Të gjithë qenë larguar.
Joana, e cila u largua e fundit dhe gjatë gjithë kësaj kohe s'mundej të mos i thoshte Xhojës: "E kape veten, tërë ky djalë!", mbylli derën ngadalë pa harruar t'i jepte shoqes edhe një buzëqeshje tjetër dinake.Mori frymë qetësisht kur mbetën vetëm. Me vështrimin drejt, në dërrasën që akoma vazhdonte të ishte e gjitha e shkruar, u mbështet lehtë mbas bangës së parë për t'u siguruar se këmbët nuk do t'i dridheshin.
Joeli iu afrua, derisa i qëndroi vetëm dy hapa larg. Dhe nuk pati mundësi të shihte tjetërkund veçse në sytë e tij kafë me nuanca, sepse trupi i tij zuri gjithë pamjen që ajo po shihte me aq dëshirë.
-Mendoja se do më shkruaje.
-Bëra mirë që nuk ju shkrova. Është pak e pakëndshme të mendoj se jam hapur aq shumë me një profesor.
-Mbi të gjitha jam një psikolog, s'ke pse ndihesh keq për atë çka ndodhi.
U ngërdhesh lehtë pa ia ndarë vështrimin.
-Ishte thjesht një dobësi çasti, dhe do më pëlqente shumë sikur ta harronit të gjithë ngjarjen.
Ai nuk i ktheu përgjigje për një çast, po vështroi gjithë fytyrën e saj si të ishte duke e analizuar. Momentin pasues, iu afrua më tepër dhe vendosi duart në dy anët e bangës, duke krijuar kështu një afërsi tepër provokuese.
-Profesori do të të mësojë shumë mirë se dobësi çasti nuk mund të quhet ajo që është grumbulluar në mendjen e dikujt për vite me radhë, - i tha me një nënqeshje atraktive në buzë.
-Do t'i lutem profesorit të më mësojë vetëm ato që përmban libri, s'kam nevojë për mësime shtesë.
Buzët e tij u lakuan akoma dhe më tepër për të formuar një buzëqeshje të lehtë.
-Ti nuk dëshiron kurrë që tjetri të thotë fjalën e fundit, kështu?
-Keni të drejtë. Dhe më duhet t'ju kujtoj se s'është e shëndetshme për një profesor të krijojë afrimitet me studenten.
Ai u largua ngadalë prej saj pas atyre fjalëve, por shikimin nuk denjoi t'ia hiqte.
-Ndonjë kërkesë, profesor? Diçka që mund të bëj për ju? - pyeti gjasmë për mirësjellje teksa lëvizte prej pozicionit të saj, veprim që sinjalizonte se donte të largohej.
-Kujdesu për veten Xhoja, kjo është gjëja më e mirë që mund të bësh, - iu përgjigj qetë, tepër serioz, para se të merrte librat që kish lënë në tavolinë e të largohej prej klasës para saj.
Xhoja e vështroi ikjen e tij pa reaguar. Ngriti pak rripin e çantës kur kuptoi se kjo e fundit po i binte prej supit, pastaj mblodhi veten dhe doli jashtë atij ambienti mbytës.
Destinacion kish lokalin përballë universitetit, atje ku grupi i saj po e priste. Në raste të tjera do ishin nisur menjëherë për në shtëpitë e tyre, por ndryshimi që i kishin bërë orarit pikërisht ditën e djeshme nuk ua lejonte diçka të tillë. Që tani e tutje, të premten nuk do ta mbyllnin vetëm me dy orë mësim si çdo të premte tjetër, por do bënin edhe katër orë të tjera leksion që i kishin zëvëndësuar me të martën.-Joana, mos fol më se më çave veshët, - dëgjoi fjalët e Marios menjëherë sa iu afrua tavolinës së tyre.
-Uuu, erdhi Xhoojaaa, - e shpërfilli Joana Marion dhe vazhdoi me ngacmimet e saj. -Po hë moj xhan i profesorit, çfarë ndodhi?
-Aman, përgjigju shpejt se me këtë muhabet ka një orë që na mban këtu, - hiperbolizoi Luela, e cila edhe vetë e pranonte se ishte kurioze për përgjigjen e Xhojës.
-Pse mi Joan, të gjitha do t'i dish ti? Po nejse, po ta them. Më puthi profesori, ke inat?
-Puthje franceze? - ia mbajti shakanë duke bërë si shumë e emocionuar, çka shfaqej qartë nga duart që i bashkoi si fëmijë.
-Jo, puthje shqiptarçe nga ato të shpifurat fare. S'di profesori si të puthë, do t'i jap ca leksione.
-O Zot, iku dhe Xhoja, - tha Mario i dëshpëruar. Edhe pepsi që kishte marrë nuk e solli në vete. -Do tregosh çfarë ndodhi?
-Mirë, mirë, - hoqi dorë prej shakave. -Ju tregova për herën e kaluar kur shkuam në restorant, se si më mori Matilda në telefon dhe më tha që nuk ishte mirë. U hutova shumë dhe u përplasa me Joelin teksa nxitoja të largohesha. Sot më pyeti se si isha, asgjë më tepër. I kishte bërë përshtypje gjendja ime, - gënjeu ndërkohë që i bëri me shenjë kamarierit t'i sillte porosinë e saj të zakonshme: bravon me lëng pjeshke.
-Bukuri fare. E nise mirë Xhoja. Tani kape dhe disa herë të tjera kur ta shohësh vetëm dhe punë e mbyllur pastaj, e gjete burrin.
-Kjo ka ikur për skrap. Për Zotin s'është mirë nga mendorja. Xhoja, futja ti një shpullë se nga unë s'merr vesh.
-Ik mor legen se s'di ti. O vajza, e dini ç'do bëj unë? - iu kthye Joana atyre të dyjave duke buzëqeshur si maniake, pastaj vazhdoi sërish pa pritur përgjigjen e tyre. -Do shkoj te klinika e Joelit këtë fundjavë, të ma psikologjisë njëherë mendjen.
-Po çfarë mendjeje të të psikologjisë? Çfarë t'i bëjë atij trurit tënd sa të zogut? Ta shtypë fare?
-Ua ky, më çmendi! Po më bullizon shoku! Dua të qaj! - bëri sikur po qante me të vërtetë, pa e kuptuar se katër-pesë vetë të lokalit ia kishin drejtuar sytë.
Në atë moment, telefoni që Xhoja kish lënë në tavolinë u ndez. E mori me nxitim në dorë që të tjerët të mos e shihnin. I kish shkruar Joeli.
U lehtësua kur kuptoi se shokët, ngaqë ishin shumë të zënë duke debatuar për bullizimin e Marios, as që e kishin vënë re veprimin e saj.
E vendosi telefonin poshtë tavolinës para se ta hapte kurioze."Profesori s'di të puthë? Kur mund t'i marr leksionet?"
Hapi gojën e shokuar dhe ngriti kokën menjëherë. Instikti e shtyu të kthente trupin e të shihte pas vetes. Atje, dy tavolina larg së tyres, gjendej i ulur profesori.
Si dreqin s'e kishte dalluar?!
ESTÁS LEYENDO
Dhe zemra shërohet një ditë
Ficción GeneralXhoja ka pretenduar gjithmonë të jetë versioni më i mirë i vetes, shembulli më perfekt që dikush mund të shihte. Aktrimit të saj i vjen fundi kur një dobësi e çastit e bën të shkrehet në lot përballë një të huaji. Problemi? Ditë më vonë sheh të një...