Ishte hera e parë që Anahera kalonte natën në izolim. Megjithatë, nuk ishte tipi i vajzave delikate që nuk gjenin dot një pozicion të rehatshëm për të fjetur e ankoheshin nga dhimbjet e shpinës. Për të, rrëzimi i Clarkenwellit, kishte shumë më shumë rëndësi se kjo. U struk në qoshe dhe mblodhi këmbët, ndërsa kokën e mbështeti në këndin që krijohej midis dy mureve pingule. Dhe përkundrazi, për herë të parë pas një kohe shumë të gjatë, gjumi e zuri menjëherë. Dhe mëngjesi i ditës së nesërme erdhi po aq shpejt.
-Anahera, zgjohu, -ndjeu një dorë ta tundte dhe zërin e Semit që i fliste. Zakonisht e urrente kur e zgjonin nga gjumi; alarmi i mëngjesit që e zgjonte për në shkollë ishte armiku i saj më i madh. Por për Semin ishte falënderuese, sepse në gjumin e thellë që e kishte zënë, po të mos e kishte zgjuar njeri, me siguri do të kishte fjetur edhe disa orë të tjera të mira.
U ngrit duke rregulluar kapuçin në kokë, që ashtu si xhaketën, nuk e hiqte kurrë. Përtonte të merrej me flokët e pakrehur prej kohësh, kështu që i mblidhte të gjitha në kapuç dhe vetëm disa fije i binin nga sytë kafe.
-Kanë ardhur rojet? -pyeti me zë të ulët.
-Jo, por të ngrita që të ishe gati në rast se vinin, -u përgjigj Semi. Kaideni qëndronte më këmbë duke mbajtur sytë e fiksuar në të çarën e derës, në pritje të tyre.
-Mirë bëre, -kontrolloi në një nga xhepat e përparme të xhaketës. -Shpresoj ta kem akoma, -mërmëriti. Shpejt e ndaloi dorën dhe e ngriti lart. Një laps karboni ndodhej në dorën e saj.
-Çfarë e ke atë? -i tha Kaideni gati në të qeshur.
-Epo, ditën që u regjistrova këtu, ishte e martë. Një ditë më parë, të hënë, kisha për të dorëzuar një punë të bërë me karbon në art, mirëpo profesori nuk ma pëlqeu dhe më tha ta përsëritja. Më tha se nuk kisha përdorur karbon, po thjesht një laps më të butë e më të errët. Më pas i thashë se kërkova për karbon në kancelari dhe më dhanë këtë, ai u acarua dhe mori karbonin e një vajze që ndodhej në bangën mbrapa meje, për pak ma përplasi në fytyrë dhe më tha: 'Ja, ky është karbon. Do ta përsëritësh punën duke përdorur këtë.' Nuk doja të gaboja sërish me blerjen e tij, kështu që në pushimin e madh i këputa një copë të vogël atij karbonit të asaj vajzës që më tregoi. Kështu s'do të bënte llafe. Por më pas u përjashtova dhe kjo gjëja e vogël që të bën pis nuk më hyri kurrë në punë. Epo, deri tani, -vizatoi nga një vizë të vogël poshtë të dy syve që të dukej si e sëmurë. Futi copën e karbonit në xhepin që ishte dhe me dy gishtat tregues fërkoi sytë, derisa karboni u përhap në gjithë pjesën e poshtme. Ngriti iriset e syrit pak më lart dhe uli kapakët e syrit në mënyrë që të mbulonte gjysmën e bebeve. -Si dukem? -tha më pas.
-Si e vdekur, -u përgjigj thatë Kaideni. -Bëhu gati, -i tha pastaj, -ata po vijnë.
Ajo mori pozicionin që kishte dhe nisi të dridhej dhe të merrte frymë me ritme më të shpeshta si të mos mbushej dot me frymë. Njëri nga rojet zgjati kokën përmes të çarës, dhe pavarësisht se e pa gjendjen e saj pyeti si ishte.
-Më keq, -iu përgjigj Ezekieli. -S'duket?
Ata panë njëherë njëri-tjetrin në dyshim nëse duhet t'i besonin apo jo.
-Ajo duket vërtet sëmurë, -tha njëri prej tyre, -shiko si i janë fryrë sytë. Me siguri s'ka fjetur fare natën. Pastaj, e vetme dhe në atë gjendje që është, është e pamundur të mundohet të arratiset. Vetëm po të jetë e çmendur.
-Të drejtë ke, -i tha tjetri. -Më mirë ta nxjerrim se kushedi ç'ka. Po të përkeqësohet, nuk kemi çfarë t'i bëjmë më.
Ata dëgjuan zhurmën e hapjes së kyçave një nga një, ishte tingulli i fitores. E kapën Anaherën nga krahët dhe me të shpejtë kyçën sërish dhomën e izolimit. Anahera vazhdoi të shtirej si e sëmurë derisa e çuan në mensë. Helena buzëqeshi kur pa se ia kishte dalë mbanë. I doli para që ta priste, dhe në dukje e shqetësuar, tha:
-Bobo, sa keq duket. Po e çoj menjëherë në dhomën ku mbajmë ushqimet. Ka një divan aty, do ta lë të qetësohet.
Edhe kuzhinieret e tjera kur e panë, u dukën të shqetësuara. Me ngadalë, si të ishte vërtet e sëmurë, Helen e shoqëroi deri në dhomën ku mbanin ushqimet. E uli në divan dhe mbylli derën. Fytyra e Anaherës ndryshoi përnjëherë.
-Helen, nuk kemi kohë, -zbërtheu xhaketën dhe nxorri dokumentet e palosura. -A ke një laps e një letër ose diçka tjetër ku mund të shkruaj?
Ajo kërkoi me sy nëpër dhomë, -Kisha një bllok ku bënim listën e ushqimeve, duhet të jetë diku këtu, -hapi disa rafte me rradhë dhe më pas një sirtar të vogël. Buzëqeshi dhe mori bllokun e listave. Anahera nxitoi t'ia merrte dhe me të shpejtë shkroi:
Të nderuar prindër të nxënësve të Clarkenwellit,
Shkolla organizon një takim në datë katërmbëdhjetë të këtij muaji, në orën 10:30, ku të gjithë prindërit duhet të jenë prezentë. Arsyeja do të mësohet në mbledhje. Bëni kujdes që të mos mungojë askush, pasi është një mbledhje shumë e rëndësishme dhe prezenca e gjithsecilit është e domosdoshme. Për shkak të rregullores së shkollës, që e ndalon përdorimin e pajisjeve teknologjike, jeni të njoftuar me anë të kësaj letre. Për çdo pyetje që do të keni, mund ta bëni gjatë mbledhjes.Drejtori i shkollës, Hans Clarkenwell.
Shpalosi dokumentin që mbante në dorë për të parë firmën e tij. Nuk ishte hera e parë që kopjonte firma. Kur ishte në shkollë, falsifikonte firmat e mësuesve nëpër miniteste që të dilte mirë, duke i dorëzuar në fund të orës fletën e plotësuar që në shtëpi, në vend të asaj që mbante në bangë gjatë minitestit.
E provoi disa herë me rradhë firmën në një fletë tjetër të bllokut, derisa t'i merrte dorën. Së shpejti, ktheu faqen nga letra që shkroi, dhe poshtë emrit të drejtorit, nënshkroi firmën e tij.
-Tani është gati, -tha dhe shkëputi letrën nga fletët e tjera të bllokut. E bashkoi me dokumentin dhe ia drejtoi Helenës. -Kjo është e vetmja gjë që të kërkoj të bësh, -i tha. -Do të shkosh dhe këtë dokument do ta dorëzosh në polici. Do t'u thuash fjalë për fjalë atë që do të të them unë. 'Shkolla Clarkenwell ka mashtruar prindërit e nxënësve të regjistruar duke i kaluar të gjithë nxënësit në kujdestarinë e saj. Përveç kësaj, në brendësi të shkollës, kryhet një krim shumë i rëndë, trafikim i organeve të nxënësve!' -ajo vendosi dorën në gojë dhe hapi sytë nga habia.
-E vërtetë është kjo? Po kjo qenka e tmerrshme! -Anahera pohoi me kokë dhe vazhdoi:
-'Duhet të vini në datën katërmbëdhjetë, pasi drejtori për momentin nuk ndodhet në shkollë. Atë ditë do të shihni se shkolla ka një kalim sekret, që të çon në një dhomë të nëndheshme ku mbahen gjithë dokumentet e tjera, ndërsa njëra nga ndërtesat përbërëse të shkollës, shërben si vendi ku kryhen operacionet për heqjen e organeve të nxënësve.'
-Nuk arrij ta besoj dot. Është e pamundur! Unë punoj me disa kriminelë! -tha ajo tashmë e tmerruar.
-Askush nuk e dinte Helen, por tashmë që ne e dimë, e kemi në dorë ta ndryshojmë këtë. Gjithashtu, dua të bësh 173 kopje të kësaj letre, dhe t'ua dërgosh të gjithë prindërve të nxënësve.
-Por, ku do t'i gjej unë ata?
Anahera futi dorën në xhepin e xhaketës dhe nxorri nga ajo listën me emrat e prindërve.
YOU ARE READING
Anahera: E fshehta e Clarkenwellit
MaceraPËRFUNDUAR Në shkollën më famëkeqe të Londrës, në shkollën e riedukimit "Clarkenwell", për herë të parë regjistrohet një vajzë. Kushtet atje do ta bëjnë të pamundur qëndrimin e saj, kështu që ajo vendos të arratiset. Mirëpo pengesat që do të hasë gj...