13

356 38 25
                                    

Pasi u qetësua plotësisht, në pjesën e mbetur të seancës Joeli i shpjegoi procesin terapeutik CBT që do ta ndihmonte Xhojën të kalonte traumën e përjetuar. Teknika e rikthimit do ia largonte frikën prej së shkuarës dhe do arrinte ta lejonte të fliste për të kaluarën e saj pa nxitur alarmim dhe vështirësi. Do pranonte çdo gjë pa e lidhur veten emocionalisht me çfarë i kishte ndodhur, njëjtë si të ish një spektatore e filmit të jetës së vet.

-Do sfidojmë së bashku mendimet e tua negative, - vazhdoi ai me shpjegimet e veta teksa Xhoja e ndiqte gjithë sy e veshë, - dhe do t'i zëvëndësojmë ato me mendime të dobishme. Dalëngadalë do ndeshim frikërat, ankthet e tua për të mësuar mekanizmin përballues, kështu do ta kesh më të lehtë të përshtatesh në situata që nxisin ardhjen e kujtimeve të së shkuarës.

-Sa kohë do të zgjasë?

-Gjithçka varet prej teje. Mund të variojë nga tre muaj deri në një vit, ndonjëherë edhe më tepër.

-Po mendoj pozitivisht, - tha e buzëqeshur. -Ia vlen të investoj përderisa kjo do të thotë se për gjithë pjesën e mbetur të jetës do di si të jetoj.

-Ky është një fillim i mirë. E di se do ia dalësh.

E vështroi imtësisht në fytyrë, e kënaqur prej fjalëve motivuese që ia shtonin besimin në vetvete, pastaj sytë i shkuan pas tij në orën e vendosur në mur. Shtatë e gjysmë. Ora kishte fluturuar pa u ndier. Sa do bëhej gati t'i thoshte se seanca e asaj dite duhej të kish përfunduar gjysmë ore më parë, dëgjoi zilen e telefonit që e kish vendosur në tavolinë. E ëma po e merrte me video në WhatsApp.
Nuk donte ta shqetësonte duke ia mbyllur telefonatën, ndaj vendosi ta hapte e të mos ia zgjaste shumë.

-Më duhet të përgjigjem. Mami çmendet kur ia mbyll telefonin, - tha me shaka teksa orientohej drejt kuzhinës për të marrë një gotë me ujë, e vetëdijshme se Joeli do dëgjonte gjithë bisedën e tyre. Por ç'e keqe mund të ndodhte? Dy minuta të vogla dhe më pas do ta mbyllte telefonin.

-Xhoja, si të shkoi seanca sot? - qenë fjalët që tha e ëma menjëherë sapo Xhoja u përgjigj, pa denjuar të bënte ndonjë përshëndetje si fillim.

-Mirë. Më mirë seç e kisha menduar.

-Duhet të ketë qenë e lodhshme, apo jo? - pyeti butë kur vuri re se sytë e Xhojës vazhdonin të qëndronin akoma pak të skuqur prej të qarave të mëparshme.

-Nuk supozohet të jetë e lehtë, por mos u shqetëso, jam vërtet mirë.

-Po sot si do ia bësh, do flesh vetëm?

-E diskutuam njëherë këtë, s'ke pse e vret mendjen kaq shumë.

-Kam merak. Nata është e gjatë, ku i dihet ç'ndodh. Keq s'do bëje po ta kishe mbajtur Joelin aty, të flinit bashkë.

Uji që po pinte i ngeci në grykë. Vendosi gotën me zhurmë në banak dhe filloi të kollitej.

-Ç'i ke këto fjalë o ma?! Është thjesht... psikolog. S'e ka për detyrë të rrijë me mua. Tani më duhet ta mb...

-Dashtë Zoti del fjala ime dhe e merr për burrë, se tërë atë djalë është gjynah ta lësh. Është fiks siç e ke dashur ti! Tërë të mirat i ka!

-Po e mbyll tani. Natën.

Skajshmërisht e turpëruar, shtypi ikonën e kuqe dhe pastaj la telefonin mbi banak pa e kthyer kokën për të parë Joelin. Pse duhej t'i ndodhnin gjithmonë asaj ato skena?!

Piu sërish pak ujë për të përfitur kohë, u mbush thellë me frymë me shpresën se kjo do ta ndihmonte që të mos i dridheshin më duart -gjë që s'funksionoi- dhe për t'i shpëtuar situatës vendosi të sillej sikur s'i bënte përshtypje çfarë kishte ndodhur.

-Më thuaj se çfarë ke bërë që ke fituar dashurinë kaq të madhe të mamit, - tha më në fund me një të qeshur plot sforcarje kur ktheu trupin dhe ndeshi në sytë e Joelit.

-Nuk ia kam idenë. Më duket se nëna jote më dashka për dhëndër, kështu? - pyeti duke u përpjekur aq shumë të mos qeshte me atë situatë.

Xhoja kryqëzoi duart e zënë ngushtë dhe mbështeti trupin mbas banakut.

-Po, është fiksuar pak si keq me këtë ide, po mos ia vër re se do t'i kalojë.

-Po më pëlqen vërtet shumë mami yt. Besoj se do jetë vjehrrë e mirë, - e ngacmoi duke u ngritur prej divanit për t'iu afruar më tepër.

-Mos ndoshta kishe ndonjë plan sot pas përfundimit të terapisë? Se po shkon ora tetë, po të mbaj më shumë seç duhet.

Joeli ndaloi një hap përballë saj.

-Jo, nuk kam asnjë plan. Je e sigurt që dëshiron të qëndrosh vetëm?

E kuptoi se këtë herë ai po fliste vërtet seriozisht, toni i zërit dhe fytyra neutrale nuk e lanë të mendonte të kundërtën.
Buzëqeshi lehtë pa ia ndarë shikimin. E ngrohte kujdesi që ai tregonte për të.

-Do jem mirë, nuk ke pse shqetësohesh.

-Më telefono menjëherë nëse ndihesh keq, në rregull?

Pohoi me kokë me mendimin se pas kësaj bisede Joeli do largohej, por ai guxoi t'i afrohej pak më tepër pa ia ndarë shikimin.

E vështroi pa lëvizur, pa dëshiruar të lëvizte, derisa sytë i mbylli ngadalë kur ai mbështeti ballin e vet mbi të sajin dhe me dorën e djathtë ia përkëdheli ngadalë faqen.
U mbush thellë me frymë, pa e kuptuar se kur truri i saj e komandoi dorën për t'u vendosur në kraharorin e tij.

-Natën e mirë Xhoja, - i pëshpëriti çaste më vonë para se ta puthte butë në faqe, shumë pranë buzëve të saj.

-Edhe ti, Joel, - mërmëriti më shumë për veten sesa për të.

Pas këtyre fjalëve, ai u largua. Xhoja nuk mundi t'i lëvizte këmbët për ta përcjellë deri te dera, aq e zhytur në mendime të thella ishte.
Përse ndihej në të tillë mënyrë përderisa po ia mbushte mendjen vetes se Joelin nuk e dashuronte?

Dhe zemra shërohet një ditëWhere stories live. Discover now