3

411 33 45
                                    

Ditët ishin rrokullisur njëjtë si gurët në tatëpjetë, dhe Xhoja me plot gojë mund të thoshte se i ishte përmbajtur premtimit që i kish bërë vetes. Brenda javës ish kthyer sërish në atë vajzën moskokëçarëse dhe të pabindur, që qeshte me çdo gjë të mundshme që dëgjonte dhe bënte shaka vend e pa vend, sapo t'i jepej mundësia. Antidepresivët e kishin bërë punën mirë, dhe tashmë mendonte se as që ishte nevoja të shkonte të vizitohej prej doktorit.

-Hë mor Joel, shumë po vonohesh, - foli e paduruar Joana duke trokitur bangën lehtë me gishta.

Për herë të parë pas një viti shkollor, në sallë ishin mbledhur të gjithë studentët. Asnjë mungesë e vetme. Çdokush prej tyre priste kurioz ardhjen e profesorit të ri, i cili "qe vonuar tridhjetë sekonda" sipas llogaritjeve të përpikta të Joanës.

Në hollin tashmë bosh të fakultetit, sepse gjithë studentët e tjerë ishin futur në klasat e tyre përkatëse, filluan të dëgjonin hapa ritmikë.

-Po vjen!

Xhoja nënqeshi, e çuditur nga gjithë ky interesim i madh i shoqes së saj teksa vetë kokën e mbante ulur, njërën këmbë e kish vendosur mbi tjetrën dhe në prehër mbante telefonin. Shorts-at në youtube ishin ku e ku më interesante sesa një pedagog me shumë mundësi arrogant dhe tejet i ftohtë.

-O nëne, ky qenka Perëndi!

Në rregull, s'kish pse e mohonte faktin se këto fjalë dhe mërmërimat e shumta të vajzave nga fundi i sallës i bënë goxha përshtypje, aq sa mbylli telefonin dhe vendosi të ngrinte kokën për të hedhur një vështrim.

Ngriu e gjitha. Gjysmëbuzëqeshja që kish vendosur në fytyrë u davarit në çast, njëjtë siç bora shkrihej prej një rrebeshi të fortë.

Ishte ai. Djali i së premtes së kaluar.

-Përshëndetje të gjithëve. Profesor Lenci duhet t'ju ketë lajmëruar për ardhjen time, - foli tejet i shpenguar teksa i afrohej bangës së vet për të lënë mbi të tre-katër libra.

Pasi atij veprimi, u mbështet në tryezën e gjatë dhe iu hodhi një vështrim të gjithëve. I hodhi një vështrim edhe asaj siç kish bërë me gjithë të tjerët. Asnjë reagim që të dukej se e kishte takuar dikur, që kishte folur me të dhe e kishte ngushëlluar.

-Po supozoj se dini mjaftueshëm rreth meje, ndaj...

-Vetëm emrin tuaj dimë, Joel Kraja.

Alesia, kur shihte se ndonjë pedagog nuk ishte i sertë si të tjerët, s'mundej të mos i shfrytëzonte mundësitë e servivura me aq hijeshi.

-S'besoj se është e nevojshme të dini më tepër për një pedagog, apo jo?

-Ndonjë problem s'do kishte edhe sikur të mësonim më shumë.

-Le të ruajmë distancën. S'është e shëndetshme për një studente të krijojë afrimitet me profesorin, - ia ktheu me një nënqeshje krejt të pashpjegueshme në buzë.

"Si gjithë djemtë e tjerë, - mendoi Xhoja pasi hoqi sytë e bezdisur prej tij. -Ç'më tha mendja kur mendova se një 28-vjeçar do kishte pasion dijen në vend të një vajze gjysmë të veshur?"

-Për Zotin, - i mërmëriti me të ulët Joana për t'ia tërhequr vëmendjen, - po të mos e kisha Andin, unë do ta kapja me zor këtë!

-Është thjesht një provokator që pretendon se nuk mendon për seksin kur sytë e tij tregojnë të kundërtën. Çfarë ka kaq të veçantë këtu?

Përgjigjia ironike që ktheu dhe rrotullimi i syve u pritën me një turfullimë inati nga ana e Joanës, ndërkohë që Joeli filloi të thoshte një nga një emrat e studentëve për t'u siguruar se askush nuk mungonte.

-Tani do të të them një gjë: do jesh kokrra e budalles po të mos përpiqesh të lidhesh me të.

-Ti ke rrjedhur. Po unë s'u çmenda! Ta kap robin e botës e t'i them "Lidhu me mua se kështu thotë Joana!".

Ajo nuk pati mundësi t'i kundërvihej, se profesori iu hodhi një shikim të dyjave si për t'iu thënë se po bënin zhurmë, sado që ato të dyja pretendonin se ishin duke folur me një zë vërtet të ulët.

Pas kësaj, për të vërtetuar çmendurinë dhe budallallëkun e saj, Xhoja hapi sërish telefonin dhe e çoi te kontaktet. Kontrolloi emrin e tij, veprim të cilin as që ish kujtuar ta bënte pas takimit me të huajin.
Joel. Joel...
Si ishte treguar aq fëmijë?! Çfarë kishte menduar kur i kishte treguar episodin më të keq të jetës së saj atij?

-Shkofsh në djall, - iu drejtua vetes e acaruar, pa u menduar se fjalët e saj, edhe pse u thanë me një zë disi të ulët, do përhapeshin në sallën e madhe dhe të qetë si të ishte duke bërë një bisedë normale.

Ngriti kokën qetësisht, për t'u ndeshur me dhjetëra shikime që qenë drejtuar tek ajo. Edhe shikimi i tij prehej mbi sytë e saj.

Buzëqeshi shkujdesshëm për të fshehur faktin se qe vendosur në siklet.

-Paskam folur me zë të lartë, kërkoj ndjesë.

Si një mënyrë për të fshehur faqet e skuqura, uli kokën sërish dhe vazhdoi të merrej me telefonin e saj. Kjo ndodhi deri në momentin kur prej buzëve të profesorit u shqiptua emri i fundit në listë: Xhoja Shehu. Që nga ky moment e futi telefonin në xhep dhe nuk e preku më për dy orë të plota, orë gjatë të cilave Joeli e habiti krejtësisht. S'kishte menduar ndonjëherë se të dëgjonte për strukturën e trurit, për ndërtimin dhe funksionet e tij do të ishte gjëja më interesante që mund të mësonte në shkollë. E pranonte se meritat për këtë i merrte profesori i ri, sepse Lenci një mësim të tillë do ua kish bërë të gjithëve ferr duke iu thënë pikë e presje çdo fjalë të librit, pa u lodhur aspak duke shkruar në dërrasë konceptet kryesore, përkufizime shumë herë më të lehta se ato të librit, apo duke iu demonstruar çdo lob të trurit me projektor.

-Dhe si detyrë, dua që të përshkruani se si gjenerohen sinjalet elektrike dhe kimike nga neuronet, si dhe të krahasoni funksionet e ndryshme të trurit të përparmë, trurit të mesëm dhe atij të pasëm.
Tani jeni të lirë të largoheni.

Mori çantën e para dhe u ngrit si furtunë prej karriges së saj, se vetëm tani u kujtua sërish për ngjarjen e javës së kaluar dhe ndjeu parehatinë t'i përhapej në trup, por për fatin e saj të keq s'ishte e shkruar të largohej aq shpejt.

-Xhoja Shehu, qëndro pak këtu, - dëgjoi zërin autoritar të profesorit dhe këmbët i ndaloi në çast.

Dhe zemra shërohet një ditëWhere stories live. Discover now