♡21♡

351 58 45
                                    

Të dy qëndronin larg njëri-tjetrit, luftonin me shikime inati por nuk flisnin. Oborri ishte i madh mjaftueshëm për ta shmangur praninë e njëri-tjetrit, por nuk e bënin. E dinin që duhet t'i jepnin fund së shpejti asaj mërzie të kotë, por askush nuk donte të hidhte një hap.

-Do vini në vete ju? -i foli Ezekieli Kaidenit. Ai ktheu kokën mbrapa, qeshi dhe u kthye sërish nga Ezekieli.

-Ju? Unë nuk shoh njeri tjetër këtu. Sheh ti?

-Të lutem Kaiden, po sillesh si fëmijë. Nuk kemi kohë për këto gjëra.

-Unë po sillem si fëmijë? Nuk jam unë ai që u mërzit, nuk po distancohem unë, nuk po kërkoj unë vëmendje.

Ezekieli ktheu sytë nga Anahera, më pas ngriti supet dhe tha:-Ti e di si janë vajzat Kaiden. Ato duan pak më shumë vëmendje se djemtë. Mërziten pak më shpesh...

-Dhe kanë gjithmonë të drejtë, -u dëgjua Anahera pas tyre.

-Dhe unë që mundohem të rregulloj zënkat tuaja, -ai ngriti duart si të donte të shprehte që nuk kishte çfarë bënte më, ndërsa ata të dy qeshën.

-Kush është ai tipi? -ata të dy kthyen kokën dhe panë një djalë trupmadh që tymoste tutje.

-Ksander Keota, njihet si vjedhësi i cigareve të rojeve. Nuk merret me asnjë njeri këtu, është i heshtur dhe thuajse nuk i është dëgjuar asnjëherë zëri. Është sjellë këtu para Kaidenit, për arsye përjashtimi nga shkolla ngaqë fuste alkool dhe duhan nëpër klasa.

-Vras mendjen çfarë ndodh nëse hajduti i rojeve kësaj rradhe nuk është ai që vjedh, por ai që vidhet, -ata nuk folën për të dëgjuar se çfarë po bluante ajo në mendje. -Një çakmak, pak masë, pak xixa në ajër, dhe së shpejti, shkëputje elektrike.

-E thjeshtë për t'u thënë, -kundërshtoi Kaideni.

-Të dija më guximtar, -ia ktheu ajo. -Plani është i tillë: sot në darkë, Ezekieli do të vjedhë çakmakun e këtij tipit në mensë. Kaideni do të shpërqendrojë rojet, ndërkohë që Ezekieli shkon për të djegur telat që bëjnë lidhjen me llampat. Ndodhen në derën kryesore, shumë afër me tavolinën tonë. Sapo Ezekieli të mbarojë punë, do të largohemi menjëherë, pasi një zjarr i madh mund të përhapet në mensë.

-E di që mund të ketë edhe të lënduar? Ku ta dimë ne se çfarë përmase do të marrë dëmi i bërë nga zjarri? -pyeti Kaideni.

-Për më tepër, mund të jemi edhe ne të lënduarit. Çfarë nëse nuk dalim në kohë? Po nëse lëndohet Helen? Dhe më e rëndësishmja, nëse mensa digjet, digjet plani ynë për ditën kur do të arratisemi, -shtoi Ezekieli.

-Atëherë çfarë sugjeroni ju? -pyeti ajo e bezdisur. E urrente kur të tjerët i tregonin që e kishte gabim. -Mos keni ndonjë plan më të mirë?

-Ndoshta kemi! -ia ktheu Kaideni me të njëjtin ton.

-Po të dëgjoj atëherë! -tashmë po komunikonin me zë të lartë dhe më shumë dukej sikur po qortonin njëri-tjetrin.

-S'ka nevojë! Nuk më nevojiten mendimet e tua. E di që ky është të paktën plan më i mirë se i yti.

-Epo do ta shohim atëherë! Paç fat Kaiden Dalton!

-Unë e bëj vetë fatin tim Anahera Rei! -ia ktheu ai. Por a mund t'ia dilnin mbanë kur dy njerëz të tillë bashkëpunonin?

-Qetësohu Hera, më beso, Kaideni e di ç'po bën, -Ezekieli u mundua të vinte situatën nën kontroll.

-Kaideni e di ç'po bën, Kaideni e di ç'po bën, -përsëriti nëpër dhëmbë, -Kaideni nuk e di ç'po bën Ezekiel! Ai mendon vetëm për vete! Dhe bën gjithçka që të dalë ai i vetmi që ka të drejtë. Kaideni flet me logjikë, Kaideni është i zgjuar, duhet të dëgjojmë Kaidenin... Budallallëqe! Për faj të Kaidenit jemi një person më pak, dhe njëri nga ne është në rrezik vetëm për faj të tij. Kaideni s'ia ka idenë çfarë është duke bërë! Sepse kur punon në një skuadër, nuk ka të fshehta!

-Unë e di shumë mirë çfarë jam duke bërë Rei, -mendoi ai. -Gjithçka që jam duke bërë, është e gjitha e menduar më parë. Por nuk mund të të lejoj të ndërhysh në punët e mia. Je shumë poshtë për t'u hequr si lider. Je vetëm një fëmijë, dhe i tillë do ngelesh.

-Është më e thjeshtë nga ç'e pikturon ti në mendjen tënde, mos i kompliko shumë gjërat dhe kurseji këto deklaratat e tua prekëse, -tha me zë. -Na duhet thjesht të shkëputim energjinë elektrike në darkë, dhe atë do ta bëj unë. S'ka nevojë të shqetësohesh, -ndoshta nuk ishte nevoja që ajo të shqetësohej, por nuk i pëlqente kur diçka ndodhte pa dijeninë e saj. E ndiente veten udhëheqëse. Mendonte se përderisa ishte ideja e saj të arratiseshin, dhe plani i saj i mblodhi të gjithë së bashku, dhe kishin arritur deri aty falë saj, e tillë duhet të ishte. Dhe si e tillë duhet të informohej për gjithçka. Por, që me largimin e Semit nga grupi, gjërat për të po bëheshin më të vështira.

-Do ta shohim sa do t'ia dalësh, -i tha me një ton si të nënkuptonte që brenda vetes donte që ai të dështonte.

-A nuk supozohet t'i urosh më të mirën? -i tha Ezekieli duke qeshur.

-Do të doja, por nuk ia uroj dot, -i tha ajo, -sepse unë jam më e mira, -ngriti supet dhe i dhuroi një buzëqeshje egoiste.

Shumë pak minuta kishin mbetur deri sa të përfundonte koha që ata qëndronin jashtë. Të tre ishin aty, por askush nuk po fliste. Ra një qetësi e çuditshme. Dukej sikur secili prej tyre ishte përhumbur në mendime, sikur secilin e shqetësonte diçka, por nuk e shprehte me zë të lartë.

-A të besohet që më në fund do të dalim Kaiden? -Ezekieli vendosi të flasë duke i dhënë kështu fund asaj heshtje të sunduar nga mendimet.

-Nëse dalim, -u përgjigj shkurt ai.

-Do të dalim Kaiden, do të dalim. Kësaj rradhe, do të vendosim veten prioritet, dhe s'do të kthehemi më kurrë këtu.

-Prit, kam një pyetje, -e ndërpreu Anahera, -si e mësuat ju ekzistencën e Clarkenwellit?

-Drejtori i shkollës së mëparshme i dha mamit tim një fletëpalosje të shkollës kur më përjashtoi, -iu përgjigj Ezekieli. Ajo hapi sytë me habi.

-Mos më thuaj që e njëjta gjë të ka ndodhur edhe ty?? -Kaideni pohoi me kokë po aq i habitur.

-Çfarë po ndodh? -misteret sa vinin e shtoheshin, koha zvogëlohej dhe rreziku rritej.

-Po ndodh shumë, prandaj duhet të largohemi sa më parë që këtu. Nëse ia dalim, mund të denoncojmë shkollën, -të tre panë njëri-tjetrin duke mbajtur një pauzë të gjatë e duke reflektuar.

-Si... Si ka mundësi që askush nga ata që kanë dalë, nuk e kanë denoncuar shkollën deri tani? -theu heshtjen Ezekieli. -Kjo do të thotë, do të thotë se... Ata nuk dalin kurrë që këtu?

-Semi është në rrezik! -Anahera u largua duke vrapuar për të folur me të.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now