Ishin sërish duke pritur për rojet. Nëse më parë prania e tyre u prishte punë, tashmë iu nevojitej më shumë se kurrë. Kaideni qëndronte në pozicionin e tij të zakonshëm, me kokën nga e çara e derës për të parë rojet, ndërsa dy të tjerët qëndronin ulur në pritje.
-Kushedi çfarë është duke bërë Anahera tani, -Ezekieli dhe Kaideni kthyen kokën nga ai, por vendosën ta injoronin atë që po thoshte.
-Atë që supozohet të jetë duke bërë, shpresoj, -u përgjigj Kaideni pas disa sekondash, kur pa se rojet nuk po vinin dhe u mërzit duke pritur.
-Shpresoj që kësaj rradhe të mos bëjë ndonjë ngatërresë tjetër, -tha Ezekieli me ironi. Semit nuk i pëlqeu ajo që tha, pasi gjithçka kishte bërë Anahera ishte për të mirën e tyre.
-Anahera nuk ka bërë asgjë kundër jush, -guxoi t'i kundërshtonte. -Përkundrazi, ajo iu solli deri këtu. Ajo është arsyeja që ju vendosët të arratiseshit, dhe madje, ajo është arsyeja që mësuam të fshehtën e Clarkenwellit.
-Një duartrokitje për Rein, -Kaideni mori në dorë stafetën e ironisë. Pa rojet që po vinin drejt tyre dhe menjëherë zuri vendin e tij. -Ezekiel, gati.
Ezekieli nxorri biçakun dhe preu pak gishtin e tij, sa t'i dilte pak gjak. U drodh njëherë nga dhimbja dhe më pas e vendosi gishtin në anë të buzës dhe hundës të Semit, që ta njolloste me gjak. Kur panë se rojet ishin pranë mjaftueshëm, filluan ta godisnin Semin lehtë, ndërkohë që ai lëshonte pasthirrma dhimbjeje.
-Hej, hej, çfarë bëni ju këtu? -ndërhynë menjëherë rojet.
-Ai guxon dhe flet keq për ne, -Kaideni u shtir si i irrituar dhe e goditi edhe njëherë, ndërsa Semi e ekzagjeroi goditjen, duke përplasur kokën pas murit.
-Ndaloni, ndaloni ju thashë. Menjëherë! -roja thirri, por asnjë nga ata nuk e dëgjoi, dhe të tre vazhduan lojën e tyre.
-Është e kotë, merri dhe nxirri, -i tha tjetri.
-Të ka lënë gjë mendja? Nxorrëm vajzën, dhe tani do të nxjerrim këta? Drejtori ka për të na ndëshkuar keq.
-Mund të mos i tregojmë fare drejtorit që këta janë munduar të arratisen. S'ka zgjidhje tjetër. E mban mend se çfarë na tha ai? Mos t'i ndodhë as gjëja më e vogël nxënësit që do të dalë në katërmbëdhjetë.
-Ke të drejtë, -pohoi tjetri me gjysmë zëri. Semi nisi të kollitej duke u shtirur sikur gjendja e tij po përkeqësohej, gjë që bëri që dy rojet të nxitonin në hapjen e derës.
-Ejani tani, -u munduan të shkëpusnin Kaidenin dhe Ezekielin prej Semit, por ata po bënin rezistencë, kështu, ngjarja do të dukej sa më reale. Vetëm pas disa përpjekjesh, arritën t'i nxjerrin nga dhoma ata të dy.
-Nuk mbaron këtu, dështak! Nuk mbaron këtu! -thirri Ezekieli duke e mbajtur kokën e kthyer nga dhoma. Kaideni buzëqeshi. Edhe ky hap kishte përfunduar me sukses.
Kaluan përmes korridoreve të pista e të errëta të asaj ndërtese, duke parë me neveri çdo cep të saj. Kishin kaluar shumë kohë aty, kohë në të cilën mund të ishin duke bërë diçka të vlefshme për jetën e tyre. Diçka u thoshte se gjithë kësaj po i vinte fundi. Clarkenwellit po i vinte fundi.
Hynë në dhomën e qëndrimit dhe e para gjë që kontrolluan me sy ishte prezenca e Anaherës. Ajo ndodhej aty, në fund të dhomës, ulur në krevatin e saj duke pritur për ta.
Ajo dëgjoi derën që u hap dhe menjëherë mendoi se do të ishin ata. E lumtur u afrua drejt tyre, si për të festuar që deri tani gjithçka ishte në rregull.
-Ezekiel, Kaiden, jeni këtu! -ishte më e lumtur se kurrë që po i shihte.
-Siç na sheh, -i tha Kaideni. -Ç'u bë me Helenën? Ia dhe dokumentin?
-Shh, -ia bëri me shenjë të ulte zërin. Ktheu kokën nga të katërta anët për të parë nëse dikush po i dëgjonte, e më pas vazhdoi. -Po, gjithçka është në rregull. Tani duhet të vazhdojmë me pjesën tjetër.
-Të cilën unë mendoj se nuk do të funksionojë, -shtoi Kaideni.
-Kështu ke thënë për gjithçka tjetër deri tani, por shiko ku jemi, -tha ajo krenare. -Nuk kemi kohë, le të veprojmë.
Të tre u shpërndanë në pjesë të ndryshme të dhomës dhe nisën të zbatonin planin që kishin bërë.
-Nesër në orën 10 e 30, kur të dalim për orarin e qëndrimit jashtë paradite, do të revoltoheni kundër shkollës duke kërkuar të dilni, -këtë frazë po ua shpërndanin pak nga pak të gjithë nxënësve aty. Shumë pyesnin se çfarë donin të bënin ata, por nuk kishin kohë për t'u dhënë sqarime të stërholluara secilit një nga një. Nëse jo të gjithë, Anahera mendonte se shumica do të bashkohej me planin e tyre, dhe do të ishin mjaftueshëm për të krijuar kaos në ditën e nesërme dhe për të shpërqëndruar rojet dhe drejtorin, ndërkohë që policia dhe të gjithë prindërit të vinin. E nesërmja do të shënonte gjithçka.
*****
Kishte dalë në qytet, dhe vetëm disa minuta më parë kishte bërë denoncimin në polici, por ende i mungonin disa adresa. Anahera e kishte porositur se të gjithë prindërit që ndodheshin në listë duhet të vinin atje, dhe ajo e kishte marrë përsipër këtë punë, kështu që duhet ta çonte deri në fund. Ndaloi para një dere të bardhë. Kontrolloi nëse ishte në vendin e duhur, dhe trokiti disa herë me ankth. Derën e hapi një grua e veshur thjesht, me flokë të shkujdesur dhe fytyrë të përgjumur.
-Familja Dalton? -pyeti për konfirmim.
-Po, -u përgjigj ajo. -Kush jeni ju?
-Kam ardhur për t'u lajmëruar për diçka, -i zgjati letrën, -vij nga shkolla Clarkenwell, shkolla e djalit tuaj, Kaidenit, -pa se si fytyra e saj menjëherë mori një shprehi tjetër.
-Ajo shkollë e mallkuar! -mërmëriti.
-Mos u shqetësoni zonjë, gjithçka do të zgjidhet ditën e nesërme. Vetëm lexoni këtë letër, dhe ju lutem, për të mirën tuaj e të djalit tuaj, të bëni atë që letra thotë.
-Mos po më kërcënon ti tani? -ngriti zërin e ndier në rrezik.
-Jo, jo zonjë, më keqkuptuat, -i foli me mirësjellje, -përkundrazi. Ne duam vetëm t'iu ndihmojmë. Unë e njoh djalin tuaj, dhe është plani i tij dhe tre të tjerëve i gjithi çfarë po bëj. Vetëm ju lutem, mos e lini zemërimin t'iu drejtojë të merrni vendime të gabuara, -vendosi t'i tregojë të vërtetën, pasi me aq sa vuri re, kishte frikë se mos ndoshta nuk do të vinte. Mimika në fytyrën e saj ndryshoi përsëri kur dëgjoi se ajo e njihte të birin.
-A është mirë ai? -pyeti me një ton të butë. Kishte qenë shumë e shqetësuar për të për një kohë shumë të gjatë. Helen buzëqeshi dhe pohoi me kokë.
-Është shumë mirë, mos u shqetësoni. Vetëm se është shumë e rëndësishme që ju të vini nesër atje. Nesër, në 10 e 30.
-Do të vij, -konfirmoi ajo. Helen e përshëndeti dhe doli e kënaqur. Nxorri fletën dhe vendosi një kryq te familja Dalton.
-Edhe njëzet e shtatë, -tha e emocionuar.
![](https://img.wattpad.com/cover/274277187-288-k302117.jpg)
YOU ARE READING
Anahera: E fshehta e Clarkenwellit
AdventurePËRFUNDUAR Në shkollën më famëkeqe të Londrës, në shkollën e riedukimit "Clarkenwell", për herë të parë regjistrohet një vajzë. Kushtet atje do ta bëjnë të pamundur qëndrimin e saj, kështu që ajo vendos të arratiset. Mirëpo pengesat që do të hasë gj...