E shikoi në mëdyshje për një çast, që mund të mos ishte ai, por, kur burri me shpinën e mbështetur në makinën blu të errët përballë ndërtesës së kompanisë ktheu kokën nga ajo, Anila u bind se ishte Sidoreli i veshur me xhinse ngjyrë gri të çelët, bluzë dhe atlete të zeza, i cili sapo e kishte shpërfillur me vështrim dhe përqendruar vëmendjen tek hyrja e ndërtesës.
Veprim totalisht normal, logjikoi ajo me vete reagimin e tij, që të mos binte sërish pre e të mbimenduarit se ai ndoshta akoma kishte mendimin, që Anila e pëlqente.
Mezi e kishte bindur veten, që nuk kishte pse ta vriste mendjen më gjatë dhe, për të mos rënë pre e kujtimeve të së shkuarës e të vinte re se sa dhimbje shkaktonin akoma plagët e saj, duhej të gjente diçka tjetër, ku të krijonte varësi dhe të mendonte për të, jo vazhdimisht për Sidorelin, duke riluajtur si fragment të një videoje çdo moment me të, në shenjë justifikimi se donte të dinte me saktësi, ç'kuptim kishin pasur shikimet e tij ndaj saj.
Me siguri edhe ai thjesht e kishte vështruar rastësisht në të njëjtën kohë, kur ajo e kishte shikuar në atë mënyrë dhe asgjë më shumë. Anila e kishte dhënë sqarimin e saj ditën e djeshme në bisedën me Ilirjanën, të cilën e kishte dëgjuar edhe Sidoreli, dhe tani Anila duhej të fokusohej në planin, që kishte bërë për të ardhmen, të martohej dhe të kishte një fëmijë.
Hapat drejt hyrjes së kompanisë po i bënte edhe shpërfillëse ndaj pranisë së tij, edhe e nervozuar, që do i duhej t'i kalonte pranë. Vërtet e kishte sqaruar me vete çështjen e vështrimeve, por akoma kishte dyshimet e pavetëdijshme, se Sidoreli ende mendonte, që Anila kishte ndjenja për të dhe asaj një supozim i tillë nuk i pëlqente fare. Po sikur ai t'i thoshte njeriu, se ajo e kishte vështruar disa herë, ata të mendonin keq rreth saj dhe të përhapnin thashetheme për të?
Si ta sqaronte njëherë e përgjithmonë atë keqkutim?
I erdhi në mendje ardhja e Monikës nga Italia pas disa ditësh për ditëlindjen e vet, dëshira e saj për tatuazhe dhe ideja e sapolindur, që mund të sqaronte gjithçka me anë të vënies së asaj ideje në zbatim, iu duk pak absurde fillimisht, por që edhe mund të funksiononte.
Do bisedonte me Sidorelin, që kushërira ta bënte tatuazhin në studion e tij, nëse ai punonte akoma si tatuist dhe gjatë bisedës Anila do t'i linte atij, të kuptonte nga qëndrimi i saj i distancuar dhe serioz, sikur të ishte duke folur me një të huaj, duke e shikuar neutrale, që i tillë ishte ai për të; një i huaj dhe askush më tepër.
Sidoreli nuk e ktheu kokën për asnjë moment nga ajo, megjithëse Anila e dinte e sigurt, që ai po i dëgjonte hapat e saj, tek i afrohej.
- Sidorel!
Ai e vështroi menjëherë me indiferencë ndaj pranisë së saj dhe ajo i dha të njëjtin shikim të ashpër në kthim.
- Doja të dija, nëse punon akoma si tatuist.
Anilës iu ngja sikur plani i formuluar pak më parë fluturoi nga dritarja, me të hapur gojën ajo. As nuk e përshëndeti Sidorelin, si të huaj, që e konsideronte. Drejt e në temë, si ta kishte njohur prej vitesh dhe të ishin takuar me njëri-tjetrin çdo ditë.
- Një e afërme e imja ka ditëlindjen së shpejti dhe kam vendosur t'i bëj dhuratë një tatuazh. Desha të të sugjeroja ty.
YOU ARE READING
Rrënoja prej Vjeshte
General FictionKur kërcënohet, që të heqë dorë nga jeta e vet spontane për shkak të një sekreti të pazbuluar në kohën e duhur, Anilës nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse të luftojë edhe në mënyrë të padrejtë, për të mbrojtur atë zonë rehatie të të jetuarit. Versione...