20

388 36 58
                                    

Të nesërmen nuk vajti në shkollë. As në ditët në vazhdim. Vetëm sa u izolua në dhomën e saj, shtrirë në krevatin e butë, pa qarë, pa folur, thjesht e mpirë. Shihte një pikë të caktuar në dhomë dhe i mbante sytë atje për kushedi sa orë, duke menduar e njëkohësisht duke boshuar gjithë trurin e saj, duke kujtuar e duke dashur të fshinte çdo kujtim.

Pse i dhimbte aq shumë?
Pse nuk mund të merrte dot frymë si më parë?
Pse ndiente një rëndesë të frikshme në kraharor, që as nuk zhdukej e as nuk ndryshonte formë?

-Xhoja, - dëgjoi zërin e Matildës pas derës atë të premte. -Shokët e tu kanë ardhur sërish. Nuk do vish t'i shohësh?

-Jo, thuaju të ikin.

Dëgjoi pëshpërima pas derës, pastaj asgjë tjetër për pak kohë. Nuk ishte hera e parë që ata kishin ardhur me shpresën se do mund të flisnin me të, por Xhoja as që e çonte ndërmend të hapte derën e mbyllur me çelës.

-Vetëm për pak, - dëgjoi këtë herë zërin lutës të Joanës. -Mund të flasësh me ne për çdo gjë, nuk ke pse i mban të gjitha për vete.

-Mos trego nëse nuk dëshiron, por të paktën dil prej dhomës, të bëjmë një shëtitje këtu rrotull. Është ngrohtë jashtë.

-Të paktën të shihemi sot. Ti e di, janë pushimet e fundvitit, nuk do mund të shihemi më këto dy javë.

Por asnjë prej argumenteve të tyre nuk qe mjaftueshëm bindës.
Nuk nxorri fjalë prej gojës, vetëm sa shtrëngoi jastëkun më fort dhe shkundi kokën ngadalë, edhe pse e dinte që askush nuk mund ta shihte.
Ata ndoshta qëndruan dhjetë minuta më tepër në pritje të saj, ndoshta gjysmë ore e ndoshta edhe një orë të plotë, nuk e kuptoi dot këtë gjë. Dëgjoi vetëm përshëndetjet e tyre të fundit dhe pastaj derën e jashtme që u hap. Brenda pak sekondave ra në qetësi. Ata qenë larguar të tre, tashmë vetëm Matilda gjendej në shtëpi, e vendosur për të bërë edhe një përpjekje të fundit për të biseduar me Xhojën.

-E di që po e them shumë herë këtë gjë, - filloi të fliste ajo mbas derës, - por jemi të shqetësuar për ty, Xhoja. Jam detyruar ta gënjej mamin tënd vetëm që të mos e shqetësoj, edhe Klevisit i kam thënë se ke shkuar me miqtë e tu për disa ditë pushime. Çfarë të mundon? Mos ndoshta je grindur me Joelin?

Trupi i saj reagoi menjëherë pas dëgjimit të emrit të tij. Edhe pse kraharori i sëmboi dhe dëshiroi vetëm të mbulohej më tepër se mos ndoshta ngrohtësia e dëbonte dhimbjen larg, hoqi batanijen prej vetes dhe me hapa të vegjël, të padëgjueshëm, shkoi të hapte derën.

Ajo u hap ngadalë me një gërvimë të lehtë, derisa hapësira e krijuar i dha mundësi Matildës të futej brenda dhe ta përqafonte fort. Sytë e saj qenë mbushur me lot dhe zëri iu drodh kur foli sërish.

-Ti je e çmendur. Si mund të rrish në këtë gjendje? E di që kështu do ta sëmurësh veten me zor?

-Më vjen keq, - mërmëriti me të ulët duke u shkëputur prej saj. -Nuk doja të të frikësoja.

Matilda, në vend që të fliste, shkoi të hapte perden e errët që kish bllokuar çdo rreze të mundshme drite, pastaj hapi dritaren për të lënë ajrin e freskët të ajroste dhomën. Në fund zuri vend pranë saj në krevat dhe e vështroi me ngulm në sy.

-Nuk po shkon mirë me Joelin, kështu?

-Po. Të shtunën e kaluar, kur ishim në klub... u deha dhe përfundova duke puthur Klevisin.

-E puthe?! - u përpoq të mos reagonte shumë, por e pati të pamundur të qëndronte heshtur. -Çfarë...Çfarë tha Klevisi?

-Nuk tha gjë. Ishte bërë tapë, s'ia kishte idenë se çfarë po ndodhte. Por Joeli na pa dhe asgjë nuk shkoi mirë pas atij momenti... Ai mendon se gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë e dashuruar me Klevisin. Nuk i vë faj, dreqin! - shpërtheu në lot prej dhimbjes. -Më ka pyetur gjithë ato herë, ma dha mundësinë t'i tregoja për Klevisin pa u ngatërruar gjërat më tepër! Jam idiote që nuk i tregova kur e kisha mundësinë! Na ka parë gjithë ato herë bashkë, kemi qenë aq të afërt...

Dhe zemra shërohet një ditëWhere stories live. Discover now