Kur Joana e kishte marrë vesh se ç'kish ndodhur, gati i kishte rënë të fikët. Nga emocionet e tepërta nuk dinte se çfarë thoshte dhe çfarë ishte duke bërë, aq sa për pak do ish rrëzuar në mes të rrugës nëse Luela nuk do ia kishte kapur krahun në momentin e fundit.
Kur e kishte marrë veten pas dhjetë minutave shokim, kishte filluar menjëherë të mendonte për veshjen e Xhojës dhe makeup-in që do bënte.Dhe Xhoja u tregua mjaftueshëm e zgjuar duke i thënë se nuk priste vizita në shtëpi atë natë, e sigurt se në të kundërt Joana do t'i mbinte para derës e nuk do shqitej prej andej pa arritur të sajën. Por atë që nuk e bëri dot ballë për ballë, e bëri me anë të telefonit një orë para se Xhoja të dilte. U futën të katërt në grupin e whatsapp-it, se sipas Joanës nevojitej me patjetër mendimi i një mashkulli, sado që Mario, sigurisht që sipas opinionit të saj, ishte "gjysmë femër dhe gjysmë mashkull".
-O debile, - e kritikoi ajo Xhojën, e acaruar jashtë mase me faktin që kjo e fundit refuzonte të vishte një bluzë që do ia ekspozonte barkun. -Po vishe moj atë crop top-in se është i bukur.
-Joana, nuk do takojë të dashurin, do takojë profesorin, - shtoi Luela për ta acaruar akoma dhe më tepër, se nervat e Joanës prisheshin aq lehtë.
-Do të ta kisha ngjeshur një surratit ty po të të kisha afër.
-Është punë e mbaruar! - ndërhyri Xhoja duke ngritur zërin. -Nuk kam për ta veshur këtë dhe pikë! Do vesh çfarë të dua!
-Mirë e ke Xhoja, - filloi Mario me analizën e tij. -Vishu si normalisht, se po u veshe siç thotë kjo idiotja do bësh shumë përtshypje. Eshtë takimi juaj i parë, akoma po bisedoni si dy miq. Nëse bën ndonjë ndryshim të madh në pamjen tënde, Joeli do ta kuptojë se ti dëshiron vëmendjen e tij, pra që e sheh si diçka më tepër sesa thjesht një profesor.
-O ti gjeniu i kohës së qepës, mbylle gojën. Shko shiko ndonjë dokumentar për kohën e Enverit, se atë mendje të ndryshkur ke.
Ata vazhduan të grindeshin ndërkohë që Xhoja e la telefonin mbi krevat dhe filloi të ndërrohej. Për asnjë arsye në botë nuk do ta ndryshonte stilin e saj, edhe nëse gjithë të tjerët e kundërshtonin. Dhe përsa i përkiste makeup-it, për të cilin Joana momentalisht po bërtiste që të paktën ai të ishte më ndryshe se herët e tjera, u mjaftua me një rimel, penel të lehtë syve dhe nje shkëlqyes buzësh.
-Unë ika. Përfundimisht jam jashtë këtij grupi.
Merret me mend se prej cilit person dolën këto fjalë kaq të zhgënjyera.
U ngërdhesh lehtë prej reagimit të saj. E përsa i përkiste dy të tjerëve, sidomos Marios, Xhoja me pak fjalë ish bërë "e thjeshtë, e bukur dhe tërheqëse."
I përshëndeti shpejt e shpejt kur në ekranin e telefonit të saj u shfaq emri i Joelit. Ai po e priste poshtë.-Nuk besoj të vonohem shumë, - i tha Matildës teksa vishte këpucët, -po për siguri po e marr çelësin me vete.
-Nuk do vonohesh? - pyeti duke nënqeshur. -Ora është shtatë. Jam e sigurt se s'ke për t'u kthyer pa kaluar mesnata.
-Po unë s'do t'i bie kryq e tërthor Tiranës!
-Jo, s'thashë gjë për Tiranën unë. Mund t'i biesh kryq e tërthor Joelit.
Ngrysi vetullat dhe e vështroi shtrembër, pa e mohuar faktin se fjalët e saj e bënë të skuqej.
-Ika tani. Ai po më pret.
Hapi derën dhe nxitoi t'i zbriste shkallët sa më shpejt të ishte e mundur. Hyrjen e kishin në katin e dytë, dhe të priste për ashensorin do të thoshte ta humbiste kohën në mënyrën më të kotë të mundshme.
Joelin e vuri re menjëherë sa u gjend jashtë pallatit. Për pak sekonda qëndroi pa lëvizur, duke parë mënyrën se si ai qëndronte dhe se si qe përhumbur në mendimet e veta.
"Takim me profesorin tim,". Do të donte të mos e kishte menduar këtë, ndoshta vetëm ashtu nuk do ta ndiente zemrën t'i pomponte çrregullisht prej ankthit. Por teksa e shihte akoma dhe më tepër, pa libra në duar, me një veshje më ndryshe se ajo me të cilën paraqitej në universitet, bëri të mundur të hiqte prej mendjes imazhin e pedagogut.
YOU ARE READING
Dhe zemra shërohet një ditë
General FictionXhoja ka pretenduar gjithmonë të jetë versioni më i mirë i vetes, shembulli më perfekt që dikush mund të shihte. Aktrimit të saj i vjen fundi kur një dobësi e çastit e bën të shkrehet në lot përballë një të huaji. Problemi? Ditë më vonë sheh të një...