5

401 40 62
                                    

Pas atij çasti, qe kthyer në pozicionin fillestar dhe kishte heshtur gjatë gjithë kohës, pa e marrë mundimin aspak t'i kthente përgjigje mesazhit të tij djegës. Bënte gjasmë shkruante në telefon me të ëmën, hapte herë pas here librin për t'u dukur sikur po mësonte, vetëm e vetëm që të tjerët të mos e ngacmonin më në lidhje me Joelin. T'iu tregonte se ai ishte aty, do të thoshte që Joana të mos ia ndante sytë profesorit ndërkohë që do t'i hidhte Xhojës fjalë me spec vetëm ngaqë pëlqente ta vendoste në siklet.

Dhe ditët u shtynë me të njëjtin siklet të jashtëzakonshëm. Ndërronte drejtim çdo herë kur e shihte Joelin në korridoret e fakultetit, as që i thoshte një "mirëmëngjes" apo "mirëdita" kur ishte në grup me studentët e tjerë e s'kishte mundësi ta shmangte, dhe madje po mendonte që të premten pasuese më mirë të shkonte në Pogradec me justifikimin se do takonte prindërit, sesa të bënte dy orë mësim me të dhe të mos ngrinte kokën prej turpit.

Arratisjeve të saj iu erdhi fundi në një të mërkurë me shi. Kishte mbaruar mësim vonë, nga ora pesë e pasdites, dhe qe drejtuar e lodhur për në stacionin e urbaneve. Teksa hidhte hapa në rrugën e lagësht, dëgjonte gjëmimet e shumta dhe lutej me vete që shiu të fillonte pak më vonë. I mjaftonte era e fortë që po i depërtonte kudo në këmishën e hollë, dhe shiu që do binte litar nuk do i falte asnjë lloj kënaqësie. Lutjet e saj rezultuan të kota. As gjysmë minute më vonë, ndjeu disa pika shiu t'i lagnin fytyrën dhe vuri re se njerëzit një nga një filluan të hapnin çadrat e tyre. Dhe ajo ishte treguar e marrë që kishte dëgjuar fjalët e pabaza të Joanës! "Ç'e merr çadrën kot. Ra shi dje sa për tërë vitin. Sot s'ka shans të bjerë."

-Ah moj Joana, - përsëriste me veten gjatë tërë rrugës, duke mallkuar e duke sharë me ç't'i vinte ndër mend.

Për të plotësuar atë mjerimin e saj të mbushur me një acarim që arrinte majat, le që ishte bërë qull kur arriti në stacionin e urbaneve aq sa nëse shtrydhte rrobat uji do rridhte ujëvarë, po nuk arriti as të kapte urbanin. Vrapi që bëri në momentin e fundit vetëm sa e lodhi dhe për pak desh e bëri të rrëshqiste në rrugët aspak boshe të Tiranës, se mjeti i transportit i iku para syve si të ishte duke e përshëndetur me dorë.

Turfulloi e dëshpëruar. Gati u bë për të qarë kur kuptoi se s'kishte as vend ku të qëndronte që të shpëtonte prej shiut, se vendi i vetëm që mund t'ia siguronte këtë gjë, aty pranë stolit të vetëm që ishte vjetëruar mjaftueshëm, qe mbushur plot. Shtrëngoi buzët prej inatit, ndërsa kokën e uli poshtë me qëllim që shiu të mos ia vriste sytë.

Po qëndronte në të njëjtin pozicion kur minuta më vonë dëgjoi zhurmën e një borieje një metër larg këmbëve. Ngriti kokën menjëherë, sikur ta kishte parandier se shoferi i makinës kërkonte vëmendjen e saj. Teksa xhami ulej poshtë ngadalë, vuri re se makinën e ngiste Joeli.

-Eja Xhoja, je bërë qull. Do të të çoj unë në shtëpi.

-Jo, nuk është nevoja, - iu përgjigj me nxitim pa i lëvizur këmbët.-Urbani duhet të jetë duke ardhur, s'besoj të vonohet shumë.

-Xhoja, - përsëriti ai emrin e saj ndërkohë që ktheu kokën dhe ia shikoi trupin nga koka te këmbët.- Eja tani, mos u bëj kokëfortë.

Por ajo kishte vite që s'kishte hipur në një makinë dhe i qe betuar vetes se kurrë më nuk do shkelte në një të tillë. Për pesë vite rresht kishte përdorur vetëm furgonin që e çonte në Pogradec dhe shumë rrallë urbanin, si në rastin e ditës së sotme kur shiu dhe era mezi e lejonin të ecte.

-Ju falenderoj vërtet shumë, por siç thashë urbani duhet të jetë afër.

Ai iu afrua derës së makinës dhe e shtyu për ta hapur.

Dhe zemra shërohet një ditëDove le storie prendono vita. Scoprilo ora