Më në fund i erdhi radha edhe fustanit të shkurtër ngjyrë barbaroze me vetëm një mëngë dhe belin e zbuluar nga ana e majtë bashkë me një pjesë të vogël të barkut dhe shpinës, që të shkonte te një "party". Anila vendosi ta shoqëronte veshjen me një palë taka ngjyrë dorëzonje dhe një çantë të bardhë.Me të dëgjuar tingullin e lënë në telefon, kur t'i vinte ndonjë mesazh, e mori me mend se njoftimi ishte prej Blerimit. Nxori telefonin nga çanta në raft dhe lexoi tërë shend mesazhin e sapoardhur nga ai, që tregonte se kishte mbërritur poshtë pallatit, ku ajo banonte dhe po e priste. U shikua dhe njëherë në pasqyrën e raftit ngjitur derës kryesore të shtëpisë, u buzëqeshi syve të shndritshëm lozonjarë, miratoi në heshtje, që flokët e lidhur bisht pas shpine i shkonin goxha, mendoi e bindur, se dukej shkëlqyeshëm dhe doli nga shtëpia e saj.
Nxehtësia e verës sa vinte dhe shtohej me kalimin e ditëve. Dukej, sikur e gjithë vapa e Shqipërisë ishte mbledhur në Tiranë atë natë.
Ajo zbriti shkallët me kujdes dhe buzëqeshi, kur pa Blerimin të mbështetur te dera e makinës së zezë nga ana e pasagjerit në të djathtë të shoferit. E kishte pranuar menjëherë ftesën e tij, për të dalë atë mbrëmje një javë pasi ishin takuar te patinazhi dhe e pushtuar nga entuziazmi, që ndiente se vera premtonte ngjarje edhe më të pazakonta, në pritje për të ndodhur, nuk ishte çliruar dot nga ajo ndjesi, të cilën s'e kishte përjetuar më përpara se të takonte atë.
- Edhe unë do isha veshur me të zeza, por mendova të fitosh pak vëmendje dhe ti. Më erdhi keq. - iu referua me shaka Anila ngjyrës së këmishës, pantallonave dhe atleteve, që ai kishte veshur.
- Sa bujari nga ana jote! - ia ktheu ngacmues ironikisht Blerimi, ndërsa i jepte dorën.
- Jam njeri shumë zemërgjerë, - ajo i dhuroi të qeshurën e saj gjithë pozitivitet, para se të hipte në makinë, pasi ai hapi derën për të dhe psherëtiu thellë e lumtur për të tashmen, në të cilën gjendej.
Po jetonte, siç kishte dëshirë, pa qenë e detyruar nga askush tjetër. Ishte diçka, që ia kishte vendosur qëllim vetes, që kur kishte filluar ta kuptonte, se si funksiononte jeta; ta donte veten dhe të ishte gjithmonë e drejtë me të, dhe kështu do mund të ndihmonte edhe të tjerët, që nuk e kishin mundësinë, për ta pasur një liri të tillë në jetë, siç e kishte ajo.
Tani ishte duke dalë me një burrë, për të cilin kishte ndjenja pëlqimi, i ishte ofruar një mënyrë, për ta njohur më tepër dhe ajo po e përdorte atë. Kishte besim që, nëse do ishte në rrezik, do t'i tregohej një shenjë, që Blerimi nuk ishte person, që e meritonte shoqërinë e saj dhe Anila do të largohej prej tij.
Në ato çaste ajo ndiente se gjithçka ishte në rregull, nuk kishte pse të mendonte asgjë negative dhe të hamendësonte versionin e një të ardhmeje, e cila mund të mos ekzistonte, duke i prishur kështu mbrëmjen vetes.
- Do, që të vendosim ndonjë muzikë? - ofroi Blerimi fare në terezi, për të dëgjuar gjë.
- Jo, - u përgjigj Anila dhe nuk foli më, sepse nuk donte ta shpërqendronte.
Ishte në dijeni të faktit, që aksidentet me automjet mund të ndodhnin brenda një çasti, nëse shoferi nuk do ta kishte vëmendjen sikur edhe për një sekondë, prandaj nuk rrezikoi dhe ai iu ndie falendërues. Mjaftueshëm po sakrifikonte qetësinë e tij, duke dalë me të. Sa më pak ta dëgjonte Anilën, duke folur, aq më mirë do ishte për nervat e tij.
- Doja të rezervoja një tavolinë te bari, ku u takuam në maj. - tha Blerimi çerek ore më vonë, kur parkoi makinën pranë barit, ku kishte vendosur me miratimin e saj, që të kalonin mbrëmjen. - Por mendova të ndryshonim ambient dhe të shkonim një herë tjetër aty, nëse të pëlqen si vend.
ESTÁS LEYENDO
Rrënoja prej Vjeshte
Ficción GeneralKur kërcënohet, që të heqë dorë nga jeta e vet spontane për shkak të një sekreti të pazbuluar në kohën e duhur, Anilës nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse të luftojë edhe në mënyrë të padrejtë, për të mbrojtur atë zonë rehatie të të jetuarit. Versione...