♡6♡

452 61 121
                                    

A mendoni ndonjëherë sa kontradiktore është jeta dhe emocionet që përfshihen në të? Një ditë je personi më i lumtur në botë, dhe të nesërmen shikon se si ajo lumturi zbehet derisa të zhduket plotësisht, dhe ti s'mund të bësh asgjë. Sa i fortë është njeriu? A është i fortë mjaftueshëm për t'iu arratisur të gjitha vuajtjeve në kërkim të lumturisë? Apo është i fortë mjaftueshëm që t'i durojë vuajtjet të cilat i serviren në jetë? Në fund të ditës të gjithë duan të jenë të lirë, tek e fundit, kujt i pëlqen të jetojë i prangosur në zinxhirët e dikujt tjetër?

Nënshtruar në atë dhomë të errët, ku kamxhiku godiste herë pas here shpinat e tyre të lakuriqta dhe digjte si ferr, të dy e donin tashmë lirinë më shumë se kurrë. Shtrëngonin dhëmbët për të duruar dhimbjet, ndërkohë që goditjet e pamëshirshme vazhdonin dhe pas tyre dëgjohej e qeshura e ligë e drejtorit. Panë njëri-tjetrin në sy dhe në mendjen e tyre u betuan se do të largoheshin nga ky vend sa më parë të ishte e mundur. Natyrisht, pasi të hakmerreshin. Gjaku iu ziente nga dhimbja dhe inati që i digjte nga brenda më shumë se fshikullimi jashtë.

-Mjafton me kaq, -menjëherë pas zërit të shëmtuar goditjet ndaluan. -Sot nuk do të kenë darkë dhe nesër nuk do të kenë mëngjes dhe drekë.

-Si urdhëron, -u dëgjua nga personi që mbante kamxhikun.

Veshën me vështirësi bluzat nga plagët e hapura në shpinë. Ndonjëherë fajësonin veten për atë që ndodhi. Nuk do të kishin përfunduar në drejtori nëse Ezekieli nuk do të kishte fajësuar Kaidenin për humbjen e biçakut të tij, dhe nëse Kaideni nuk do të tregohej aq ironik duke u tallur me të. Por tashmë pendimet i përkisnin së shkuarës. U zotuan se nuk do të kishin më kurrë konflikte me njëri-tjetrin, pasi aty vetëm njëri-tjetrin kishin.

-Kështu është kur hyn në telashe për një vajzë Ezekiel, -e qortoi Kaideni gjithë inat.

-Çdo të thuash "për një vajzë"? Do ta ndihmoja kushdo që të ishte. Edhe ti do ta bëje. Ai tipi po i afrohej më tepër seç duhej, -e dinte që kishte bërë gjënë e duhur, pavarësisht se çfarë thoshte Kaideni.

-Nuk do ta bëja. Meqë është aq e zonja sa thotë dhe ofendohet kur ia përplasim në fytyrë që është thjesht një vajzë e vogël e dobët, le të provojë të kundërtën. Fundja, të gjithë me probleme përballemi këtu, po nuk po na ndihmon njeri.

-Si mund të gjykosh në këtë mënyrë Kai?

-Unë po mendoj me logjikë, ndërsa ti nuk po mendon fare, -ngriti zërin nga irritimi. -Ti as që e njeh atë, dhe papritur do të bëhesh heroi. S'ka vend për heroizma këtu Ezekiel Smirnov! Jemi në një vend ku menjëherë ditën tjetër mund të jesh viktima. Asnjë nuk do të të ndihmojë atë ditë. Kështu që sipas rregullit të jetës reciproke, as ti nuk duhet të ndihmosh askënd.

-Në rregull! -më shumë e tha që të mos vazhdonte më duke u munduar t'i mbushte mendjen se e kishte gabim. Por ai nuk mendonte se e kishte gabim dhe nëse e njëjta gjë do të ndodhte, ai do të bënte të njëjtën gjë.

-Ti e ke zemrën e mirë, dhe ky është problem, -këtë ia tha me zë më të ulët.

-Jo Kaiden, thjesht kam një anë të mirë të saj. Mos harro se për atë anë të mirë jam sot këtu, -ishte regjistruar në atë shkollë pas përjashtimit nga shkolla e mëparshme, sepse plagosi me thikë një nxënës që i ngacmoi të motrën. -Dhe mendoj se çdokush nga ne ka një anë të mirë, edhe ti, -Kaideni qeshi me fjalët e tij. Ndonjëherë Ezekieli thjesht bëhej shumë dramatik.

-As do të doja. Nëse njeriu është i mirë, nis të vërë në punë ndjenjat, dhe ndjenjat i hapin probleme të panevojshme. Është e vështirë të jesh i mirë. Sidomos në botën në të cilën jemi mësuar të jetojmë ne. Djaloshi hutaq është shembulli më i mirë i kësaj që sapo thashë, dhe ti e di shumë mirë.

-Do ta shohim Kaiden, -vendosi të mos e zgjaste më, pasi ishte e kotë t'i flisje një njeriu të akullt mbi ndjenjat dhe mirësinë.

-E di, ndonjëherë më frikëson Ezekiel, -i tha ai. -Kur flet me fjalë të tilla, seriozisht shqetësohem shumë për ty.

-S'ka asgjë për t'u shqetësuar Kai, -i tha ai dhe qeshi. -Ti e di kush jam unë.

Dyert u hapën. Ezekieli menjëherë nisi të kërkonte me sy për fajtorin e të gjithë situatës në të cilën kishte qenë ai deri tani. Ose të paktën atë të cilin ai mendonte se ishte fajtori.

-Do ta bëj të vuajë shumëfish, -i tha dhe Kaideni menjëherë e kuptoi për kë ishte duke folur. Por nuk po e shihnin asgjëkundi.

Panë Anaherën të afrohej drejt tyre dhe Semin që e ndiqte.

-Edhe kjo na duhej, -mërmëriti Kaideni.

-Jeni mirë? -i vuri dorën në shpatull Ezekielit, por ai në çast u step nga dhimbja.

-Qëkur ke filluar shqetësohesh kaq shumë për dy të panjohur? - Kaideni nuk duronte dot asnjë veprim të sajin.

-Ezekielit i kam një borxh shumë të madh, dhe normalisht që do shqetësohem për të, -brenda saj kishte frikë mos ndoshta ata e dinin të vërtetën, por s'duhet ta jepte veten. -Nuk janë të gjithë si ti, -vazhdoi më pas.

-Jo të gjithë, po ti dukesh shumë të jesh si unë, -çdo fjalë që ai thoshte e bënte atë të dyshonte. Duhet të sigurohej që ata s'dinin gjë për të.

-Ti s'më njeh fare, -iu përgjigj, edhe pse edhe ajo e dinte që ngjante pak me të.

-Dhe nuk dua të të njoh, -shtoi ai.

-Ku është ai tipi, -Ezekieli ndërpreu bisedën e tyre, duke qenë se kishte gjëra më të rëndësishme për të bërë.

-Kush? -duhet të bënte të paditurën. Kështu nuk do të linte gjurmë për dyshim.

-Ose më saktë, -foli sërish Kaideni, -çfarë ndodhi pasi ne hymë në drejtori?

-Ndërkohë që ju shkuat në drejtori, dëgjova Nedëllin të qeshte me grupin e tij. E pyeta pse e bëri atë gjë, sepse të them të drejtën tek ai dyshova në fillim. Ai normalisht e mohoi, duke thënë se nuk është fajtor për ato që bën Ezekieli.

-Kishte një mesazh atje në tavolinë, -Ezekieli i zgjati një copë letër. -"Nuk bëre mirë që u ngatërrove me personin e gabuar, dhe për këtë do të vuash pasojat."

-Frikacaku, nëse do të ishte i fortë mjaftueshëm do të përballej vetë me ty, -kjo e bëri Ezekielin të ndihej më mirë dhe as që e kuptoi pse.

-Ai do ta paguajë,-i tha. -Po ku ndodhet tani?

-Nuk e dimë, -u përgjigj Semi. -Erdhën dhe e morën rojet dhe nuk e kanë sjellë më.

Ezekieli shtrëngoi grushtin ende i inatosur. -Nuk do të largohem nga këtu pa marrë hak ndaj tij, -tha.

-Do të largohesh? Pra do të arratisemi? -më në fund plani i saj kishte funksionuar.

-Po, do të arratisemi, -i tha Kaideni. -Unë dhe Ezekieli.

-Ju s'mund ta bëni këtë pa ne. Ne duhet të vijmë me ju. Lëri shakatë Kaiden, -kishte menduar para kohe.

-Mesa duket, nuk më njeh aq mirë sa të dish që i urrej shakatë Rei, -i tha. -Ti dhe djaloshi hutaq jeni vetëm një telash i panevojshëm. Nuk do të vini me ne, -ajo ktheu sytë nga Ezekieli. Me siguri ai nuk ishte dakort.

-Mos më shiko mua, nuk mund të vini me ne, -edhe shpresa e saj e fundit iu shua.

-Shqetësohej për ne? Të lutem, -vazhdoi Kaideni. -Është e qartë që këtu doje të dilje që në fillim. Ne mendojmë njësoj Rei, -pa thënë asgjë tjetër të dy u larguan.

-Bobo, po tani çdo të bëjmë? Gjithë ai plan na iku kot, -Anahera e priste këtë reagim nga Semi. Tundi kokën dhe duke buzëqeshur tha:
-Ndonjëherë bëhesh shumë hutaq Sem. A ta kam thënë se unë gjithmonë kam një plan B?

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now