♡14♡

364 58 58
                                    

Gjatë atyre njëzet e tetë muajve qëndrim atje, kishte ecur shumë herë në atë korridor, por asnjëherë me një qëllim të qartë në mendje. Sepse nuk donte të dilte. Pavarësisht ushqimit të keq, dënimeve dhe jetës së tmerrshme, nuk donte të dilte. Sepse çfarë do të bënte nëse do të dilte? Përderisa prindërit e tij nuk ishin interesuar për të pas një viti, kjo do të thoshte se ata nuk e donin. Nuk e donin dhe në këtë mënyrë e hoqën qafe. Ai nuk kishte një shtëpi, nuk kishte një familje. E humbi atë gjashtëmbëdhjetë muaj më parë. Humbi motivin për të dalë që aty. Por tashmë kishte një motiv të ri. Edhe ai pretendonte se i kishte harruar, ashtu siç bënë ata me të. Tashmë donte të dilte që aty që të krijonte një jetë të re. Larg të gjithëve. Vetëm ai dhe jeta e tij.

-Sërish ti, Kaiden Dalton, -nuk i dinte emrat e të gjithëve atje, por disa nxënës i bënin përshtypje dhe i fiksonte lehtësisht. Nxënës të tillë si Kaideni dhe Anahera. -Ke qenë shumë i qetë për disa kohë, por shoh që qenke aktivizuar sërish. Ndonjë arsye për këtë rikthim?

-Quhet arsye nëse them se më mungonte vendi këtu? -tha dhe lëvizi karrigen që të ulej edhe pse drejtori nuk i kishte thënë gjë.

-Njerëz si puna jote i kërkojnë telashet me zor. Të është shëruar shpina? -ai shtrëngoi dhëmbët sapo drejtori i kujtoi dënimin e një jave më parë. Por nuk duhet të binte pre e fjalëve të tij. Kështu rrezikonte të merrte një dënim të ndryshëm nga çfarë e kishte parashikuar.

-Fatmirësisht po, jeta e mrekullueshme këtu na ka bërë të fortë, -ia ktheu. -Prandaj i rikthehemi herë pas here, që të bëhemi edhe më të fortë, -sado ironike të tingëllonte kjo, ishte e vërtetë. Ata po i riktheheshin dënimeve, por për të fundit herë. Ose të paktën kështu shpresonin.

-Dhe çfarë ke bërë kësaj here? -thithi llullën që mbante në gojë dhe lëshoi një re të vogël tymi në dhomë.

-Në fakt të them të drejtën, kësaj here isha i pafajshëm, -nisi ai të shpjegohej. -Thjesht isha duke biseduar me rojet, dhe ata më nxorrën gjithë nervat e tyre. E di që lodhen gjithë ditës duke mos bërë asgjë, por unë thjesht po i argëtoja. Ndërsa ata ma shpërblejnë në këtë mënyrë, -u përball me një shikim të vëngërt të njërit nga rojet. Ishte sërish ai që qëndronte në anën e djathtë. Ai shikim ishte kërcënues, si të donte ta godiste nga momenti në moment, nëse s'do të ishte për prezencën e drejtorit atje.

Ky i fundit qeshi. E dinte që sa herë Kaideni i përmendte bisedat me rojet, ai i kishte inatosur ata, dhe si pasojë, e kishin çuar në drejtori. Në dukje të gjitha ishin veprime fëmijësh, por në atë mes dikush vepronte me plan, e dikush me nxitim.

-Mos më shqetësoni më për të tilla gjëra të kota, -tha ai. -Mund t'i vendosni vetë një dënim herës tjetër, -sikur ta dinte se nuk do të kishte herë tjetër, nuk do të fliste kështu. -Çojeni në izolim, dhe mbajeni aty për disa orë, -çdo gjë po shkonte sipas planit. Edhe pse ishte ende fillimi, ndonjëherë arratisja dukej më e thjeshtë.

Nga dhoma e qëndrimit në drejtori, dhe nga drejtoria te dënimet. Më në fund te vendi pa asnjë kamerë. Të mos ketë asnjë kamerë do të thotë të mos ketë asnjë gjurmë. Deri tani asgjë nuk kishte shkuar keq. Por në atë vend pritej gjithçka.

-Të thamë që do ta pësosh djalosh! -thanë teksa shtynë Kaidenin për ta futur në dhomën e izolimit, një nga shumë dhomat që ndodheshin në atë ndërtesë. Dhoma ishte shumë e vogël dhe e errët. Vetëm një dritare e vogël që ndodhej lart mjaftueshëm për të mos u arritur nga gjatësia e një njeriu bënte të mundur futjen e dritës. Mund ta ndiente të ftohtën dhe erën e mykut që në momentin e parë. Muret kishin lagështirë dhe me siguri të dënuarit në dimër me izolim vdisnin nga i ftohti. Ndërsa dera ishte e hekurt dhe vetëm një hapësirë e vogël e çarë e saj lejonte përballjen sy më sy të rojeve me të dënuarin. Nuk ishte hera e parë që Kaideni merrte atë dënim, gjithashtu nuk ishte hera e parë që ai e kalonte kohën e përcaktuar atje duke irrituar rojet. Ishte diçka që nuk do të linte aspak dyshime. Plani ndoshta ishte shumë i mirë. Ose ndoshta ashtu dukej.

Vrojtoi me vëmendje çdo cep të asaj hapësire të rrethuar nga katër mure, por nuk pa asgjë që të mund ta ndihmonte, kështu që vendosi të fuste fjalët në punë.

-Më në fund takova rojet e mia të preferuara, -ata bënë sikur nuk dëgjuan gjë. As mimikën në fytyrë nuk e ndryshuan, madje as sytë nuk i pulitën. Rojet atje ndonjëherë të frikësonin.

-Më kishte marrë malli për ju, -vazhdoi ai, -kemi kaq shumë kohë pa u parë. -ata sërish nuk i kthyen përgjigje. -Me siguri, duhet të jeni shumë të aftë që punoni këtu. Dënimet janë pjesa ime e preferuar në fakt. Këtu është komplet jetë tjetër.

-Nuk çuditem si e sollën këtu, -iu drejtua njëri nga rojet tjetrit që kishte përbri.

-As unë, -Kaideni shfrytëzoi rastin për të hyrë në diskutim, -jo të gjithë i përballojnë fjalët e mia si ju. Ju përgëzoj djema! -sërish nuk mori përgjigje. Tani e kuptonte si ndihej Semi kur e pyeste për diçka dhe ai nuk i përgjigjej. -Po nëse dikush përpiqet të arratiset që këtu? Që nga dhoma e izolimit? -hyri në temë. Nga ky moment gjithçka që do të ndodhte apo që do të thuhej ishte çështje fati.

-Është e pamundur, -tha njëri prej tyre duke qeshur me ironi. -Dhoma e izolimit ka vetëm dritaren e vogël që askush nuk e arrin dot, por edhe nëse e arrin, nuk do të mund të dalë dot që aty. Dera është e fortifikuar me katër kyçe të ndryshme, plus që rojet nuk do të lejonin asnjëherë daljen e dikujt nga këtu pa përfunduar dënimi. Kështu që s'ka asnjë mundësi dalje. As edhe një kalim i fshehtë apo gjëra të këtij lloji, -përderisa përmendi kalimet e fshehta, kjo do të thoshte se nëse nuk kishte kalime të fshehta në atë dhomë, do të kishte me patjetër në një pjesë tjetër të ndërtesës. Kjo ishte diçka që u duhej me patjetër. Me kalime të fshehta do ta kishin shumë më të thjeshtë, por duhet të mësonin më shumë për to, kështu që Kaideni vazhdoi të fliste.

-Jam i impresionuar nga siguria e lartë, madje dua të them se do të doja shumë që ndoshta në një të ardhme unë të punoja këtu me ju, por fatit asnjëherë nuk i dihet. Vras mendjen nëse ia ka dalë të arratiset dikush nga kjo shkollë. Më duket e pamundur në fakt.

-Kanë provuar shumë, por asnjë s'ia ka dalë, -nisi të fliste roja që qeshi me ironi pak më parë, -Në fakt më qeshet kur shoh përpjekjet e tyre. Disa përpjekje janë fëmijënore.

-E kam parasysh, arratisje nga mensa për shembull, apo jo? Duke vrapuar si i çmendur për të dalë, -ishte i kujdesshëm që njëkohësisht me marrjen e informacionit, të mos linte gjurmë.

-Ajo dhe të tjera. Për shembull të tentosh të arratisesh nga dhoma e izolimit. Është e pakuptimtë!

-Po çdo lloj tentativë për arratisje e pakuptimtë më duket mua, -tashmë dukej sikur edhe Kaideni ishte pjesë e tyre dhe bashkë po bënin thashetheme rreth nxënësve të tjerë. Duhet të sigurohej të binte dakord me çdo mendim të tyre. Të mos kundërshtonte. Kështu do të merrte informacionin që i duhej.

-Normalisht, -pohoi roja, -vetëm nëse ke bashkëpunëtor të brendshëm.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now