-Ishte ditëlindja ime e pesëmbëdhjetë, - filloi të tregonte me shikimin ngulur te pikat e shiut që rridhnin në xhamin përballë. -Mbaj mend se u zgjova shumë e lumtur atë ditë. Mezi prisja mbrëmjen, momentin kur do shkonim në restorant për të festuar.
Buzëqeshi lehtë me atë kujtim, pa e ndier se nervozia e kish shtyrë të luante gjatë gjithë kohës me gishtat.
-Pavarësisht gjithë turmës që u mblodh, nuk doja njeri tjetër përveç Reit. Ai erdhi vonë, gjysmë ore para mesnatës, se pronari i kompanisë ku punonte e kishte mbajtur më tepër se zakonisht. Merrej me mend se do acarohesha me këtë fakt. Vetëm një herë në vit e kisha ditëlindjen, të paktën atë ditë të kishte marrë lejë që ta kalonim gjithë kohën bashkë. U acarova akoma dhe më tepër kur mora dhuratën e tij. Një Barbi! Pretendoja se isha e rritur, dhe të merrja dhuratë një kukull m'u duk mjaftueshëm ofenduese. U përpoqa të mos e shfaqja zhgënjimin, por nuk e mohoj dot faktin që nuk i fola aspak për pjesën e mbetur të mbrëmjes.
Tashmë buzëqeshja i qe zhdukur për t'ia lënë vendin një fytyre të trishtuar dhe dy syve të mbushur me lot, të cilët herët a vonë do fillonin të rridhnin në faqet e zbehta.
-Morëm një taksi për t'u kthyer në shtëpi. Vetëm unë me Rein, askush tjetër. Shiu binte rrëke, rrugët qenë mbushur plot me ujë. Rei po bënte disa shaka që të më bënte të qeshja dhe të harroja atë inatin e kotë që ndieja. Jam treguar aq e marrë që nuk i fola, që nuk i thashë se sa shumë e doja!
Shumë lehtë goditi kroskotin e makinës prej dëshpërimit, para se dy duart t'i vendoste në fytyrë për të fshehur lotët. Sërish e njëjta ndjenjë mbytëse, sërish i njëjti gur i pathërrmueshëm që ftohte dhe ngurtësonte brendinë e saj.
-Xhoja, më shiko pak, - dëgjoi zërin e qetë të Joelit, por nuk deshi të lëvizte.
Shkundi kokën e turpëruar prej faktit që po qante përballë tij, përballë personit që dy ditë më vonë do t'i shfaqej në universitet si profesori i saj, me atë autoritetin që i takonte çdo pedagogu.
Ndjeu se ai iu afrua dhe shumë lehtë ia kapi duart për t'ia larguar nga fytyra, si të ish në mëdyshje se mos ndoshta ajo prekje nuk do ish aspak e pëlqyeshme për Xhojën.-Të lutem, mos u përpiq t'i mbash lotët. Është absolutisht në rregull të qash kur ke nevojë.
-Jo...Nuk duhet. Ti je...
-Më shiko në sy, - e ndërpreu pa dashur të dëgjonte vazhdimin e fjalisë së saj.
Ia ngriti mjekrën ngadalë derisa shikimet e të dyve u barazuan, pastaj me një zë tejet të qetë vazhdoi të fliste.
-Dua ta kuptosh se nuk je vetëm, se jemi së bashku në këtë rrugëtim, njëjtë si një skuadër.
Xhoja u përpoq të buzëqeshte midis lotëve. Pohoi me një shkundje të lehtë të kokës dhe ndjeu se Joeli shkoi sërish në pozicionin që kish pak më parë, gati për të dëgjuar vazhdimin e saj.
-Vetëm pesë minuta na ndanin prej arritjes në shtëpi. Nuk e dija ç'po ndodhte jashtë, se gjatë gjithë kohës kokën e mbaja mbështetur pas xhamit për të parë ndërtesat që linim pas. Më duket se shoferi bërtiti diçka, pastaj në momentin tjetër ndjeva trupin e Reit mbi veten dhe një përplasje të fortë. Makina u rrotullua disa herë...Kur çdo gjë mbaroi, hapa sytë për të parë ç'kishte ndodhur. Rei ishte mbi kraharorin tim... Me një copë xhami që i kish depërtuar nga kurrizi në bark...
Lotët iu shtuan më tepër dhe e pati plotësisht të pamundur të vazhdonte të shihte në sytë e Joelit. Tashmë dhimbja e pushtoi të gjithën, aq sa donte vetëm të strukej, të mblidhej sa të mundej se mos ndoshta ashtu pakësonte vuajtjen e thellë të kraharorit.
-Ai vdiq mbi trupin tim... Për të më mbrojtur mua...
Donte aq shumë një përqafim në ato momente, dy krahë që do ta shtrëngonin fort në kraharor e do ia përkëdhelnin butë kurrizin. Joeli bëri pikërisht atë gjë sikur të ishte në mendjen e saj, pa pasur nevojë të dëgjonte kërkesën e Xhojës.
-Nuk pata mundësi t'i thoja se sa shumë e doja... Nuk ia dhashë lamtumirën vëllait tim...
Nje ngashërimë e thellë i doli prej buzëve. Çdo pjesë e trupit i dhimbte, i shponte pa mëshirë. Sytë i digjnin, shikimin s'e kishte të pastër, buza i dridhej, dhe fjalët do t'i mbesnin në gjysmë nëse tentonte të fliste sërish.
-Mund të vazhdojmë një herë tjetër nëse tani nuk mundesh më.
Pas atyre fjalëve, vetëm sa qëndroi në përqafimin e tij për një kohë vërtet të gjatë, pa folur, pa shkëmbyer as edhe fjalën më të vogël, thjesht duke qarë. Duke qarë për atë ngjarje që s'kish guxuar t'ia tregonte askujt veç vetes, që e kish mbajtur brenda për një kohë aq të gjatë.
Qëndroi vërtet shumë në krahët e tij. Nuk ia kishte idenë aspak sensit të kohës, por e dinte se ai lloj përqafimi ishte i pari dhe ndoshta i fundit që mund të përjetonte. Qëndroi deri atëherë kur filloi të qetësohej, kur përveç disa ngritjeve të herë pas hershme të kraharorit nuk mund të ndiente më asgjë tjetër, as të dëgjonte sërish ato dënesat e thella që e patën shoqëruar gjatë thyerjes së saj.
U shkëput ngadalë prej krahëve të tij, për t'u siguruar se do merrte me vete ndjenjën e ngrohtë që ajo afërsi i kish falur.
Kur mbështeti sërish trupin pas sediljes, me një frymëmarrje të thellë oksigjenoi çdo pjesë të trupit të vet.-Mund...mund të më çosh në shtëpi, të lutem? - foli e ndrojtur pa e parë dot në sy.
Ai iu përgjigj me një "Po, sigurisht," para se të ndizte makinën dhe të vazhdonte ngarjen e saj rrugëve të Tiranës. Nuk folën më që prej atij momenti. Xhoja vazhdonte të shihte drejt, e paduruar për momentin kur do dallonte lagjen e saj e më pas pallatin ku do futej. E kur arritën pranë pallatit që e kish menduar gjatë gjithë kohës, Joeli e ndaloi makinën dhe për një çast qëndruan të dy në heshtje.
-Faleminderit, - foli më në fund duke kthyer kokën drejt tij e duke i dhënë një buzëqeshje të vogël. -Për çdo gjë.
-Më kontakto nëse ke nevojë të flasësh sërish.
Edhe ai i buzëqeshi. E para se Xhoja të dilte prej makinës, ndjeu se si Joeli iu afrua dhe i la një puthje të lehtë në faqe.
-Kujdesu për veten, - i mërmëriti pranë veshit para se t'i largohej.
Ajo nuk i tha gjë. Hapi derën e makinës dhe doli jashtë me nxitim pa e kthyer kokën.
Mos ndoshta e gjithë kjo skenë ishte imagjinata e saj?
Po atëherë pse e ndiente akoma faqen e nxehtë dhe dëgjonte zemrën tek i shtonte disa rrahje?
YOU ARE READING
Dhe zemra shërohet një ditë
General FictionXhoja ka pretenduar gjithmonë të jetë versioni më i mirë i vetes, shembulli më perfekt që dikush mund të shihte. Aktrimit të saj i vjen fundi kur një dobësi e çastit e bën të shkrehet në lot përballë një të huaji. Problemi? Ditë më vonë sheh të një...