-Më ndiq, -dëgjoi rojen që kishte ardhur ta shoqëronte. Ajo tundi kokën dhe bëri siç i thanë. Dhe si çdo ditë tjetër, kaloi midis oborrit të gjelbër madhështor, statujës misterioze të 1852-shit, pusin e vjetër dhe tabelën me emrin "Clarkenwell".
-Edhe sa herë do të më duhet ta bëj këtë rrugë! -mendoi. Nëse do të kishte një gjë për të cilën do ta merrte malli, do të ishin vetëm ata të tre, Kaideni, Ezekieli dhe Semi. Nuk do ta merrte malli për asgjë tjetër; as për muret e vjetra të stilit klasik, as për dhomën ku qëndronin dhe as për ushqimin që hanin. Donte vetëm të largohej sa më parë. Ndoshta Kaideni kishte të drejtë kur tha se të gjithë do të merrnin të njëjtin vendim si Semi nëse do t'u jepej ajo mundësi që iu dha atij. Ndoshta edhe Anahera si ai do të kishte vepruar. Por tashmë ajo çfarë duhej bërë ishte të eleminohej çdo 'sikur', dhe të niste veprimi.
Hyri në dhomë dhe menjëherë Kaideni dhe Ezekieli kthyen kokën nga ajo. Edhe Semi u ngrit që të mësonte çfarë kishte ndodhur, por shpejt u kujtua që nuk ishte më pjesë e tyre dhe u ul sërish duke bërë sikur nuk e vuri re prezencën e saj.
-Hera! A mësove gjë?
-Ule zërin Ezekiel, -i tha ajo pasi disa nxënës kthyen kokën nga ata të tre duke i parë si të ishin të çmendur. -Mësova shumë, -shtoi më pas. U ul dhe nisi të fliste.
-Helen, kuzhinierja me flokë kafe që i mban zakonisht të mbledhur poshtë me një kapëse të madhe portokalli, duhet të jetë diku te të dyzetat.
-Ajo që është e katërta nga fundi në kuzhinë? Që shpërndan ushqimin nga ana që rrimë ne?
-Ajo, -pohoi. -Ajo është bashkëpunëtorja e brendshme që na nevojitet.
-Fantastike! -festoi Ezekieli.
-Mësova se ka disa njerëz që vijnë çdo ditë këtu, kuzhinieret mendonin se ishin mësues.
-Mësues? Diçka nuk shkon.
-Pikërisht! Me siguri ata shkojnë në pjesën e pestë të pazbuluar të Clarkenwellit, por në një orar të caktuar në mënyrë që ne të mos i shohim. Me siguri herët në mëngjes. Diçka luhet këtu.
-Megjithatë, ky informacion nuk na hyn në punë për planin tonë, -tha Kaideni.
-Nuk kam mbaruar. Mos më ndërprit. Siç po flisja, Helen më tha se mund të arratisemi që nga tubat e kanalizimeve, -Kaideni dhe Ezekieli shtrembëruan fytyrën. -Janë të mëdha mjaftueshëm për të na nxënë. Thjesht duhet të sigurohemi që të mos ketë energji elektrike në momentin që do të dalim. Dhe normalisht, asnjë kamera.
-Në momentin që do të rregullojmë punën e energjisë, kamerat nuk do të punojnë, -shtoi Ezekieli.
-Po rojet? -pyeti Kaideni.
-Helen më tha se në orarin e drekës të gjithë rojet janë duke ngrënë, dhe s'ka asnjë në patrullim.
-Dhe si do të dalim nga mensa pa e vënë re askush? Edhe në qoftë se dalim,si do t'i hapim tubat? Dhe ku të nxjerrin ato? -ishte pyetja e tij e rradhës.
-Më lër të flas Kaiden. Do të bëj sikur kam shqetësime në stomak dhe të më duhet të shkoj në tualet. Asnjë nga rojet nuk do ta vërë re, gjithsesi. Ju do të më shoqëroni sepse do të jem 'shumë keq'. Nga mensa, këtu. Dhe nga këtu, në tubat, dhe brenda pak sekondash, në liqen. Liqeni është artificial, do të na duhet të notojmë shumë pak. Sapo të dalim prej aty, do ta kemi shumë të thjeshtë. S'ka asnjë roje dhe asnjë kamerë që të na vënë re. Ne do të jemi larguar kur ata ta kuptojnë që mungojmë. Sa për hapjen e tubave, mos u shqetëso, -ajo zbërtheu xhaketën e madhe dhe kontrolloi në një nga xhepat e saj.
Pak më parë në mensë-Paç fat engjëll! -u largua pa i lënë Anaherës mundësinë të fliste. Ajo buzëqeshi mirënjohëse dhe krenare njëkohësisht. Hodhi sytë nga raftet ku ishin të rreshtuara pjatat, tenxheret, lugët, pirunjtë dhe enë të tjera. Zbërtheu xhaketën dhe menjëherë rrëmbeu disa pirunj të madhësive të ndryshme, një thikë dhe një gërshërë.
-Bëhuni gati, zonja dhe zotërinj! -tha nën zë.
*****
-Do vritesh me ato! -ishte fjala e parë që tha Ezekieli kur i pa. Ajo qeshi dhe mbërtheu sërish xhaketën.
-Prisja më shumë ndonjë lavdërim të tipit "Sa e zgjuar je Anahera!", -tha dhe duartrokiti. -" Kjo duartrokitje shkon vetëm për ty!"-Ezekieli qeshi dhe tundi kokën.
-Je komplet e çmendur, -i tha.
-Edhe kjo bën punë, po e marr si kompliment, -tha ajo duke qeshur.
-Shpresoj të funksionojë, -ajo u kthye nga Kaideni dhe duke bërë një fytyrë të habitur ia ktheu:
-Shpresoj? Të lutem Kaiden, pranoje që vetë nuk do të kishe bërë kurrë një plan kaq të mirë.
-Teknikisht është plani i kuzhinieres, -kundërshtoi ai.
-Atëherë pranoje që nuk do të arrije dot kurrë të krijoje miqësi me kuzhinieren që kishte planin, -i tha ajo duke u munduar të imitonte zërin e tij në dy fjalët e fundit.
-Fati yt që ka njerëz zemërbutë. Po të isha unë në vend të saj, nuk do isha prekur fare nga fjalët e tua.
-Prandaj nuk të do njeri ty, -buzëqeshja ironike që kishte deri tani i ngriu në fytyrë. Anahera qeshi dhe mendoi se kishte fituar në këtë lojë fjalësh, pa e ditur se sa kujtime i solli fjalia e saj e fundit atij në mendje.
-Ti mendon se ty të duan? -tha pas pak sekondash heshtje.
-Çfarë do të thuash me këtë? -ai iu afrua dhe mori frymë për të bërë pauza midis fjalëve të tij dhe të saj.
-Prindërit e tu kanë bërë lojë ping-pongu me ty, ku ti je si një top që kalon herë nga njëri dhe herë nga tjetri. Mendon se mamaja jote të donte, prandaj nuk të la në kujdestarinë e babait? Sa naive je për ta kuptuar që i ngele asaj barrë, sepse babai thjesht nuk të donte! As ajo nuk të donte, prandaj të solli këtu! Sepse kështu ndodh me të gjithë! Dhe ti nuk je aspak më e veçantë që të përjetosh diçka ndryshe. Qindra vetë që janë këtu Rei, hidh një vështrim rreth e rrotull. Asnjë nuk i intereson njeriu. Janë të harruar. Më saktë, jemi të harruar. Prandaj askush nuk bën asnjë përpjekje për të dalë që këtu. Sepse nuk kanë ku të shkojnë. Shikoje këtë njeri këtu, -i drejtoi gishtin Ezekielit. -Ia doli të arratisej, por u soll në të njëjtin ferr nga vetë familja, -qeshi në mënyrë ironike. -Familja! A na japin ata po aq vlerë dhe rëndësi saç marrin nga ne? E dyshoj këtë.
Ajo ktheu kokën nga ana tjetër sepse nuk donte që ai të dallonte në fytyrën e saj asnjë lloj dobësie. Ai nuk po thoshte të vërtetën. Të dy prindërit e donin atë, por ajo kishte përfunduar aty vetëm për shkak të veprimeve të saj. Vetëm veprimet e saj e kishin sjellë aty, jo dashuria e munguar e prindërve. Ajo do të dilte që aty dhe do të takonte babain e saj. Dhe do të ishte e lumtur me të. Ngadalë u largua nga ata për të shkuar në fund të dhomës, në krevatin e saj.
-Çfarë bëre kështu!
-I thashë një të vërtetë që duhet ta dinte, Ezekiel, -iu përgjigj ai po me të njëjtin ton.
-Në djall të vërtetat e tua! Këto të vërtetat e tua po i lëndojnë të gjithë. Hapi sytë dhe shiko përreth Kaiden! E shikon? E di çfarë shikoj unë? Disa njerëz që nuk iu intereson e vërteta. Mbaje atë dreq të vërtete brenda vetes. Nuk do të thotë se të gjithë këtu janë të lënduar, vetëm ngaqë ti je, -iku në drejtim të Anaherës pa thënë asnjë fjalë më tepër.
YOU ARE READING
Anahera: E fshehta e Clarkenwellit
AdventurePËRFUNDUAR Në shkollën më famëkeqe të Londrës, në shkollën e riedukimit "Clarkenwell", për herë të parë regjistrohet një vajzë. Kushtet atje do ta bëjnë të pamundur qëndrimin e saj, kështu që ajo vendos të arratiset. Mirëpo pengesat që do të hasë gj...