Kur të nesërmen hapi sytë dhe u ndesh me mjedisin përreth, vuri re se gjithë natën kish fjetur në pllakat e ftohta. Trupi i dhimbte i gjithi, gjymtyrët i ndiente të ngurta aq sa lëvizjet e saj përkonin me ato të një roboti, dhe koka dukej se po e merrte të gjithën para.
-Oh Zot, - u ankua me një pëshpërimë teksa fërkonte sytë për të ardhur në vete. -Ku dreqin janë ilaçet?
Mërmëriste me veten ndërkohë që kontrollonte gjithë raftet për të gjetur një ilaç për dhimbjen e kokës, pa iu bërë vonë se po shkatërronte çdo gjë dhe po krijonte një pirg me letra e sende të tjera përtokë.
Para se të gjente atë që dëshironte, sytë i kapën dy biletat e kinemasë. Realiteti e goditi sërish me një grusht të fuqishëm në fytyrë.I mori të dyja qetësisht në dorë dhe i vështroi për një kohë të gjatë. Një psherëtimë e thellë i doli prej buzëve, një psherëtimë e dridhur, dhe pastaj, me sytë e mbushur me lot, i grisi të dyja në copëzat më të vogla ekzistuese. Filmi do luhej atë mbrëmje, por ajo do qëndronte strukur në krevatin e saj, mbuluar me batanijet e leshta që do t'i ngrohnin veç trupin e zemrën do ia linin të ngrinte së ftohti. Filmi do luhej, por ajo nuk do ndiente dorën e Joelit kapur me të sajën. Do kapte vetëm erën e ftohtë që do t'i ngulej si gjilpërë në lëkurë.
Për të bërë çdo gjë më keq, fjalët e tij i kumbuan në vesh sikur ai të ish akoma aty. "Kam përshtypjen se gjithçka midis nesh ka qenë thjesht një gënjeshtër."
Po atëherë pse zemra gati i dilte prej gjoksit kur gjendej pranë tij? Pse harronte gjithçka kur e kishte pranë dhe ia dëgjonte zërin e qetë e melodioz?
Një zile telefoni e nxorri prej mendimeve dëshpëruese në të cilat kish rënë. Nxitoi të nxirrte telefonin prej çantës me shpresën se mund të ish Joeli ai që po e telefononte, por zhgënjimi u shfaq kudo në fytyrën e saj kur lexoi emrin e Klevisit.
Nuk ia hapi, edhe pse e dinte se ai nuk kishte aspak faj në gjithë katrahurën e krijuar. Nuk ia hapi as kur ai e telefonoi sërish orë më vonë, nuk iu përgjigj as mesazheve që i kish dërguar."Je mirë? Pse nuk më përgjigjesh?" - ishte mesazhi i fundit që i erdhi në telefon gjatë orarit të mbasdites, kohë kur më në fund e kish mbledhur veten mjaftueshëm sa për të rregulluar shtëpinë e bërë rrëmujë dhe të ndreqte pak pamjen e saj që ngjante me atë të një zombi.
Hodhi telefonin në divan ndërkohë që fshinte me peshqir flokët e lagur prej dushit që kish bërë.
Nuk iu përgjigj askujt atë ditë. Asnjë mesazhi, asnjë telefonate. As të ëmës, as tre shokëve të saj e për më tepër as Klevisit. E fiku telefonin dhe e vendosi diku që të mos e shihte. Nuk donte të dëgjonte zërin e askujt, nuk donte asnjë këshillë, asnjë kritikë, ishte mjaftueshëm e zhytur në trishtim dhe fjalët e njerëzve nuk do bënin asgjë për ta përmirësuar. Edhe me Matildën nuk foli shumë kur ajo e ngazëllyer hapi derën dhe hyri brenda plot energji.-Mos më thuaj gjë, - i tha Xhoja duke ngritur kokën prej gjunjve që i kishte mbledhur në kraharor. -Nuk kam fuqi të shpjegohem.
Ndeshi shikimin e saj të habitur dhe lëvizjet plot ngurrim.
-Të paktën... A ke uri? - pyeti ajo dyshuese duke ngritur pak qesen që mbante në dorë. -Mami yt kishte gatuar byrek siç e ke qejf ti. S'më la të ikja pa e marrë të gjithin me vete.
Vuri buzën në gaz para se të fshinte fytyrën me duart e ftohta.
-Sille këtu. S'kam ndërmend të vdes nga uria.
Nuk kishte rëndësi sa e mërzitur, e stresuar apo e dëshpëruar ishte. Ushqimin nuk mund ta linte kurrë pas dore, e dinte që mungesa e tij vetëm sa ia përkeqësonte gjendjen.
Dhe kur përfundoi e kënaqur gatimin super të shijshëm të së ëmës, u ndje disi më mirë. Në atë moment vendosi që nesër të diskutonte sërish me Joelin, ta takonte mbas përfundimit të mësimit për t'i sqaruar çdo gjë. Ishte faji i saj për gjithçka kishte ndodhur, nuk mund të rrinte pa bërë gjë duke parë se si fijet e fundit të lidhjes së saj me Joelin këputeshin për të mos u ngjitur më kurrë. Duhej të bënte diçka sa më parë, t'i thoshte se sa shumë e donte.Të nesërmen ideja se ndoshta gjërat do rregulloheshin e bëri të emocionohej dhe të shihte gjatë gjithë kohës orën në telefon, por minutat lëviznin si vite dhe Xhojës i dukej se energjia e saj thithej ngadalë prej pritjes, aq sa në fund, kur ora mbaroi dhe gjithë studentët u ngritën për t'u larguar, e vetmja gjë që ndiente ishte frika, e përhapur si sëmundje në çdo qelizë të trupit të saj.
-Xhoja, do vish? - e pyeti Mario kur dolën jashtë dhe ajo ndaloi në një qosh duke pritur.
-Jo, vazhdoni ju. Më duhet të flas pak me Joelin.
-Shihemi nesër atëherë.
-Dhe mos kujto se e kam harruar faktin që nuk na ke treguar fare se çfarë ka ndodhur dhe pse je kaq e mërzitur, - ndërhyri Joana rreptë duke lëvizur gishtin tregues përballë fytyrës së Xhojës. -Nuk më the as se si t'u duk filmi që shikove me Joelin!
-Nesër do të t'i tregoj të gjitha, të premtoj.
-Mos m'i trego po deshe, po unë të ngjitem mbrapa e nuk të shqitem derisa të marr vesh se çfarë po ndodh!
-O ti miss shushunja, a do vish të ikim tani? Po vete vonë.
-O míster gomari, e di unë kur nisem!
Ata po ziheshin rrugës si macja me miun ndërkohë që Xhoja i shihte tek largoheshin, por pa e pasur mendjen aspak te ta. Vështroi sërish orën. Nuk e dinte se kur mund të dilte Joeli, por nuk mund të largohej që aty pa rregulluar gjërat që kish prishur.
U ul në një stol mendueshëm me shikimin drejt. Shihte studentët që lëviznin rrotull dhe vetëm mendonte papushim, derisa pas dy orësh të gjata pritjeje, vuri re Joelin duke zbritur shkallët e fakultetit.
U ngrit menjëherë prej stolit pa ia ndarë sytë, por ai siç dukej nuk e kish vënë re akoma. U mbush thellë me frymë. E ndiente se si një buzëqeshje i qe formuar në fytyrë thjesht duke e parë. Por kur më në fund filloi të ecte e sigurt në vetvete, një vajzë e bukur dhe e gjatë ndaloi përballë Joelit. Nuk mund t'i dëgjonte se çfarë po flisnin, arrinte vetëm të shihte veprimet e tyre.
Një përqafim i përmalluar ndërmjet të dyve ia nguli këmbët në tokë dhe e bëri të shihte pa iu besuar syve. Mos ishte thjesht një iluzion? Po atëherë pse ndiente dhimbje kudo në trup dhe dridhje të forta të duarve?
Puliti disa herë sytë për të qartësuar shikimin. Këtë herë vajza la një puthje në faqen e Joelit dhe e përqafoi sërish fort.
Një lot i nxehtë i rrodhi në faqe sado që u përpoq të tregohej e fortë. Do donte të ishte ajo në vend të saj. Ta përqafonte po aq fort Joelin, të ndiente lëkurën e tij pranë të sajës, buzët e tij që do ta puthnin me mall në ballë.
Por nuk ishte.
Ishte thjesht një e huaj që vështronte nga larg dhe dëgjonte se si zemra e vet thyhej.
ESTÁS LEYENDO
Dhe zemra shërohet një ditë
Ficción GeneralXhoja ka pretenduar gjithmonë të jetë versioni më i mirë i vetes, shembulli më perfekt që dikush mund të shihte. Aktrimit të saj i vjen fundi kur një dobësi e çastit e bën të shkrehet në lot përballë një të huaji. Problemi? Ditë më vonë sheh të një...