Ishte hera e parë në gjithë ato vite që Xhoja mezi priste të vinte dita e hënë që të mund të shkonte në shkollë. Dielli i ngrohtë i mëngjesit i fali një buzëqeshje që në momentin kur hapi sytë, pa harruar ta pajiste me një energji dhe pozitivitet të flaktë.
Ndryshimin e saj të thellë të humorit nuk mundën të mos e vinin re tre miqtë, të cilët, kur u shfaqën të përgjumur e të zymtë në hyrjen e universitetit, e vështruan Xhojën si të ishte aliene.
-Qenke zgjuar mirë sot më duket, - tha Mario duke gogësirë thellë.
-Po, është një mëngjes kaq i bukur! A nuk ju duket dhe juve kështu?
-Hej Zot i madh, - qe përgjigjia e Joanës. -Që kur na qenke bërë adhuruese e mëngjesit ti arush letargjik?
Po i kthente një nga ato përgjigjet e saj të zakonshme teksa ecnin për t'u futur brenda fakultetit, kur një djalë i grupit të Xhojës ndaloi përballë tyre.
-Hë Ermal, ke ndonjë problem?
-Mirëmëngjes edhe ty Joana. Xhoja, - iu drejtua këtë herë vajzës tjetër, -më tha dekani t'i shkoje te zyra, kishte diçka për të të thënë.
-Ouu, e çfarë pune mund të kem unë me të?
-Nuk e di, po nuk m'u duk edhe aq mirë nga fytyra. S'besoj të të thotë ndonjë gjë të mirë.
Puliti disa herë sytë e habitur. Ajo kishte qenë gjithmonë korrekte në shkollë, edhe raportin e mjekut e kish dorëzuar në kohë. Çfarë problemi mund t'i kishte dalë tani?
-Nuk do vonohem shumë, - iu tha shokëve para se të ikte. -Të shohim se ç'dashka ky tipi prej meje.
Ngjiti shkallët ngadalë-ngadalë, a thua se ish në shtëpi të vet e çdo gjë e kish në terezi. Ndaloi përballë derës së dekanit, la disa trokitje të lehta dhe uli më pas dorezën.
-Më kishit kërkuar?
-Po Xhoja. Mbylle derën.
Burri shtatshkurtër mbylli disa dosje që kish hapur para vetes, hoqi syzet me skelet me trashë që ia tregonin sytë jashtëzakonisht të mëdhenj, shkoi njëherë dorën te flokët e shkurtër dhe në fund fare bashkoi duart mbi tavolinë.
Xhoja shihte veprimet e tij teksa qëndronte në këmbë pa lëvizur.-Më kanë ardhur disa fjalë që nuk më kanë pëlqyer edhe aq, Xhoja. Shpresoj të mos jenë të vërteta.
-Për çfarë e keni fjalën?
-Kam dëgjuar se ke filluar të shoqërohesh me pedagogët, - tha teksa përkuli trupin më pranë Xhojës, sikur të donte të zgjatej drejt saj që prej karriges ku qe ulur. -Dhe kjo nuk është diçka e mirë për reputacionin e fakultetit tonë.
-Nuk ia kam idenë për çfarë jeni duke folur, - kundërshtoi bindshëm sikur vërtet të mos dinte gjë. -Kush i ka nxjerrë këto fjalë?
-Kjo nuk ka aspak rëndësi. Ajo që duhet të dish është se nuk kam aspak dëshirë që ky fakultet të përflitet për skandale të tilla, sepse për të gjitha gjërat që ndodhin këtu, përgjegjësia bie mbi mua.
"Por unë çdo gjë e kam bërë jashtë fakultetit," - tha një zë i pabindur brenda vetes së saj. Epo ishte një zë që fliste realitetin, gjithsesi.
-Ju siguroj se nuk ka për të ndodhur asgjë rreth së cilës mund të përfliteni. Nuk e di se kush jua ka thënë këto fjalë, por më lejoni t'ju them se çdo gjë është një gënjeshtër.
-Qoftë kështu siç thua ti, sepse në të kundërt do detyrohem të marr masa të tjera. Nuk kam nevojë për studente që shkojnë mbas pedagogëve gjatë orëve të mësimit kur prioriteti i tyre i vetëm duhet të jetë t'iu përkushtohen mësimeve. Tani mund të largohesh, kaq kisha për të të thënë.
YOU ARE READING
Dhe zemra shërohet një ditë
General FictionXhoja ka pretenduar gjithmonë të jetë versioni më i mirë i vetes, shembulli më perfekt që dikush mund të shihte. Aktrimit të saj i vjen fundi kur një dobësi e çastit e bën të shkrehet në lot përballë një të huaji. Problemi? Ditë më vonë sheh të një...