18

346 38 16
                                    

U ndje sikur sipër vetes i kishin hedhur një kovë të madhe me ujë të ftohtë, efekti i së cilës qe i menjëhershëm. Mjaftoi vetëm ajo fjalë e thënë prej buzëve të Joelit që të binte nga hapësira e universit ku pluskonte lirisht drejt e në Tokë me një përplasje vërtet të pamëshirshme.

Uli Klevisin te stoli më i afërt. Ai vazhdonte të qeshte dhe të pëshpëriste emrin e Anisës, me shumë mundësi duke menduar se qe puthur me të dashurën e tij dhe jo me Xhojën.

-Më lër të shpjegohem, - i tha Joelit me zë të dridhur kur i shkoi pranë.

Me frikë priti fjalët që ai do t'i thoshte, por kuptoi se më e tmerrshme qe heshtja me të cilën ai u përgjigj. Nuk mundej ta lexonte dot, në fytyrën e tij shihte thjesht një ngurtësi të frikshme.

-Të kam gënjyer, e pranoj këtë gjë. Të kërkoj vërtet falje...

I dukej se kokën po ia godisnin me çekan, ndërsa fjalët po ia vidhnin akoma pa dalë mirë prej gojës. Kishte aq shumë gjëra që donte t'i thoshte, aq shumë shpjegime që donte t'i jepte, por rëndesa e kokës nuk e linte të mendonte qartë. Mallkoi veten që ishte dehur.

-Klevisin... e kam dashur dikur.

-Dhe më duket se vazhdon ta duash ende, - shtoi Joeli pa ia ndarë sytë.

-Jo... Nuk është ashtu. Ai është thjesht shoku im. Më ka ndihmuar kaq shumë, më ka qëndruar pranë kur kam pasur nevojë për të, por... nuk ka asgjë midis meje dhe atij.

-Nuk të besoj dot, Xhoja, - tha me zë të ulët duke lëvizur kokën ngadalë sa nga njëra anë te tjetra.

Shikimi që ai i hodhi e bëri të dëshironte që më mirë të zhdukej përjetësisht sesa të duronte zhgënjimin e syve të kaftë, trishtimin e tyre.
Çfarë i kishte bërë? Si kishte mundur ta lëndonte atë, që gjithmonë kish bërë të pamundurën për ta parë Xhojën të buzëqeshur? Si kishte mundur ta lëndonte kur ai vetëm sa e kish dashur? Si e kish... tradhtuar?

-Prit Joel, të lutem mos ik, - i tha duke qarë kur ai u kthye dhe deshi të shkonte te makina e vet për t'u larguar. Ia kapi dorën e ngrohtë dhe i doli para që ta ndalonte. -Të lutem... Më dëgjo. Doja të flisja me ty, por nuk munda. Më vjen shumë keq...

Do donte të kishte vazhduar të fliste, t'i thoshte se e dashuronte, se ajo që kishte ndodhur me Klevisin ishte thjesht një gabim i çmendur që nuk do të thoshte asgjë, por një makinë i ndaloi fare pranë këmbëve dhe prej saj doli Riku.

-Çfarë ka ndodhur? - pyeti ai duke rrudhur vetullat kur pa Xhojën në atë gjendje.

-Thjesht... Merr Klevisin dhe largohu Rik.

-Do më lësh vetëm? - tha Klevisi pa vetëdije kur fjalët e Xhojës i shkuan si jehonë në vesh. -Ti më the se... do flije te shtëpia ime sot.

-Vazhdo Xhoja, - foli Joeli ftohtë. -Kam përshtypjen se gjithçka midis nesh ka qenë thjesht një gënjeshtër.

Zemra i theri sikur t'i kishin ngulur thikë. Lotët ia turbulluan të gjithë pamjen, por vazhdonte akoma ta shihte fytyrën e tij të vrarë dhe shikimin e lënduar.

-Jo, nuk ka qenë! Klevisi as që mendon për mua! Ai do fejohet me dikë tjetër.

-Më lër të të bëj një pyetje, - tha pas pak duke luftuar me veten, i lodhur nga gjithçka. -Nëse ai do të të donte, a do ia kishe treguar ndjenjat e tua? Sepse në këtë moment... po më duket sikur gjatë gjithë kësaj kohe më ke shfrytëzuar për të bindur veten që nuk e doje, ngaqë e dije se nuk mund të kishe kurrë një mundësi me të.

Heshti. A do ta kishte bërë diçka të tillë? A do luante aq poshtër me ndjenjat e Joelit vetëm sa për të lumturuar veten e saj?
Nuk i ktheu përgjigje, vetëm sa e vështroi akoma duke lotuar prej dhimbjes që ndiente në kraharor.

As ai nuk shtoi gjë më tepër. E shikoi edhe një herë i zhgënjyer para se të futej brenda makinës dhe të largohej, duke lënë pas vetëm shtëllungën e tymit të rëndë të makinës.

-Jo... Jo... - pëshpëriste me vete duke u dridhur fund e krye gati për t'u përplasur me tokën. Vendosi duart në kokë e dëshpëruar, e acaruar me veten, e xhindosur me budallallëkun që kish treguar. -Çfarë bëra kështu?...

-Xhoja, do vish?

Riku kishte futur në makinë Klevisin dhe gjatë gjithë asaj kohe kishte vështruar skenën pa nxjerrë as edhe një fjalë prej gojës.

-Jo... Telefono Anisën dhe thuaji të kujdeset për Klevisin. Dhe... dhe mos ia trego Klevisit ato që dëgjove, të lutem.

-Mos u shqetëso, s'ka për të ditur gjë, - tha para se të futej brenda makinës e të largohej edhe ai prej atij vendi.

Xhoja la një ngashërimë të thellë t'i dilte prej buzëve dhe kërrusi trupin për të mposhtur dhimbjen. Arrinte akoma të ndiente aromën e parfumit të tij, të ngecur në grimcat e ajrit që ia përkëdhelnin fytyrën. Ia ndiente ende prekjen që gishtërinjtë e tij i linin mbi lëkurë, butësinë e buzëve që linin shenjë dashurie në fytyrën e saj. Dhe brenda një momenti të vogël, një çasti gati të papërfillshëm, gjithçka u zhduk.
Aroma e parfumit u mbyt prej erës që lëshoi toka e lagur prej shiut, në vendin ku ai e kish prekur e puthur tashmë ndiente vetëm një zbrazëtirë të thellë, asgjë tjetër.

Vendosi dorën në gojë që të mbyste ngashërimat dhe me kokën ulur, me vështrimin ngulur takave që kish veshur, filloi të ecte rrugëve të ftohta e të vetmuara të Tiranës.
Nuk e kuptoi kurrë se si ia doli të shkonte në shtëpi atë natë kur këmbët nuk ndalonin së dridhuri dhe sytë ia ngatërronin gjithë pamjen.
Kuptoi vetëm se kur hapi derën e shtëpisë dhe më pas e mbylli me sa më pak zhurmë të kish mundësi, ishte vetëm. Nuk kishte askënd që ta ngushëllonte, t'ia fshinte lotët prej fytyrës dhe t'i thoshte se gjithçka do shkonte mirë.
Sepse atë person e kishte humbur.

Të vetmin në botë që mund ta bënte të qeshte dhe të harronte dhimbjen.

E kishte humbur.

Dhe zemra shërohet një ditëWhere stories live. Discover now