Dëgjuan se si këmbana ra. Ishte aq afër Anaherës sa ajo ndjeu veshin t'i pipëtinte nga zhurma. Nuk kishte ngrënë asgjë, por tashmë duhet të ktheheshin në pjesën e dytë. Semi rrëmbeu pecetën dhe lapustilin dhe nxitoi për të arritur Anaherën.
-Ti nuk hëngre asgjë. Çfarë do të bësh? -i tha. Shqetësohej për të edhe nëse ajo në shumicën e rasteve nuk i përgjigjej.
-Mos u shqetëso për mua Sem. Kur të dalim pasdite do shoh ç'mund të bëj.
-Po nuk do bësh dot gjë, -ajo ktheu kokën e zhgënjyer nga mosbesimi që të tjerët kishin. -Ata vendosin roje vëzhgimi që të sigurohen që mos bëhet rrëmujë.
-Po ne s'do bëjmë rrëmujë, -buzëqeshi djallëzisht. -Ne madje nuk do ndihemi fare. Do jemi shumë të qetë dhe të pafajshëm, -e çudiste ajo vajzë. Dukej sikur e kishte një përgjigje për gjithçka.
Hynë duke bërë një rrëmujë të madhe. Rregullin "dy nga dy" e ruanin vetëm kur hynin në mensë, që të mos mbeteshin pa ushqim. Krevati i Anaherës ndodhej në fund të dhomës madhështore, duke qenë se ishin të rreshtuar sipas numrave që mbanin etiketat e tyre. Ndihej si në burg. Çdo gjë, rojet, ushqimi, shtretërit, etiketat, dënimet e bënin t'i dukej sikur ishte në burg.
Tashmë ndodheshin të dy në fund të dhomës, ulur në krevatin e saj. Semi ishte përqendruar në vizatimin e një plani të ndërtesës, në mënyrë që të mund t'i tregonte Anaherës vendosjen e kamerave, ndërsa ajo kujdesej që askush të mos i vinte re ç'po bënin. Iu desh shumë pak për ta kthyer pecetën në një hartë plan të shkollës. Thuajse një vit i kishte mjaftuar për ta njohur mirë atë.
-Këtu, -dhe e shtroi planin në mbulesën e krevatit. -Pjesa e parë ku bëhet regjistrimi i nxënësve është kjo që kam shënuar me "1". Është vendi ku ka më pak kamera. Dy kamera ndodhen në pjesën e përparme të saj dhe vetëm një në pjesën e mbrapme. Ndërsa në brendësi, kamerat ndodhen vetëm brenda dhe jashtë zyrës së drejtorit. Një brenda, një jashtë, -ajo pohoi me kokë në mënyrë që ai të vazhdonte. -Këtu ku ndodhemi ne ka dy kamera. Mos e ngri kokën lart që të mos bëhemi dyshues. Mos u shqetëso, u kemi kthyer kurrizin atyre kështu që nuk duket çfarë po bëjmë, -kjo ishte një anë e tij që Anahera nuk kishte njohur ende. Ishte i zgjuar, dhe po të mos ishte aq frikacak, ndoshta do të kishte dalë deri tani. -Jashtë kësaj dhome ka një kamera në korridor. Ndërsa jashtë ndërtesës, është e rrethuar me kamera gjithandej. Duke qenë se është pjesa përballë oborrit, katër kamera survejojnë të gjithë hapësirën. Vetëm pjesa mbrapa nuk ka asnjë kamera, sepse ndodhet liqeni. Vazhdojmë me mensën. Në hyrje të saj ndodhet një kamera, si dhe në brendësi ka katër kamera të tjera nga të katërta anët. Te dënimet nuk ka kamera, kurse te pjesa e pestë nuk e di fare. Di vetëm që dera kryesore ka një kamera të kthyer nga oborri.
-Kuptoj, -afroi vizatimin për ta parë më mirë dhe nisi të numëronte nën zë. -Deri tani janë tetëmbëdhjetë kamera të identifikuara. Shumë! -dhe vuri dorën në ballë.
-Unë të thashë që është e vështirë Anahera.
-Dhe unë të thashë që nuk dua të të dëgjoj më të flasësh kështu.
-E mbylla, -tha dhe imitoi me gishta mbylljen e një zinxhiri imagjinar në gojë.
-Tani dua të më dëgjosh me vëmendje. Nuk do përsëris asnjë gjë dy herë. Mos më ndërprit, çdo pyetje që të kesh do të ma bësh në fund, -ai pohoi me kokë. -Në mensë vura re se gatuhej në dy tenxhere. Me siguri tenxherja tjetër ushqen rojet dhe punonjësit e tjerë. Ushqimi atje duhet të jetë i ngrënshëm. Vura re se njëra nga kuzhinieret e vendosi atë tenxheren në dollapin ngjitur me dritaren. Ajo që dua të bësh është që kur të dalim pasdite, të krijosh rrëmujë në oborr në mënyrë që të fitosh vëmendje. Di gjë sa roje ka gjithsej? -ai mohoi me kokë. -Ndërkohë që t'i krijon rrëmujën, unë hyj nga dritarja duke thyer xhamin. Marr ushqimin dhe në momentin kur dua të kthehem pa bërë zhurmë, çdokush e vë re. Unë shkoj në drejtori. Nxënësja e re që nuk është mësuar me ushqimin e zakonshëm? Të gjithëve u ndodh, -imitoi zërin e Ezekielit. -Do të mendojnë se kam dashur të ha diçka tjetër, prandaj do t'i bëj një vizitë të vogël drejtorit. Më pas do i bëj një analizë të vogël dhomës atje. Duhet të gjej një mënyrë si të bëj të mundur që Ezekieli dhe Kaideni të dënohen për prishjen e diçkaje atje. Prandaj duhet të bësh të mundur që, në momentin që unë do të dal nga zyra, ata të hyjnë. Shkurt, bëj që ata të dy të zihen. Kështu të dy përfundojnë në drejtori. Ezekieli është gjaknxehtë, kështu që do të jetë e thjeshtë.
-Po si do shkatërrojnë zyrën ata pastaj?-harroi që nuk duhet ta ndërpriste.
-Mos më ndërprit. Do të kem kohë të mjaftueshme për të çarë mbulesën e karrigeve të shtrenjta, dhe për të prerë ndonjë tel të vogël të llampadarit, -nxorri me kujdes nga një xhep i xhaketës diçka. Semi shqeu sytë kur e pa, ndërsa ajo buzëqeshi fitimtare.
Pak më parë...
-Prit!-i tha. Ai ktheu kokën sërish nga ajo. -Faleminderit... -iu afrua duke e parë në sy që të mos humbiste kontaktin. Ngadalë afroi dorën në xhepin ku pak më parë kishte futur biçakun, e tërhoqi dhe e fshehu nëpër xhepat e saj. -... Ezekiel.
*****
-Je fantastike, -ngriti zërin i emocionuar.
-E di, -i tha ajo. -Do ta lë atje. Drejtori do të pyesë kush e ka, dhe shpejt do të mësojë se i përket Ezekielit. Por do t'i dënojë të dy, sepse në këtë mënyrë do të nxjerrë inatin për dëmin e bërë. Mos u shqetëso për asgjë Sem. Ma lër mua në dorë. Kur drejtori t'i fajësojë ata, ata do të marrin një dënim që s'do e durojnë dot. Dhe do të vendosin të arratisen. Do të vijnë tek unë dhe bum, do të nisë aventura.
-Por ata do të kërkojnë për atë që i ka bërë të gjitha këto. Nëse Ezekieli mëson se fshihesh ti pas gjithë kësaj, nuk do të bëhet kurrë pjesë e planit. Ndërsa sa për Kaidenin, mendoj se nuk do të bëhet pjesë e planit, pavarësisht se çfarë ndodh.
-Mesa di unë, nxënësit nuk e shohin se kush hyn dhe kush del nga drejtoria, kështu që ata nuk do ta dinë se unë kisha qenë aty. Mjafton të lëmë një letër me një mesazh të vogël. Do ta marrin vesh shpejt se kush u ngriti kurth.
-Nuk po të kuptoj, -nisi të kruajë kokën konfuz.
-S'ka nevojë të më kuptosh, -ktheu kokën dhe pa atë personin problematik që e kishte ngacmuar pak më parë. -Si e ka emrin ai tipi?
-I thonë Nedëll, përse pyet? -shumë pak sekonda më vonë ai hapi sërish sytë nga habia, -tani po të kuptoj! Mbresëlënëse!
-E di, -palosi vizatimin dhe e futi në xhaketë. Dyert u hapën. -Është koha Sem, -i tha ajo. Edhe ai buzëqeshi. Kishte më pak frikë, pavarësisht se po bënte diçka që ndoshta ishte shumë herë më e rrezikshme se të gjitha përpjekjet e mëparshme të tij.
YOU ARE READING
Anahera: E fshehta e Clarkenwellit
AdventurePËRFUNDUAR Në shkollën më famëkeqe të Londrës, në shkollën e riedukimit "Clarkenwell", për herë të parë regjistrohet një vajzë. Kushtet atje do ta bëjnë të pamundur qëndrimin e saj, kështu që ajo vendos të arratiset. Mirëpo pengesat që do të hasë gj...