Blerimi priti, që Anila të rehatohej në karrigen e bardhë të zbehtë, e pyeti atë, nëse kishte dëshirë, që të ndërronin tavolinë, po qe se nuk ndihej rehat aty dhe, pasi i mori konfirmimin, që ishte shumë mirë, u ul në karrigen e bardhë përballë saj.
Ai bëri porosinë, me të ardhur kamarieri dhe shikoi lehtazi i buzëqeshur Anilën. E dinte, që në një një tjetër situatë do kishte ndjenja ndryshe për të, jo mllef dhe gjykim ndaj një fajtoreje për padrejtësinë fatale të bërë atij, por respektin e zakonshëm ndaj një të panjohuri, i cili kurrë nuk i kishte rënë më qafë kot dhe e meritonte ndihmën e tij, po t'i kërkohej.
E kishte pasur një përshtypje të tillë për Anilën atë ditë, kur ishin takuar në bar, por kjo e fundit ishte sulmuar menjëherë pas shpine nga urrejtja dhe mundur prej asaj ndjenje, sapo kishte zbuluar, që ajo ishte personi, të cilin po kërkonte. Vetëm kjo ishte arsyeja, pse Blerimi po ndiente sikur ishte duke u mbytur nga mungesa e oksigjenit për shkak të pranisë së saj dhe vetëm po t'i rrinte larg, do mund të merrte frymë lirisht.
Ajo zotëronte energjinë e një njeriu të afrueshëm në bisedë, aventurier dhe të pamposhtur nga ndikimi i kalimit të viteve në pamjen fizike tërheqëse, që kishte, por fakti, se njihej me Amarildon, ia zbehte totalisht bukurinë para syve të tij.
- Blerim, dua të të bëj diçka të qartë fillimisht. - kërkoi ngurruese Anila.
- Patjetër, - tha ai i përgatitur për çdo temë.
- Nëse marr vesh, që po del me dikë tjetër, ndërkohë që del me mua dhe po përpiqesh të luash me të dyja ne, do t'i tregoj menjëherë asaj dhe nuk do ta lë vetëm me kaq.
- Nuk po dal me askënd tjetër. Merr të gjithë kohën, që të duhet, për të zbuluar, nëse po gënjej, ose jo. - Blerimi u përgjigj tërësisht i patrazuar. I kishte marrë masat për gjithçka, që të mos i dilte asnjë problem.
- Në rregull, - ajo i buzëqeshi e lumtur, që nuk kishte asnjë pengesë midis tyre.
Dhe sikur të kishte, edhe ai sapo e kishte gënjyer, për Anilën kjo gjë nuk përbënte aspak problem; do e kthente lojën e tij në favorin e saj dhe do luante vetë me Blerimin.
Qëndruan në heshtje, ndërsa kamarierja vendoste pijet e porositura mbi tavolinë dhe, pasi u largua ajo, vështruan njëri-tjetrin.
- Pra, me çfarë na merresh, hakmarrëse?
Ajo buzëqeshi lehtë nga etiketimi i tij.
- Sapo jam diplomuar në Bachelor për Anglisht. Kam plane, të mbaroj edhe specializimin dhe do punoj si përkthyese librash. Tani për tani punoj në një kompani produktesh kozmetike.
- Ia kanë dalë akoma librat, të të bindin, për të besuar te fundi i lumtur? - pyeti shpotitës ai.
- Më kanë bindur, që të besoj te momentet e lumtura, - specifikoi Anila. - Çastet e së tashmes, që i kemi në dorë, për t'i shpenzuar, si të duam ne. Po u kujdesëm, për të përjetuar momente vërtet të lumtura, do fitojmë edhe fundin e lumtur. Domethënë, nuk do pendohemi për mënyrën, se si e kemi jetuar jetën. Ky do të thotë fund i lumtur për mua.
- Mirë, që nuk paske frikë! - vërejti Blerimi mistershëm. - Ose e fsheh shumë mirë këtë të fundit.
- Frikë për çfarë?
- Që dikush mund të përpiqet të ta shkatërrojë plotësisht të tashmen dhe për pasojë ti nuk do kesh as të ardhme, për shkak të depresionit, që do përjetosh, ama, nëse arrin ta kapërcesh atë, edhe mund të ëndërrosh për një të ardhme ndryshe nga ajo e tashmja, që të detyruan të jetosh.
YOU ARE READING
Rrënoja prej Vjeshte
General FictionKur kërcënohet, që të heqë dorë nga jeta e vet spontane për shkak të një sekreti të pazbuluar në kohën e duhur, Anilës nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse të luftojë edhe në mënyrë të padrejtë, për të mbrojtur atë zonë rehatie të të jetuarit. Versione...