-Ti je nam, për Zotin.
-Po se çfarë. Ngeli duke m'i futur duart në gjoks! "Avash mi," - i thashë. "Janë të miat ato!"
-Je debile, përfundimisht.
Ia plasi një të qeshure të fortë, aq sa gllënjka me lëng bravo që kishte futur në gojë për pak desh i doli e gjitha jashtë. Përkuli trupin përpara nga e qeshura e madhe dhe njërën dorë e vendosi në bark si për të qetësuar dhimbjen.
-Pse moj, ç'faj kisha? - vazhdoi qetë pak më vonë teksa fshinte cepat e syve prej lotëve. -Në provim po hyja. S'kisha ndërmend të krijoja atentat ndaj Lencit.
Lenci ish pedagogu shtatëdhjetë e dy vjeçar, tipik i profesorëve shqiptarë të kohës së komunizmit, i cili kish refuzuar të largohej prej punës edhe pse kishte dalë në pension. Ishte nga ata, syzet e të cilëve dukej se rëndonin më tepër se trupi, flokët e bardhë tepër delikatë i dalloheshin vetëm anëve të kokës, në njërën dorë gjithmonë i qëndronte një çantë e vjetër ngjyrë gri e errët, dhe çdo ditë e shihje me të njëjtin kostum në po të njëjtën ngjyrë si të çantës. Kurrë i buzëqeshur. Historikisht fytyrëvrenjtur.
-E të mendosh se s'ishte as provim i mirëfilltë, thjesht një shkresurinë koti që më ka stresuar për një javë rresht. Donte zotëria të kuptonte se sa mbanim mend prej vitit të kaluar! E ku janë parë këto budalliqe?!
Luela, e urta e grupit, ajo që gjithmonë rrinte mbi libra që në momentin kur zgjohej e deri kur ndiente nevojën për të bërë një sy gjumë, më në fund kishte plasur.
-Dhe për gjithë këtë budallik, na rri Marjeta si hu te dera e klasës për të na kontrolluar!
-Fol shpirt, qenke shumë e ngarkuar më duket, - ia ktheu me të qeshur duke vendosur mjekrën mbi pëllëmbë.
Por kur vajza deshi të fliste, tashmë disi në siklet prej atij shpërthimit të saj të pazakonshëm, ngritja në këmbë e Joanës dhe hedhja shkujdesshëm në sup e çantës ia ndërpreu të gjitha mendimet.
-Ejani tani, se na fillon mësimi. Lenci ta ngjesh mungesën direkt, edhe po të shkosh gjysmë minute me vonesë.
La lekët në tavolinë para se të ngrihej, teksa shihte se Luela kish dalë para me Joanën dhe Xhoja kishte mbetur pas me Marion. Ai i buzëqeshi lehtë kur shikimi i saj kaloi instiktivisht drejt tij.
-Ç'i çaplon sytë?
Shakaja u prit prej Marios me një hedhje krahu në supin e saj, duke e tërhequr pranë vetes ndërkohë që i drejtoheshin universitetit, i pozicionuar në anën tjetër të rrugës.
-A dalim një herë nga qendra më vonë?
-Ta paska qejfi? S'dua.
Shtrëngoi buzët për të mos u dukur se po buzëqeshte.
-Mos u bëj kaq e keqe. Betohem se do të të ble akullore me oreo në një kaush biskote.
-Aaa, kjo mund të ma marrë mendjen, - iu përgjigj si një fëmijë, shumë shpejt duke nxituar ta godiste lehtë me bërryl në stomak.
Tjetri qeshi me veprimin e saj. Ia shpupuriti flokët - edhe pse Xhoja me mijëra herë e kish kërcënuar për të mos e bërë atë gjë - dhe pastaj hoqi krahun kur u përzien me grumbullin e studentëve të tjerë.
-Afroje këtu atë dorë. E poshtër qensha po s'ta preva!
-Çfarë do t'i presësh ti o xhan po hajde luaji këmbët.
Joana e shtyu nga kurrizi për të hyrë në klasë.
Lenci kish ardhur.
Pa folur, me kokën ulur që të mos ndeshnin në shikimin e tij të rreptë, u ulën diku nga fundi dhe qetësisht hapën çantat për të nxjerrë prej tyre librat pesëqind faqësh. Ç'motivim të madh që kishin për të mësuar, e të mendosh që ishte thjesht fillimi i vitit të dytë shkollor.
-Dhe siç po thoja, - vazhdoi Lenci, dukshëm i pakënaqur me vonesën e katër studentëve, - psikologjia konjitive fitoi rëndësinë e saj si një nënfushë e psikologjisë në fund të viteve '50 dhe '60. Ajo është e ndikuar...
"Oh Zot, sërish histori," - mendoi Xhoja e dëshpëruar, shumë e sigurt se edhe sot, ashtu si dhe gjithë herët e tjera kur profesorët e lidhnin lëndën e tyre me historinë, nuk do kish aspak nerva të përqëndrohej. Thjesht ia nguli sytë Lencit gjithë vëmendje, sikur të ishte vërtet e interesuar. Në vend të kësaj, mendja e saj fluturonte tjetërkund.
I kishte pirë antidepresivët sot?
Mos ndoshta duhej të blinte të tjerë, sepse mesa mbante mend kutia e ilaçeve ishte drejt fundit?
Kur e kishte takimin me doktorin? Këtë javë apo javën tjetër?
Vuri re se duart filluan t'i dridheshin. Edhe pas pesë vitesh, vazhdonte sërish e njëjta gjë. Edhe pse pretendonte se çdo gjë kishte mbaruar, frika se mos ndoshta e shkuara përsëritej nuk i ishte larguar kurrë.
"Jo sërish, jo tani."Ndjeu se dikush e goditi lehtë në krah disa minuta më vonë. Joana. Ajo i bëri me shenjë drejt Lencit, i cili atë ditë çuditërisht dukej se e kishte mbyllur shumë shpejt seancën e tij mësimore.
-Dua t'ju njoftoj se sot është dita e fundit që do më shihni si pedagogun tuaj, - dha lajmin e mrekullueshëm për të cilin gjithë studentët ishin lutur për kushedi sa e sa vite.
Ai heshti për disa çaste, ndërsa klasa filloi të mërmëriste me të ulët.
-Javën tjetër do shihni pedagogun e ri, Joel Kraja. Përveç "Psikologjisë konjitive" që do ta zhvilloni në të dy semestrat, me të do mësoni gjithashtu edhe "Inteligjencën emocionale". Sigurisht, kjo vlen vetëm për ata studentë që kanë zgjedhur këtë lëndë.
Fytyrat e studentëve ishin ndriçuar të gjitha, edhe pse e dinin shumë mirë se ishte një veprim krejt i pasjellshëm: të gëzonin për largimin e Lencit përballë syve të vetë atij.
-Dhe sot, si herë e fundit, mendoj ta mbyllim me kaq. Mund të largoheni.
Një ngatërresë kolosale u krijua kur grumbulli i studentëve u ngrit automatikisht në të njëjtën kohë. U përpoq të buzëqeshte dhe të largonte mendjen nga e shkuara, e sigurt se kjo do funksiononte sërish për aq kohë sa ajo jepte maksimumin e saj.
-Sot do dalim me patjetër, - foli Joana e buzëqeshur sapo dolën jashtë universitetit. -Nuk dua asnjë justifikim, se në të kundërt ju vij në shtëpi e ju tërheq për flokësh. Dhe ti, - iu drejtua Xhojës me kërcënim, - mos më thuaj atë gënjeshtrën tënde të përhershme "Do shkoj të shoh prindërit." Sa ishe javën e kaluar në Pogradec, nuk i ha këto unë.
-Të ma paguash ti drekën dhe unë të mos vij? Pse moj, u çmenda unë? Aty më ke! Më trego vendin dhe puna është e mbyllur!
Dhe ndërkohë që ata diskutonin se te cili restorant do shkonin, Xhoja s'mundi të mos mendonte sërish të njëjtën gjë.
E kishte pirë antidepresivin sot?
YOU ARE READING
Dhe zemra shërohet një ditë
General FictionXhoja ka pretenduar gjithmonë të jetë versioni më i mirë i vetes, shembulli më perfekt që dikush mund të shihte. Aktrimit të saj i vjen fundi kur një dobësi e çastit e bën të shkrehet në lot përballë një të huaji. Problemi? Ditë më vonë sheh të një...