60• Dorezë Hekuri

184 15 8
                                    

    Leonora mbeti si statujë në shkallët e hyrjes së sallonit, me të njohur vështrimin gjykues të syve të mprehtë të Anilës edhe ndaj faktit, që ajo ishte duke marrë frymë dhe eci drejt saj.

    I qëndroi përballë me distancë të vogël midis tyre dhe kërkoi t'i prekte shpirtin me vështrim dashamirës, por Anila ia qepi shikimin e ngurtë, si të mos kishte shpirt fare.

    Leonora uli kokën e mundur. Anila puliti sytë e lodhur nga forca e treguar pak më parë dhe e vështroi butësisht.

    - S'pata guxim, të vija më përpara. - rrezikoi t'i shprehte dobësinë e ndierë dhe Leonora e shikoi mirëkuptuese.

    - Faleminderit shumë, që erdhe! - sytë mirënjohës i shkëlqyen nga shtresa e cekët e lotëve.

    - Ulemi diku dhe flasim?

    Leonora pohoi me kokë dhe të dyja vazhduan rrugën përkrah njëra-tjetrës, akoma të ndierë si të huaja në realitetin, që po jetonin, sikur dikush t'i kishte futur me pahir brenda asaj skene historie dhe jo që kishin rënë dakord vetë pak më parë, për të biseduar.

    Anila i priu drejt hyrjes së një lokali, me mure të gjelbra pishe, dysheme parket ngjyrë lajthie dhe tapete poshtë çdo tavoline katrore të verdhë, anash të cilave ishin vendosur divanë ngjyrë kafe çaji dhe tavoline rrethore gjithashtu me nuancë gështenje të çelët, edhe me karrige blu marine përreth tyre.

    Sikur ta kishin bërë me fjalë, që do u duhej privatësi, për të qarë, vendosën të uleshin në një tavolinë rrethore të distancuar nga të tjerat dhe të fshehur në fund të lokalit nga një mur ndarës në rreshtin e drejtë të tavolinave pas tij.

    Pritën, që kamarierja të merrte porosinë, para se njëra prej tyre të hapte bisedën. Leonora po shikonte tutje me zemrën buçitëse në kraharorin e brishtë, për ta mbajtur më gjatë luftëtaren nën mbërthim, ndërsa Anila kishte fiksuar sytë e zbrazët mbi telefonin e bardhë të Leonorës me kasë të verdhë floriri.

    Ajo kuptoi shikimin e fikur të Anilës, që dikur e kishte pasur vetë dhe herë pas here vazhdonte ta kishte, kur nuk ishte me familjen edhe vizitohej nga e shkuara, dhe sytë iu nxehën në të qarë nga gjendja e saj. Donte ta përqafonte dhe ta ndihmonte, si t'i kërkonte ajo.

    Kamarierja la faturën bashkë me pijet mbi tavolinë dhe u largua.

    Asnjëra nga të dyja nuk foli akoma.

    Anila mori filxhanin me duart, që i dridheshin, për të provuar çajin e porositur. Pse po shmangej? Më në fund ishte përballë saj. Të fliste dhe të mbaronte çdo gjë.

    - Si e zbulove? - nuk mundi ta shikonte në sy, kur e pyeti, nga frika se do dorëzohej, do t'i thoshte, që nuk e shikonte dot, pa menduar për Blerimin dhe atë natë, edhe t'i zhdukej nga pamja.

    - Një grua erdhi dhe më tregoi, kur po jetoja me Blerimin në Amerikë. Ai pastaj rrëfeu gjithçka; që të kishte përdorur, për të marrë hak për motrën e tij, që kishte fshirë filmimet tuaja dhe kishte vrarë vëllanë tënd.

    Anila vazhdoi të mbante sytë mbi filxhanin e vendosur me kujdes në pjatën e tij.

    Pra, ishte e vërtetë. Blerimi ia kishte kthyer Amarildos me të njëjtën monedhë në kuptimin e fjalës krimin e bërë nga vëllai i saj. Lufta kishte mbaruar atë natë për ata të dy dhe sapo kishte filluar për të.

    - Kam folur edhe me Denada Gjozefin, - vazhdoi Leonora. - Ka qenë kushërira e Blerimit dhe Xhulianës, edhe njëkohësisht shoqja e ngushtë e saj.

    Anila solli menjëherë në mendje fytyrën e Denadës, kur e kishte takuar gjashtë vite më parë në një lokal me Blerimin dhe Albion Hubën. Ajo e kishte ditur, që kishte qenë në rrezik dhe kishte heshtur.

Rrënoja prej VjeshteWhere stories live. Discover now