Të tre e panë teksa u largua, por nuk thanë asnjë fjalë. Çfarë mund të thoshin më? E lodhur nga gjithçka që kishte ndodhur brenda atyre pak minutave, Anahera shkoi në krevatin e saj, duke i lënë vetëm Kaidenin dhe Ezekielin.
-Pse e bëre këtë Kaiden? A nuk e kupton se vetëm telashe po na hap kështu?
-Ti je ai që nuk e kupton që unë po i zvogëloj telashet Ezekiel, -ia ktheu ai. -Sa më pak të jemi, aq më të pakta janë mundësitë që të na kapin. Hutaqi nuk na nevojitej gjithsesi, -Ezekieli vetëm tundi kokën dhe u largua për tek Anahera.
-Si je? -ishte pyetje e pakuptimtë në atë situatë, por nuk dinte se si ta niste ndryshe bisedën.
-Mirë, -iu përgjigj thatë ajo. Në mendje bluante planin e rradhës, dikush duhet ta rregullonte gjithë atë rrëmujë të krijuar nga hiçi, dhe askush tjetër përveç saj nuk mund ta bënte.
-Mua nuk më dukesh mirë, -ajo psherëtiu e bezdisur si të përtonte t'i kthente përgjigje.
-Kush po fut hundët në punët e tjetrit tani? -ai qeshi dhe tundi kokën.
-E di, ndoshta në fillim të kam quajtur të vogël dhe jo të aftë mjaftueshëm për të drejtuar, po tani që janë ngatërruar punët kështu nuk pres asgjë nga njeri tjetër përveç teje.
-Vajza dymbëdhjetë vjeçare doli më ndryshe nga ç'e mendoje apo jo?
-Epo jeta ka surpriza, dhe ti je një ndër to mesa duket, -ajo uli kokën për të shmangur çfarëdo lloj kontakti të syve që mund të krijohej. Pse s'mund thjesht t'i linin fjalët e bukura dhe emocionet mënjanë dhe të bënin atë për çfarë ishin bashkuar?
-Pra, çfarë do të bësh tani? Cili është plani yt B? -ndryshoi ai bisedën.
Jo, kësaj rradhe Anahera nuk kishte një plan B. Kishte shumë pak kohë dhe shumë për të bërë. Gjëja e parë që duhet të bënte ishte të rikthente Semin në grup. Deri më tani ia kishte dalë me gjithçka, pavarësisht pengesave që kishte hasur rrugës. Dhe kështu duhet të vazhdonte.
-Do të kthehem, -ktheu sytë nga Semi, -bashkë me të.
E pa teksa rrinte shtrirë dhe nuk i hiqte sytë nga tavani. Kishte kohë që qëndronte në atë pozicion, duke mos u interesuar se çfarë ndodhte përreth. Urrente veten që edhe pse gjatë gjithë jetës ishte përballur me njerëz që ia kishin lënë të qartë që nuk vlente, sërish u gënjye dhe mendoi se të paktën dikush e vlerësonte.
"Sepse ti nuk je si ne. Ti je një dështak. Ky je ti." Thonë se e vërteta është relative. Për dikë, diçka është e vërtetë, ndërsa për një tjetër jo. A ishte e vërtetë që ai ishte kaq i pavlerë? Me siguri duhet të ishte, duke qenë se as familja e vet nuk e donte. Dhe as ai nuk e donte veten. Nuk e vlerësonte veten. Por a mund të presësh vlerësim nga të tjerët kur ti nuk e vlerëson veten? Ai nuk priste vlerësim nga askush, sepse e dinte që asnjëherë s'kishte për ta gjetur. Ai thjesht kërkonte që të mos e nëpërkëmbnin. Megjithatë, pavarësisht se sa herë e kishte pësuar, sërish po e përdornin dhe ai sërish ishte i paaftë për ta vënë re këtë gjë para se dikush tjetër t'ia përplaste në fytyrë.
-Sem, a mund të flasim? -ai ktheu kokën nga ajo por nuk e pa në sy. Donte t'i shmangej ngjyrimeve emocionale që mund të merrte ajo bisedë.
-Mund të flasim, por nuk do të ndryshojë gjë. Do të lodhesh kot, dhe do humbasësh kohë. Nuk ia vlen, më beso.
Ajo u afrua dhe uli kokën që të mund të ulej në cep të krevatit.
-Ia vlen apo jo, atë e di unë! -ai shtiri një buzëqeshje të zbehtë pa asnjë lloj emocioni. -Pse nuk më pyete nëse është e vërtetë apo jo ajo që Kaideni të tha pak më parë?
-Sepse e di që është e vërtetë, dhe e di që ti do thoshe që nuk është nëse do të të pyesja. Nuk jam i trashë Anahera. Ndoshta jam pak, po jo aq sa të gënjehem dy herë, -nuk fliste me entuziazëm dhe as me zë të lartë.
-Por është e rrezikshme Sem. Ti e di dhe vetë. Është shumë herë më e rrezikshme se të vish me ne. Të lutem, lëri hatërmbetjet mënjanë. Nuk kemi kohë. Duhet të veprojmë me logjikë dhe jo me emocione, -po bëhej më e vështirë nga ç'e kishte menduar. Siç dukej, fjalët e Kaidenit e kishin lënduar atë vërtet shumë.
-Anahera, më duket se nuk po më kupton, -ai u ngrit dhe e pa në sy. -Nuk dua të vij me ju! Jam shumë i lumtur që më erdhi kjo mundësi për të dalë pa rrezik që këtu! Madje mezi po pres ditën kur do të dal. Nuk do të jem i frikësuar se gjithçka do të shkojë keq apo nëse më kapin dhe më dënojnë? Ku mund të shkojë më mirë se kaq? Më vjen shumë keq që nuk ishit ju në vendin tim, por nuk dua të rrezikoj për ju!-asgjë nga ato që tha nuk ishte e vërtetë, por nuk kishte mënyrë tjetër si ta mbyllte atë bisedë.
Ajo u ngrit pa thënë asnjë fjalë. Nuk e kishte pjesë të karakterit të saj t'i lutej dikujt, dhe nuk do ta bënte.
-Të uroj fat Sem. Shpresoj që çdo gjë të shkojë ashtu siç e ke menduar, -mori frymë thellë si të donte të bënte pauzë nga mendimet që kishte në kokë. -Mendoja se kur më dhe dorën dhe më the se do të ishe me mua, e kishe me të vërtetë.
-Edhe unë të uroj fat Anahera, -buzëqeshi duke i lënë të kuptuar se vërtet dëshironte që çdo gjë të shkonte mirë. Por nuk tha asgjë tjetër përveç kësaj. Anahera ia ktheu buzëqeshjen, e më pas u largua.
-Ndryshim plani, ai nuk do të vijë me ne, -Kaideni buzëqeshi. E dinte që gjithçka do të ndodhte siç e kishte menduar ai. -Nuk kemi më kohë dhe nuk kam ndërmend të lut asnjë. Jam duke e bërë këtë gjë vetëm për veten time, dhe prandaj çdokush nga ne vendos vetë se ç'drejtim do të marrë. Kam diçka në mendje, do ta vë në zbatim kur të dalim në orarin e drekës. Sigurohuni të jeni afër meje dhe njëri-tjetrit, kështu mund të komunikojmë.
-Mos bëj si lidere tani, e kuptuam. Askush nuk të vendosi ty në krye të gjithçkaje, -foli Kaideni, por ajo qeshi, ktheu kokën nga Ezekieli dhe tha: -Shoku yt mendon ndryshe.
-Unë, unë nuk thashë gjë, -nuk e shmangi dot të qeshurën. Vetëm Kaideni po rrinte serioz. E urrente afrimitetin midis atyre të dyve. Ndoshta ishte sepse dyshonte te Anahera, ndoshta ishte diçka tjetër, por nuk i pëlqente ajo lloj energjie përreth.
Anahera u largua për në vendin e saj. Në mendje kishte mendime të turbullta. Nuk i pëlqeu mënyra si iu drejtua Semi, por përsëri kishte frikë për të. Supozohet të mos interesohej për asnjë atje përveç vetes, por nuk e dinte pse Semi ishte i veçantë për të."-Të thashë që nuk kam ndërmend të qëndroj këtu, dhe deri tani asnjëri nga ju nuk më njeh mirë. Por po të kërkoj diçka. Nëse i hyn kësaj pune me mua, nuk dua të të dëgjoj më për kthim pas. Ndaje mendjen, me apo pa mua?-dhe i zgjati dorën.
-Me ty, -i tha dhe i shtrëngoi dorën."
"-Mendoja se kur më dhe dorën dhe më the se do të ishe me mua, e kishe me të vërtetë."
Këto fjalë atij i buçisnin në kokë si një melodi shurdhuese që nuk donte ta dëgjonte.
-Me ty jam Anahera, vetëm se më duhet të veproj kështu, -tha nën zë.
YOU ARE READING
Anahera: E fshehta e Clarkenwellit
AdventurePËRFUNDUAR Në shkollën më famëkeqe të Londrës, në shkollën e riedukimit "Clarkenwell", për herë të parë regjistrohet një vajzë. Kushtet atje do ta bëjnë të pamundur qëndrimin e saj, kështu që ajo vendos të arratiset. Mirëpo pengesat që do të hasë gj...