Një psherëtimë e gjatë ia çliroi kraharorin prej rëndesës. Pa folur, mblodhi gjunjtë rreth vetes dhe kokën e prehu mbi ta.
Po perëndonte. Ngjyrat ëndërrimtare portokalli e rozë vazhdonin të pushtonin pjesën më të madhe të qiellit, teksa disa dallgë të lehta prishnin qetësinë e ëmbël të liqenit të Pogradecit.
Mbajti vesh për të kuptuar gjuhën e tyre, sikur çdo gjë tjetër të kishte heshtur papritur. Nuk e shqetësonte kush, as hapat e disa këmbësorëve që dëgjoheshin larg apo zhurmat paqësore të gjetheve në lisat dhe plepat e lartë.Qenë bërë dy ditë që kish dalë prej spitalit. Duke qenë se mjeku i kishte bërë raport për të qëndruar një javë në shtëpi, kishte menduar të vizitonte këtë qytezë të paqtë për pak ditë, derisa të premten të kthehej sërish në Tiranë për të bërë seancën me Joelin.
Donte t'i shijonte mirë ato ditë, të përfitonte prej çdo gjëje që do t'i falte lumturi dhe do ta bënte të ndihej e sigurt. Perëndimet që po i kalonte ulur në rërën e ftohtë, me ujin që i vinte fare pranë këmbëve, qenë një fillim i mirë.Meditimi i thellë mbaroi kur ndjeu hapa pranë vetes dhe më pas prezencën e dikujt që u ul ngjitur saj.
-Je bërë mendjemadhe. Nuk më shkruan as për të më thënë që ke ardhur në Pogradec.
-Klevis, nuk të prisja këtu, - foli e habitur teksa një buzëqeshje e madhe zinte vend në fytyrën e saj. -Po mendoja të të shkruaja sot.
Pas një shkëmbimi përqafimesh, filluan pyetjet e zakonshme se si kishte kaluar e si kishte qenë me shëndet, shoqëruar me një skuqje faqesh nga ana e Xhojës.
E kishte njohur Klevisin që në momentin e parë kur ishin shpërngulur nga Tirana në Pogradec për një jetesë më të qetë. Ishte ngatërrestari i lagjes, tipi më i paparashikueshëm, rrëmujaxhiu numër një. Kishte gjashtë vite më shumë se Xhoja, por në realitet dukej sikur kishte gjashtë vite më pak.Përshëndetja e tij e parë kishte qenë "Ti qenke ajo kokëpatatja e Tiranës?"
Xhoja qe siguruar se do ta urrente përjetësisht, por kur gjatë një xhiroje me biçikletë në parkun e lagjes qe rrëzuar dhe kishte ndrydhur kyçin e këmbës, midis gjithë djemve dhe vajzave që dilnin çdo mbrëmje për të bërë muhabet me njëri-tjetrin, ai qe i vetmi që e kishte parë me shqetësim në vend që të gajasej si bashkëmoshatarët.
"Mos më prek," - i kishte thënë midis të qarave me një vështrim të inatosur.
"Eja kokëpatate, s'kam ndërmend të humbas dëgjimin prej të qarave të tua."
Edhe pse përgjigjia e tij arrogante e kishte acaruar akoma dhe më tepër, kishte pranuar të qëndronte në krahët e tij deri kur te dera e pallatit kishte dalë Rei për ta marrë.Që nga ajo ditë e kishte parë Klevisin me një sy tjetër. Shakatë që ai bënte kishin filluar të mos e bezdisnin aq, edhe pse nofka që i kishte vendosur akoma ia bënte nervat tel. Por i pëlqente ta shihte nga dritarja kur luante futboll me shokët, kur kthehej nga shkolla apo kur thjesht bisedonte me ndonjë vajzë a djalë ulur te disa stola të lagjes. Dhe kur ndonjëherë shikimet e tyre ndesheshin, ai i buzëqeshte lehtë.
Kështu u shndërrua në fiksimin e parë të Xhojës, ndoshta edhe në një dashuri të pastër fëminore që ajo as që ia kishte idenë që mund të ishte dashuri.
Për çudinë e të dyve, u bënë shumë të afërt me njëri-tjetrin. E në fakt një arsye për këtë mund të ishte fakti se nëna e Xhojës e merrte gjithmonë me vete këtë të fundit te shtëpia e Klevisit për të bërë thashetheme me të ëmën e tij.-Pse ke ardhur në Pogradec? Teta Lina më tha që ishe në punë në Tiranë.
-Ndoshta sepse mora vesh që një kokëpatate ka qenë shumë e mërzitur këto ditë?
-Lëri fjalët kokëderr, jam për bukuri unë!
-Kur do ndalosh së aktruari sikur je gjithmonë e lumtur? - i tha ngadalë e me zë të qetë për të mos e lënduar. -I njoh këta sy, mos u përpiq të më fshehësh gjë.
YOU ARE READING
Dhe zemra shërohet një ditë
General FictionXhoja ka pretenduar gjithmonë të jetë versioni më i mirë i vetes, shembulli më perfekt që dikush mund të shihte. Aktrimit të saj i vjen fundi kur një dobësi e çastit e bën të shkrehet në lot përballë një të huaji. Problemi? Ditë më vonë sheh të një...