Nuk e kuptonte se sa shpejt kalonin ditët derisa vinte fundi i javës. Tre javë kishin kaluar që kur filloi seancat me Joelin. Tre të premte në të cilat më tepër mendonte për psikologun e saj sesa për pyetjet e tij. E kish të vështirë të fokusohej kur mendja i shkonte tjetërkund dhe zemra i rrihte fort. E shihte në sy dhe gjithë truri i zbrazej, harronte fjalët që ai kish thënë, harronte përgjigjen që duhej të jepte. Dhe duhej ta pranonte se aty-këtu edhe kishin shkëmbyer ndonjë puthje të vogël e ndonjë prekje, ishte diçka që nuk mund ta shmangnin.
Ato pak seanca që kishin bërë qenë mjaftueshëm efektive. Terapia deri tani kishte funksionuar më së miri, aq sa Xhoja më në fund po e ndiente shpirtin e saj disi më të lehtë, dhe ndjenja e pendimit ngadalë po largohej për t'i lënë hapësirë pranimit dhe dashurisë që nuk do zbehej kurrë.
Në atë kohë, kur vetëm një javë i ndante nga marrja e pushimeve të fundvitit, gjithë studentët e departamentit të psikologjisë kishin rënë dakord që atë të shtunë të festonin në një klub të Tiranës.
Çdo person mund të merrte cilin shoqërues të donte, por Xhoja nuk donte të rrezikonte duke ftuar Joelin, ndaj kish vendosur të merrte Klevisin me vete. Dhe për më tepër Joeli i pati thënë se kishte plane të takohej me familjen e vet atë mbrëmje.-Nuk do qëndrojmë andej nga fillimi,- po i thoshte shokut kur u futën brenda në ambientin ku kënga buçiste, - se nuk dua të shohim Alesian. Ja, le të shkojmë atje te Joana dhe Andi.
E tërhoqi për dore derisa më në fund arritën te dy të tjerët.
-Më në fund erdhe ti Xhoja. Mario dhe Luela duan një vit derisa të vijnë!
-Lëre çiftin e ri se ka emocione. Mario do më plasë ndonjë ditë. Pse të mos ia tregojë ai rob ndjenjat e veta vajzës që dashuron?!
-Mario gjithmonë kështu ka qenë. Shih me sy e plas me zemër, - tha ajo para se t'i drejtonte asaj dhe Klevisit nga një koktej me vodka.
Xhoja e vështroi njëherë gotën e vet me dy mendje. Nuk kishte konsumuar ndonjëherë pije alkoolike, përveç ndonjë birre të vetme që mund ta kish pirë shumë rrallë nëpër ditëlindje, megjithatë një zë brenda vetes i tha se do mbante çdo gjë nën kontroll, ndaj më më fund ndau mendjen dhe rrufiti disa gllënjka prej pijes që mbante në dorë.
Mario dhe Luela erdhën gjysmë ore më vonë. Atëherë filloi qejfi i plotë i tyre, me biseda nga më të ndryshmet që i bënin të gajaseshin së qeshuri, aq sa po tërhiqnin edhe vëmendjen e studentëve aty rrotull. Vetëm Klevisi qëndronte heshtur dhe thjesht pinte gotë pas gote. Ai ish tip i shoqërueshëm me të gjithë, nuk e kishte problem të bënte gallata me persona që sapo i kish njohur, ndaj Xhoja e kuptoi se diçka e shqetësonte.
-Vis, çfarë nuk shkon? - e pyeti kur të tjerët shkuan të merrnin sërish koktej.
Ai psherëtiu thellë kur dëgjoi pyetjen e saj, rrotulloi gotën në dorë duke parë se si lëngu shkonte sa nga njëra anë te tjetra, pastaj e ktheu atë me fund.
-Prindërit e Anisës e kanë marrë vesh për mua.
-Shumë mirë, ti gjithsesi kishe menduar të flisje vetë me ta.
-Duan ta fejojnë me dikë tjetër.
La një "Ohh" të vakët t'i dilte prej buzëve, e trishtuar që s'kishte gjë në dorë me të cilën ta bënte të lumtur.
-Por ndoshta Anisa ua ndryshon mendjen. Ata s'mund ta fejojnë me forcë me dikë që ajo nuk do.
-Nuk e di ç'do ndodhë Xhoja. Mos u mërzit sa të shkoj të marr një shishe vodka, ky kokteji më duket pa shije.
-Mos më thuaj që do më ngelësh në dorë i dehur? - mërmëriti me veten e shqetësuar tek e shihte të largohej.
Klevisi ish nga ata tipa të cilëve nuk iu binte aq lehtë në kokë pija. Kur kjo gjë ndodhte, atëherë duhej ditur se pas asaj pike ai nuk kish më kontroll mbi veprimet e veta dhe të nesërmen çdo gjë i fshihej prej kujtesës sikur të mos kishte ndodhur kurrë. Në këtë mënyrë vite më parë kishte përfunduar në shtrat me një vajzë që nuk ia dinte as emrin, nuk mbante mend as se çfarë kishin folur e çfarë kishin bërë bashkë. Qe çuditur me veten kur e kish parë t'i flinte në krah, pastaj e kishte lënë vetëm në dhomën e hotelit dhe kishte vazhduar punët e veta duke ia harruar njëherë e mirë fytyrën asaj vajze.
YOU ARE READING
Dhe zemra shërohet një ditë
General FictionXhoja ka pretenduar gjithmonë të jetë versioni më i mirë i vetes, shembulli më perfekt që dikush mund të shihte. Aktrimit të saj i vjen fundi kur një dobësi e çastit e bën të shkrehet në lot përballë një të huaji. Problemi? Ditë më vonë sheh të një...