16

356 39 57
                                    

Hapi derën pa trokitur dhe u fut brenda sa më shpejt të ishte e mundur në mënyrë që askush të mos e shihte.
U mbështet mbas saj për të qetësuar veten, se kish nxituar si të ish duke shkuar në luftë, me shpresën se ashtu mund të humbiste midis studentëve dhe nuk do dallohej se ku po shkonte.

Joeli kishte kthyer kurrizin dhe po vështronte jashtë dritares. Kur dëgjoi zhurmën e krijuar, ktheu trupin drejt saj, u mbështet mbas murit dhe kryqëzoi duart në gjoks.

-Nuk kam shumë kohë, - tha me të shpejtë teksa lëvizi prej vendit ku po qëndronte fillimisht dhe iu afrua disa hapa më shumë Joelit.

Nuk arriti ta kontrollonte dot veten për të mos u përhumbur në posturën e tij tërheqëse, sado që e dinte se ashtu do vonohej më tepër seç do të dëshironte. Por i dukej më i bukur atë ditë, sytë e tij e shihnin me ngulm, pamja serioze e bënte akoma dhe më joshës, dhe ajo këmishë... Pse duhej t'i rrinte aq mirë?

Kroi fytin dhe largoi shikimin nga trupi i Joelit për disa sekonda, derisa zëri i tij e bëri të kthehej sërish në Tokë.

-Ai tipi dukej shumë i afërt me ty. Ndokush që e njeh?

-Ishte Klevisi, të kam folur për të. Shoku im i fëmijërisë.

Ai bëri një gjest si për të thënë "Ah, po, ai", por nuk dukej aspak i sigurt në fjalët që i kish thënë Xhoja. Lëvizi prej pozicionit që kishte dhe qëndroi vetëm disa centimetra larg saj.

-Dhe shokët e fëmijërisë lënë puthje në faqe dhe thërrasin "shpirt"?

Xhoja do kish qeshur prej atyre fjalëve në raste të tjera, por nuk mundej në atë rast të tillë kur Joelin e kish fare pranë dhe gjëja e vetme që donte të bënte ishte të bashkonte sërish buzët e veta me të tijat.

-Ai kështu është sjellë gjithmonë, nuk ka ndonjë arsye pas veprimeve të tij, - mërmëriti pa ia ndarë sytë.

-Çfarë më fsheh, Xhoja?

Ajo pyetje thellësisht serioze lindi një ndjenjë faji në kraharorin e Xhojës dhe e bëri t'i hidhte sytë tjetërkund.

Por si t'ia thoshte të vërtetën? Si t'ia thoshte se ish Klevisi ai që kish shkaktuar lindjen e ndjenjave të para në zemrën e saj?

-Asgjë. Thashë, ai është shoku im më i mirë, asgjë më tepër. Tani më duhet të shkoj, për pak minuta fillon mësimi.

La pas dhomën plot dritë dhe zbriti shkallët më konfuze se kurrë. Joeli ishte personi i fundit që meritonte të gënjehej, por kish frikë t'ia tregonte të shkuarën me Klevisin. Ishte një çështje në të cilën s'i pëlqente ta ngatërronte.

-Xhoja! - thërriti Joana e lumtur që nga fundi i korridorit kur vuri re shoqen e saj që po shkonte drejt sallës në të cilën do zhvillonin seminar.

-Çfarë ka? Pse po vrapon kaq shumë?

-Të kam sjellë diçka shumë të bukur! Do më falenderosh!

-E di ti në cilat raste gëzohet kaq shumë Joana, - tha Luela me një buzëqeshje kur vuri re fytyrën e habitur të Xhojës.

-Ka lidhje me Joelin?

-Po! Kam blerë dy bileta për ju që të shihni një film në kinema! Është një javë para Krishtlindjeve. E imagjinon sa gjë e bukur do jetë?! Një film romantik Krishtlindjesh pranë personit që do!

Ajo gati po fluturonte prej gëzimit, a thua se do ish ajo që do dilte në vend të Xhojës. Kjo e fundit rrotulloi sytë 360 gradë dhe s'mundi të mos infektohej prej pozitivitetit ngjitës të Joanës.

-Ahh Joana, mendja jote s'ka për të ndryshuar kurrë. Gjatë gjithë ditës këto gjëra mendon ti?

-Po më thuaj, çfarë të mendoj? Të shkatërroj trurin tim të ndjeshëm duke u stresuar për 24 orë rresht për dy kolegiumet që kemi këtë javë?

-Oh, mos, kolegiumet!

Përplasi pëllëmbën në ballë sikur t'i kishin rënë papritur gjithë hallet e botës mbi supe. Si mund të mësonte në një gjendje të tillë? Nëse shihte librat, ishte e sigurt se shkronjat me të zeza do shndërroheshin në fjalët që kish thënë Joeli, ndërsa figurat e pakta të librit do shfaqnin fytyrën e tij tërheqëse.

Fjalët e saj rezultuan mëse të vërteta. Kur u kthye atë ditë në shtëpi dhe gjatë orarit të mbasdites hapi librat për të mësuar, mund të bënte çdo gjë të mundshme përveçse të mësonte. Librat qëndronin kot mbi prehërin e saj, edhe stilolapsin kot sa e shtrëngonte me gishta.

-Matilda, mund të të them diçka? - e ndërpreu shoqen prej mësimeve, më në fund duke vendosur t'i tregonte se çfarë e mundonte.

-Më thuaj.

-Po lëri librat, kështu më duket sikur s'ma var hiç!

Ajo qeshi ndërkohë që hoqi syzet dhe i vendosi mbi tavolinë.

-Vazhdo tani, gjithë sy e veshë jam.

Mori frymë thellë dhe filloi të fliste. Matildës i kishte treguar edhe më parë për pëlqimin që kish pasur ndaj Klevisit, ndaj nuk iu desh të jepte shumë shpjegime se çfarë dhe si kish ndodhur. Kur mbaroi tregimin e saj edhe për Joelin, bëri këmbët kryq - veprim i nxituar, sepse librat dhe fletoret i ranë në pllaka - dhe qëndroi në pritje të përgjigjes së Matildës.

Ajo u mendua për disa çaste me vështrimin në sytë e Xhojës, psherëtiu gjatë dhe pastaj filloi të fliste me zë të butë, të sigurt.

-E di çfarë? Nuk mendoj se gjërat janë kaq të komplikuara, duket sikur ti po i vështirëson vetë ato. E mban mend sa e emocionuar ishe kur më tregove për puthjen që shkëmbeve me Joelin? Thoje gjatë gjithë kohës se nuk ishe e dashuruar me të, por unë mund ta shihja shkëlqimin në sytë e tu kur flisje rreth tij.

Pa e kuptuar, kish vënë buzën në gaz prej atij kujtimi.

-Ti ke qenë gjithmonë në pritje të dikujt tek i cili mund të shpreheshe, mund të tregoje dhimbjen tënde, të qaje, të ishe vetvetja, aq sa ishe e gatshme të kapje dorën e këtij personi pavarësisht se kush mund të ishte. Pikërisht kur e gjete këtë person, u takove dhe me Klevisin. Klevisi... është një kapitull i mbyllur Xhoja. Ai ka qenë fiksimi yt më i madh, të ka qëndruar pranë në momentet më të vështira, ka arritur të të ndihmojë kur askush prej nesh nuk arriti ta bënte këtë gjë, por vitet kaluan dhe ndryshuat të dy. Sa herë më ke folur për të këto vite, gjatë të cilave s'jeni takuar shpesh për shkak të punës së tij? Rrallë herë. A nuk do kujtoheshe për të pothuajse në çdo moment nëse do ta doje vërtet? Mendoj se thjesht mendimi se dikur e ke pëlqyer tmerrësisht shumë të shtyu të mendoje se e pëlqeje akoma, ndoshta edhe e doje, ndaj e vendose seriozisht në dyshim marrëdhënien tënde me Joelin. Por edhe nëse do ta doje Klevisin, ai pas largimit të Reit të ka konsideruar si një motër. Ishe thjesht kokëpatatja e tij e vogël për të cilën ai do bënte gjithçka që ta shihte të qeshur. Dhe ai është vërtet i qetë tani që ti ke Joelin, sepse është i sigurt që Joeli do të të ndihmojë të shërohesh, do të të bëjë të lumtur si askush tjetër.

-Kështu mendon? - pyeti e përlotur prej fjalëve të saj.

-Jam e sigurt që kjo është e vërteta. Nëse nuk do ta doje Joelin, nuk do ndiheshe siç je ndier deri më sot. Dhe për më tepër nuk do rrije si qyp me librat para pa e pasur mendjen fare se çfarë lexoje dhe çfarë shkruaje!

-Heeej, mjaft më ngacmove! - ia ktheu gjasmë e mërzitur duke e goditur me jastëkun që mori në divan, por i shkoi huq. Matilda e kapi atë në kohë.

-Po ti e di që as mua nuk më mësohet tani? - tha shoqja plot përtesë duke mbështetur kokën në jastëk. -A shohim ndonjë film? Bëjmë dhe kokoshka.

-Ti mendon se unë do ta refuzoj një ofertë të tillë? Punë e madhe se kam kolegium, do mësoj më vonë!

U ngrit pupthi prej divanit, më energjike se kurrë. Dhe ndërkohë që kontrollonte nëpër rafte për të gjetur misrin për kokoshka, ndjeu një qetësi të thellë t'ia kapte gjithë trupin.

Ajo e dashuronte Joelin, vetëm tani ishte e sigurt për këtë.

Dhe zemra shërohet një ditëWhere stories live. Discover now