30• Një e Ftuar

482 23 12
                                    

    Eltoni:
    Kur të kesh kohë, më telefono! Bëhet fjalë për Brunon.

    Arjon Kelmendi preku menjëherë ikonën e bardhë të telefonit në të djathtë të ekranit dhe vendosi telefonin në veshin e majtë.

    - Çfarë ka ndodhur? - pyeti, ndërsa merrte dy pako M&M-s nga rafti në sektorin e ëmbëlsirave në market.

    - Kam takuar Blerim Agollin para disa ditësh.

    Arjonit i ngriu dora me pakot në ajër.

    - Erdhi te restoranti im në Nju Jork bashkë; me një grua, - miku i tij i afërt vijoi sqarimin. - I kalova ngjitur, kur po dilja. Nuk besoj se më njohu. As nuk më shikoi fare.

    - Ndoshta është shtirur, - ai mori edhe dy birra dhe iu drejtua kasës, për të paguar.

    - Atë dyshova edhe unë fillimisht, - tha Eltoni, teksa i afrohej dritares së zyrës në restorant dhe kalonte dorën nëpër flokët e gjatë të zinj, ndërsa sytë i hidhte të pafokusuar veçanërisht ndokund tutje. - Por pastaj mendova se ndoshta është thjesht rastësi. Kanë kaluar tre vite. Do ta kishte zbuluar me kohë, se për fajin tonë ka qenë në burg. S'ka dashur të rrezikojë ndonjë familjar të tijin dhe ka thënë "të shkuara, të harruara".

    Arjoni iu drejtua i tensionuar makinës së tij të bardhë nga ana tjetër e rrugës. Plani i bërë para tri viteve kishte qenë, që t'i kishte zgjidhur të gjitha problemet e shkaktuar nga ajo pako. Ishte tridhjetë e shtatë vjeç, ndërsa Eltoni tridhjetë e pesë. Nuk kishin më durim, që t'i riktheheshin të kaluarës. Pse po i trazonte tani Blerim Agolli?

    - Ose do ketë folur me Brunon dhe ai ka treguar gjithçka, - dyshoi Arjoni për ish-punonjësin e lavazhit, që ishte përfshirë me pavetëdije në punën e tyre, ndërsa futej në automjet.

    - Jo, s'e besoj. Ti i dhe Brunos gjithë atë shumë parash. Ai e di shumë mirë, se çfarë mund t'i ndodhë, nëse flet. Nuk ma merr mendja. - Eltoni largoi telefonin nga veshi i djathtë dhe pa emrin e motrës së tij, në mesazhin e sapoardhur në WhatsApp, ku po fliste edhe me Arjonin. - Çfarë të bëjmë me Blerimin?

    - Lëre të qetë! Ndoshta është vërtet rastësi, sikur thua ti dhe s'kemi, pse të rrezikojmë.

••••
    Denada Gjozefi iu drejtua daljes së aeroportit në Los Anxhelos, e sigurt se Blerimi dhe Leonora po e prisnin afër ndërtesës, siç kishte rënë dakord me ta.

    E ftuara e vetme në dasmën e tyre kishte pranuar, të mos thoshte gjë, kur kushëriri i saj i kishte kërkuar, që të mos i tregonte Leonorës, se ajo kishte dashur t'i takonte ata me njëri-tjetrin tri vite më parë, por ai kishte refuzuar me argumentin, që e fejuara e tij të mos e fajësonte veten, se, po të kishte luftuar më tepër kundër rregullave të vendosura nga familja e saj për mënyrën e të jetuarit, ata të dy do ishin takuar me kohë, pa qenë nevoja për ndërmjetës; Albioni nuk do të kishte qenë bërë pengesë midis tyre, duke u martuar me Leonorën pa dëshirën e saj dhe, nëse ajo do e kishte pasur lirshmërinë e merituar në jetë, ndoshta do e kishte njohur Blerimin, para se ai të kishte takuar Anila Idrizajn dhe gjërat të kishin marrë një rrjedhë të pakthyeshme fatale.

    Vetëm një mendim, përfytyrim dhe ndjesia e një ndodhie të saktë; këto e kishin bindur Denadën, që t'i telefononte Blerimit atë ditë shtatori, për ta ftuar në një festë, e cila do organizohej nga kompania, ku ajo kishte punuar dhe t'i thoshte atij, se kishte dëshirë, që ta njihte me një vajzë, Leonora Vitorin.

    Atë kishte pasur kohë, pa e takuar, që kur kishte zbuluar se familja e saj nuk do e lejonte, që të vazhdonte arsimin e lartë në Tiranë. Ishte përpjekur të bindte Granitin, që t'i dilte në mbështetje të motrës, duke i argumentuar atij, se Leonora mund të jetonte në shtëpinë e saj në Tiranë dhe do kujdesej ajo fillimisht për të. Pse të digjej kot një person, i cili kishte gjithë atë potencial, për të arritur shumë në jetë?

Rrënoja prej VjeshteWhere stories live. Discover now