21

377 40 59
                                    

Atë vit bëri më ftohtë se çdo vit tjetër që kish kaluar. Bora ngjante bukur në qytetin e Pogradecit. Qielli qe pushtuar nga një zymtësi e frikshme, aq sa dukej sikur mund të binte i gjithi mbi trupat e njerëzve nga çasti në çast, por bardhësia rrotull falte një ndjesi paqeje dhe përkatësie. Në bredhat e shëtitores bora kishte krijuar kristale që fëmijët e vegjël zgjatnin duart t'i kapnin, ndërsa rrugët qenë ngrirë të gjitha si pasqyrë e lëmuar.

"Hajde rrëshqasim në akull!" - i pati thënë Matildës atë mëngjes të acartë sikur të ish akoma ai fëmija i vogël dhjetë-vjeçar që iu lutej të gjithëve për të dalë jashtë.
Dhe dolën, madje rrëshqitën për dy-tre orë bashkuar me tufën tjetër të fëmijëve që i shihnin ato si të ishin të shkalluara, derisa një pakujdesi e bëri Xhojën të binte si thes në tokë e të ndrydhte dorën.

-Po ç'të duhet o bijë që ia kërkon të keqen vetes! - i tha e ëma kur Xhoja shkoi në shtëpi e zbehtë dyllë në fytyrë. -Shko ulu te kolltuku pranë zjarrit sa të thërras Mirën të ta fërkojë dorën.

-Grua, më mirë ta çojmë në spital. Ajo Mira e nis për t'i fërkuar dorën e pastaj i lëviz fare ndonjë kockë!

-Ç'i ke këto llafe mor Arjan! Mira është njëshkë për këto punë! Ke për ta parë, do ta fërkojë për bukuri, pastaj unë do ia mbështjell dorën me qepë e me kripë e të nesërmen Xhoja do jetë fil, sikur të mos jetë rrëzuar kurrë.

-Me qepë?! - tha Xhoja e pështirosur duke mbledhur fytyrën. -O ba, më ço në spital!

-Jo jo, prit këtu se për një minutë do të ta sjell Mirën!

E ëma u largua me nxitim ndërkohë që Xhoja përtypej vazhdimisht dhe afronte këmbët pranë oxhakut për t'u ngrohur. Matilda, e ulur në krah të saj, mezi po e mbante të qeshurën që nuk e dinte pse e kish kapur aq keq në ato momente.

-Matilda, do shkojmë në bibliotekë sot? Dua të marr një libër nga Nicholas Sparks, - u përpoq Xhoja të hapte një bisedë, të paktën kjo ishte më mirë sesa ta mbante mendjen gjatë gjithë kohës te dora e ndrydhur.

-Rrugët janë ngrirë të gjitha. Je e sigurt që nuk do rrëzohesh dhe këtë herë të ndrydhësh këmbën?

-A ka mundësi të mos tallesh?! Kam qejf të dal, të shoh dhe zbukurimet që kanë vendosur pranë bashkisë dhe rrugës nëpër dyqane! - u ankua e mërzitur prej mohimit të kësaj mundësie.

Atmosfera e festave në Pogradec i ngjallte kujtime të bukura fëmijërie. Do ndihej tmerrësisht keq nëse e privonte veten prej përjetimit të tyre.

-Po dolët, merrni dhe Klevisin me vete. Kujdeset ai për ju.

-Klevisi ku e ku të ruajë kokën e vet.

-Dhe mundësisht edhe të na nxjerrë ndonjë këmbë para që të na pengojë!

-Ose të na i fusë kokat në borë.

-Avash moj avash, jo po t'ju vras fare, - dëgjuan zërin e tij gjasmë të lënduar.

Xhoja ktheu kokën ta shihte. Ai po qëndronte te dera duke dëgjuar fjalët e tyre, deri në momentin kur Arjani i bëri me shenjë të futej brenda e të ulej në divan.

-Po ti kur erdhe?

-Tani. Dëgjova nga teta Marsela që kishe ndërruar dorën. Si je?

-Për mrekulli! S'ta mbush syrin?!

Ndonjëherë harronte se dikur e kish puthur, aq normalisht kishte vazhduar shoqëria e tyre. Xhoja vetëm ditët e para ish munduar prej kujtimit të asaj ngjarjeje. Tani vazhdonin të shoqëroheshin bashkë dhe të shijonin në maksimum ato pak ditë pushime që iu kishin mbetur në dispozicion.

Dhe zemra shërohet një ditëOnde histórias criam vida. Descubra agora