnjë ndihmë. A e kishte Anahera përsëri një plan B?
-Nuk dua të dal që këtu. Dua, po jo në këtë mënyrë, -tashmë Semi kishte thyer heshtjen e disa sekondave rresht që të tre po mbanin pak më parë.
-Nuk do të dalësh Sem, mos e bëj të madhe, -i tha Anahera pasi vuri re se ai po fliste me zë më të lartë seç duhej. Si gjithmonë, këtë e bënte kur ishte i shqetësuar ose i frikësuar. Në këtë rast, të dyja bashkë.
-Pse të mos dalë?
Të tre kthyen kokën. Kaideni sapo ishte bashkuar sërish me ta.
-Kaiden! Duhet të na tregosh gjithçka, -i tha Ezekieli, me shpresën se ai do të kishte mësuar diçka.
-Në rradhë të parë dua të them se dëgjova që do të dalësh djali hutaq, -iu drejtua Semit dhe ai ngriti kokën për ta parë në sy, -dua të them se më erdhi vërtet mirë kur e mësova këtë. Por ajo çfarë nuk po kuptoj është se përse nuk do që të dalësh. A nuk ishte ky qëllimi yt që në fillim? -nuk i tha për bisedën midis rojeve ku dëgjoi se as ata nuk e dinin ku shkonin ata që dilnin. Dukej sikur nuk i interesonte për asnjë përveç vetes.
-Nuk jam i sigurt, po sikur ata të më çojnë në një vend tjetër në vend që të më nxjerrin? -nisi të kërciste gishtat për të ulur nivelin e panikut që e kishte pushtuar. Edhe vetë nuk e dinte në duhet të vazhdonte me ta apo të priste për të dalë në mënyrë të ligjshme nga shkolla.
-Por është më e rrezikshme nëse vazhdon me ne. Mos e krahaso veten me ne hutaq! Ti je i paaftë dhe i paguximshëm. Ndërsa ne të tre jemi të aftë dhe të guximshëm mjaftueshëm. Sepse ti nuk përket këtu. Gënjen veten sa herë që mendon se do t'ia dalësh. Ti nuk ke për t'ia dalë kurrë! Ashtu siç nuk ia ke dalë deri tani. Sepse ti je një dështak, ky je ti. Dhe Rei e di shumë mirë këtë, por nuk ta thotë. Dhe e di pse? Sepse nuk do që ti të largohesh nga ajo. Sepse të përdor. Të përdor si mashë që të mos digjet dora e saj. Edhe ne të përdorim. Ti nuk je si ne. Dhe asnjëherë nuk do të jesh. Prandaj e kam për të mirën tënde kur them se duhet të presësh për datën katërmbëdhjetë që të dalësh. Megjithatë, nuk dua të t'i shkatërroj ëndrrat. Ti e njeh më mirë veten, -i tha se nuk donte t'i shkatërronte ëndrrat, por tashmë kishte shkatërruar shumë më shumë.
Syzet i ishin veshur nga avulli dhe po luftonte me lotët në sytë e tij. Nuk donte të qante, por lotët nuk iu bindën. U rrokullisën faqeve duke mos e lënë të fliste. Nuk dinte ç'të thoshte. Kaideni ia kishte përplasur në fytyrë të gjitha, dhe atij s'i mbetej gjë tjetër, veçse t'i jepte të drejtë atij.
-Çfarë je duke thënë? -nëse Semi nuk do të kundërshtonte, do ta bënte Anahera. -Semi do të vijë me ne, të pëlqen ty apo jo. Është vendosur që në fillim kështu, dhe kështu do të bëhet.
-Pse do kaq shumë që ai të vijë me ne? Nuk ke mbaruar ende punë me të? Me siguri kjo është arsyeja. Ti je e zgjuar Rei. Je e zgjuar mjaftueshëm për ta kuptuar që mua dhe Ezekielin nuk na nënshtron dot. Por me hutaqin? Ti u solle si shoqja e vetme e tij sepse e dije shumë mirë që ai do të të besonte dhe do të të ndihmonte. Ishte i gjithi plan i yti. Ti e vure re që në fillim që një zemërpulë si ai do të ndihej në borxh me ty gjithë jetën për miqësinë tënde. Kështu që vendose ta mbash atë gjithnjë pranë vetes, për të të informuar rreth gjithçkaje që ti nuk dije dhe për të bërë gjithçka që ti do t'i kërkoje. Dhe tani pse po thua që nuk do që ai të largohet pa ne? Vetëm sepse ti ke akoma për të marrë nga ai. Sepse është lodra jote, dhe ty të duhet ta përdoresh edhe për ca kohë, -u kthye nga Semi i cili e mbante kokën ulur që të mos i dukeshin lotët. -E urrej ta pranoj, por ti je më i zgjuar seç dukesh. Çfarë mund ta lidhë një njeri si Rei me një njeri si ty? Edhe ti nuk do të doje të kishe pranë një person si vetja. Por ti vazhdon të gënjehesh dhe të gënjesh veten. Prandaj të gjithë të përdorin dhe të gjithë të lëndojnë, -mori frymë thellë, por kishte ende për të thënë. -Dëgjo hutaq, unë mund të jem ndoshta personi që të urren më shumë, por unë nuk kam ndërmend të të fsheh ndonjë gjë. T'i them të gjitha në sy, dhe as që më intereson se si ndihesh. Nuk më intereson që je duke qarë tani. Je kaq i dobët ta hajë dreqi! Nuk do t'ia dalësh kurrë kështu. Jeta e tillë është, por ti lëndohesh nga e vërteta. Tani, beso kë të duash. Rei ka bërë shumë për ty, ndërsa unë vetëm të kam përbuzur. Vetëm mendo, kush nga ne të ka thënë të vërtetën?
Ai ishte ende duke qarë. E urrente veten, madje edhe më shumë nga ç'e urrente Kaideni atë. Dhe ai kishte të drejtë. Ishte e pamundur që një person si Anahera të zgjidhte miqësinë e një të paafti si ai pa asnjë përfitim.
-Ndoshta do të jetë më mirë për të gjithë nëse unë nuk largohem me ta, -mendoi. -Tek e fundit, unë jam duke jetuar në një ferr. Sa më keq se kaq mund të shkojë? -ngriti kokën dhe fshiu lotët e fundit. -Unë do të pres për datën katërmbëdhjetë. Nuk do të vij me ju.
-Sem, eja në vete! -Kaideni po i prishte shumë punë, dhe me shumë siguri kështu do të vazhdonte. Por ishte një e keqe e domosdoshme. Kishte nevojë për të tre, dhe nuk mund të lejonte që asnjëri nga ata të largohej. -Ti e di si është Kaideni. Ai është egoist, dëshiron vetëm të mirën e vetes, prandaj t'i tha të gjitha këto. Ai e dinte që ti do të prekeshe dhe do të merrje këtë vendim. Ky ishte qëllimi i tij, nuk e kupton? Po vendos veten në rrezik edhe më të madh se ky në të cilin je tashmë, vetëm për t'i bërë qejfin një egoisti si ky, -tregoi me gisht Kaidenin pa i kthyer sytë që ta shihte. -Nuk ia vlen Sem. Mos merr vendime të nxituara.
-Nuk po marr asnjë vendim të nxituar Anahera. Dhe nuk dua të ma përmendësh më këtë temë, sepse jam shumë i sigurt në çdo gjë që thashë pak më parë, -ishte më i ftohtë në fjalët që thoshte. Anahera nuk e kishte parë asnjëherë ashtu. -Jam i paaftë dhe i padobishëm, por nuk dua të merrem nëpër këmbë nga askush. Mos u shqetëso për mua, do të jem mirë. Shpresoj që edhe ti të jesh, -bëri disa hapa larg tyre, më pas ktheu sërish kokën. -Faleminderit Kaiden!
YOU ARE READING
Anahera: E fshehta e Clarkenwellit
AdventurePËRFUNDUAR Në shkollën më famëkeqe të Londrës, në shkollën e riedukimit "Clarkenwell", për herë të parë regjistrohet një vajzë. Kushtet atje do ta bëjnë të pamundur qëndrimin e saj, kështu që ajo vendos të arratiset. Mirëpo pengesat që do të hasë gj...