-Më lësho! Më lësho po të them! - bërtiti fort kundrejt së ëmës, e cila po e mbante për krahu që të mos largohej. -Ai është mirë! Duhet ta kenë ngatërruar me dikë tjetër! Nuk ka mundësi të ketë bërë aksident!
Kthimi në spitalin e kobshëm e kishte bërë të humbiste kontrollin. Ishin të njëjtët mure të vjetër, të njëjtat pllaka plot gërvishtje dhe njolla që s'kishin për t'u hequr kurrë, të njëjtat drita të mekëta që i shkaktonin dhimbje koke, të njëjtët infermierë, të njëjtët doktorë. Kishte rezultuar totalisht gënjeshtër mendimi se përballja me ndërtesën mbushur plot kujtime të dhimbshme nuk do i shkaktonte të njëjtën vuajtje si dikur.
-Shpirt, infermierja e konfirmoi për herë të tretë se emri i të aksidentuarit është Joel Kraja.
Njëjtë si në një ëndërr, zërin e saj e dëgjoi larg, shumë larg, ndonëse realisht e kish shumë pranë vetes.
Një kujtim e goditi menjëherë në atë moment.
"Ai nuk ka shenja jete. Më vjen vërtet keq. Ngushëllime."U drodh fund e krye, gati për të bërtitur sërish se donte ta shihte Joelin, të sigurohej se ai ish mirë, por dëshira e saj nuk u realizua kur vuri re se një polic po iu afrohej.
-Ju jeni të afërmit e Joel Krajës?
-Po, - u përgjigj menjëherë duke i shkuar pranë e shqetësuar.
-Makina e tij është ende në vendngjarje për hetime të mëtejshme. Ndërkohë këto janë sendet që efektivët e policisë arritën të gjenin.
Ai i drejtoi Xhojës një qese të vogël të cilën ajo e mori nxitueshëm sikur atje të ish çelësi i shpëtimit të saj. E shtrëngoi fort në dorë, më pas në kraharor, ndërkohë që me hapa të pajetë i drejtohej stolit të vjetër.
U ul pa frymë në të. Teksa përpiqej aq shumë të mos i linte të rridhnin lotët që qenë mbledhur si gurë në cepat e syve të saj, hapi qesen tepër ngadalë për të vështruar se ç'kish brenda. Telefoni i tij, një pirg me dokumente gjysma e të cilave ishin të makinës dhe në një cep disi të fshehur prej letrave, diçka në një ngjyrë blu të thellë.Nuk pati fuqi të prekte asnjë prej tyre. Mjaftonte shikimi i gjërave të tij për t'ia shpuar kraharorin tej për tej me shigjetë dhe për t'i derdhur disa lot të pabindur, por vuri re se ekrani i telefonit të tij ndriçoi dhe një mesazh u shfaq në të. Një vijë e vogël iu krijua midis vetullave kur mblodhi fytyrën.
"I propozove Xhojës?"
Harroi se ç'do të thoshte të merrte frymë. Harroi se ç'ishte ajri. E vetmja gjë që e dinte me siguri, ishte ndjesia e një sëmbimi të fortë në çdo pjesë të trupit, ndjesia se dikush ia kish hapur kraharorin dhe po ia shtrëngonte zemrën fort për t'ia nxjerrë prej vendit.
Shpërndau letrat plot rrëmujë aty në qese, derisa dora e dridhur ndjeu materialin e butë të kutisë blu. E hapi ngadalë, në çdo lëvizje duke ndier dobësi trupi dhe një dhimbje të pashpjegueshme në kokë.
Një unazë. Një unazë me një diamant të mrekullueshëm. Për të. Për Xhojën.Pikërisht në atë moment, shpërtheu në vaj. Dora e vendosur në gojë për të mbytur dënesat qe më e pavlerë se kurrë, sepse ngashërimat e thella u përhapën në korridorin e ngushtë si zhurmat e këmbanave.
-Më duhet ta shoh. Më duhet ta shoh Joelin!
Por edhe këtë herë, njëjtë si herën e parë, krahët e saj u kapën për të mos shkuar asgjëkundi. Qe Klevisi ai që po mundohej ta qetësonte, po nervat e shkatërruara të Xhojës nuk pyesnin për askënd.
-Zhduku prej meje! Dua të shoh Joelin!
-Xhoja, hajde në vete, çdo gjë do rregullohet.
-Ti nuk e kupton! Nuk dua ta humbas siç e humba Rein! Nuk dua... Nuk dua...
YOU ARE READING
Dhe zemra shërohet një ditë
General FictionXhoja ka pretenduar gjithmonë të jetë versioni më i mirë i vetes, shembulli më perfekt që dikush mund të shihte. Aktrimit të saj i vjen fundi kur një dobësi e çastit e bën të shkrehet në lot përballë një të huaji. Problemi? Ditë më vonë sheh të një...