-Është shumë e rrezikshme. Do t'i kenë sytë nga ne dhe nuk do të na lejojnë të bëjmë asgjë! Ata me shumë siguri e kanë hedhur gjëkundi tashmë atë! -i tha Kaideni. Nuk mund të rrezikonin gjithçka për një biçak.
Ndërkohë dera u hap dhe dhoma u mbush sërish. Orari i mëngjesit kishte përfunduar.
-Nuk më intereson Kaiden. Ti e di sa i rëndësishëm është ai për mua. Nuk largohem pa e marrë atë, -kur Ezekieli tregohej kokëfortë asnjë s'mund ta kundërshtonte.
-Nuk e kanë hedhur, -dukej sikur Anahera nuk e kishte mendjen në ajo bisedë, por përkundrazi, në vend që të debatonte nëse duhet të rrezikonin apo jo, po mendonte një mënyrë që ta merrnin biçakun pa rrezikuar.
-Ti e di ku është biçaku im? -asnjë nga të tre nuk e kuptonte pse ishte aq objekt i rëndësishëm për të. Ishte një lloj fiksimi i çuditshëm.
-Nuk ka rëndësi. Nuk e marrim dot Ezekiel. Mos u bëj i palogjikshëm, -mënyra se si Kaideni i priste me thikë gjërat ishte frikësuese, por mendja kokëfortë e Ezekielit ishte edhe më shumë.
-Nuk e marrim dot ne, është e kotë, -aprovoi dhe Anahera mendimin e Kaidenit, -por dikush tjetër mundet. Sytë i mbante të fiksuar diku. Të tre të tjerët kthyen kokën dhe panë Nedëllin që sapo hyri në dhomë. S'kishte qenë aty vërdallë për një kohë të gjatë.
Ezekieli menjëherë u ngrit. Kishte disa gjëra për të sqaruar me atë njeri, por ndjeu një dorë t'i kapte kyçin duke e ndaluar që inati i tij të vepronte.
-Ulu Ezekiel. Më dëgjo në fillim.
-Kam për ta vrarë atë njeri! -ishte pikërisht kjo gjaknxehtësi që e kishte mbajtur aty. Në krahasim me Kaidenin, ishin dy të kundërta, dhe ndoshta e njëjta gjë qëndronte edhe për Anaherën. Nuk mendonte. Thjesht vepronte, e më pas vuante pasojat e veprimeve të tij.
-Prit Ezekiel. Mos u nxito. Ulu dhe më dëgjo po të them, -dukej se ajo diçka e kishte në mendje tashmë. As Kaideni nuk e kundërshtoi siç e kishte zakon.
Pa thënë asgjë ai u ul për të dëgjuar Anaherën, por sytë i mbante nga Nedëlli.
-Nëse dëshiron të marrësh biçakun dhe të mos rrezikosh, kërcënoje atë. Duhet të heqësh dorë nga hakmarrja, t'i thuash se nuk do t'i bësh gjë, por në këmbim ai do të marrë biçakun për ty. Ndodhet në zyrën e drejtorit. E dëgjova njërin nga rojet që e urdhëroi tjetrin ta linte mbi tavolinën e tij kur ju morën ju. Ai të ka frikë tashmë. Do të jetë e thjeshtë. Thjesht duhet të shkojë në drejtori.
-Jo, nuk do ta lë të shpëtojë me kaq. Do e bëj të vuajë më keq se ç'ka parë ndonjëherë vuajtje në jetën e tij.
-Qetësohu Smirnov! -i tha Kaideni. -E urrej ta them këtë, por Rei ka të drejtë. Nuk do ia vlejë. Plani është i mirë, dhe çështja e atij biçakut tënd të shtrenjtë mbyllet për disa orë.
-Por ata do ta vënë re që ai mungon. Dhe i pari që do të kontrollojnë do të jem unë, -më në fund vuri trurin në punë dhe nisi të shqetësohej për probleme të vërteta.
-Ky është problemi më i vogël që kemi. Unë jam vajzë. Sado të kontrollojnë, ka dhjetëra mënyra që unë mund të fsheh diçka aq të vogël.
Ezekieli qeshi.
-Dhe ti që thoshe se një vajzë nuk na hyn në punë, -i tha Kaidenit.-E ka për detyrë, -u përgjigj ai, edhe pse pa dëshirë për të pranuar se Anahera vlente shumë.
-Në rregull, nuk i bëj gjë atij psikopatit... Shpresoj.
-Ezekiel!
-Nuk i bëj gjë thashë. Vetëm do flas.
U afrua drejt tij me po të njëjtin inat të pak minutave më parë. Ndryshimi ishte se tashmë inatin duhet ta kontrollonte. Kaideni gjithashtu shkoi pas tij. Ishte e rrezikshme ta linte vetëm.
-Ku ke qenë këto ditë miku im? Na ke tharë sytë. Duhet ta pranoj, e kam ndier shumë mungesën tënde këto kohë, -nisi ai bisedën.
-Nu.. Nuk e kam bërë unë... Ju betohem... Unë s'kam qenë fare në zyrën e drejtorit... -do ta kishin të thjeshtë me një frikacak si ai.
-Je i vdekur Nedëll! -kaq tha Ezekieli para se ta shihte të shtrirë përtokë nga një grusht. Nisi ta godiste vazhdimisht dhe për pak harroi planin që kishin.
-Smirnov! -ndaloi kur dëgjoi zërin e Kaidenit pas tij.
-Më thuaj vetëm një arsye pse duhet të mos vazhdoj të të nxij lëkurën, -damarët e ballit i ishin fryrë nga inati dhe në atë gjendje ngjante si i çmendur.
-Nuk e kam bërë unë, të betohem, -përsëriti edhe njëherë ai.
-Ti më vodhe biçakun! Shkove dhe e le atje me një shënim të qartë për mua. Duke qenë se je kaq i zoti sa ta lësh atje, do të jetë po aq e thjeshtë për ty për ta marrë. Kështu që do të shkosh dhe do të më sjellësh biçakun tim. Nuk më intereson fare sa e rrezikshme është. Thjesht po të vë në dijeni se kjo është e vetmja mënyrë si mund të shpëtosh nga unë.
-Konsideroje këtë si ofertë miku im, -shtoi Kaideni. -Ti e di, oferta të tilla vijnë shumë rrallë. Quaje veten me fat, ose të përzgjedhur. Edhe një gjë. Nuk ke kohë për tu menduar. Kështu që vendos tani, dhe bëj një zgjedhje të zgjuar, -i fërkoi kokën dhe buzëqeshi. Ishte kaq i qetë në fjalët që thoshte, dukej sikur nuk kishte asnjë problem me të. Dhe kaq kontradiktor me Ezekielin në të njëjtën kohë.
-Në rregull! Do ta bëj. Vetëm më lini të qetë. Nuk kam për t'ju afruar më asnjërit nga ju. As vajzës. Ju betohem, -betohej pak si më shumë seç duhej, por ishte problemi i tij.
-Bukur! Edhe një gjë të fundit, -e kapi nga bluza dhe e afroi pranë vetes. -Asnjë rreng apo mashtrim. Drejtori s'do të marrë vesh asgjë. Nëse diçka shkon keq, je ti ai që e pëson.
-Në rregull! Pasdite drejtori më tha se do të më takonte. Atje isha edhe pak më parë. Më duket se do më nxjerrin. Nuk keni për të më parë më kurrë. Do ta bëj çfarë më kërkuat. Vetëm më lini të qetë, -e çuditshme se si një njeri si ai kishte aq guxim sa të bënte të fortin pikërisht vetëm një ditë më parë. Tashmë lutej dhe dridhej si pulë e lagur.
-Tani po fillojmë të merremi vesh siç duhet, -tha Kaideni dhe Ezekieli e shtyu tutje. -I qetë do të jesh kur biçaku të shkojë te pronari i tij, -tha më pas.
Ndoshta prandaj ishin shokë me njëri-tjetrin. Kaideni ishte mendja, inteligjenca, gjakftohtësia. Ezekieli ishte trupi, forca, gjaknxehtësia. Plotësonin njëri-tjetrin dhe kur bëheshin të dy, të gjithë u frikësoheshin atyre. Prandaj Semi mendonte se vetëm ata mund ta ndihmonin Anaherën në planin e saj të arratisjes. Dhe kishte të drejtë.
YOU ARE READING
Anahera: E fshehta e Clarkenwellit
AdventurePËRFUNDUAR Në shkollën më famëkeqe të Londrës, në shkollën e riedukimit "Clarkenwell", për herë të parë regjistrohet një vajzë. Kushtet atje do ta bëjnë të pamundur qëndrimin e saj, kështu që ajo vendos të arratiset. Mirëpo pengesat që do të hasë gj...