24• Çmim Tejet i Lartë

489 22 8
                                    

    Leonora duhej të fliste sa më parë me Granitin, por nuk kishte asnjë kontakt të tij dhe nuk i dukej me vend, që të mbështetej te rastësia, se kur do mund ta ndeshte pa dashje diku dhe ta paralajmëronte për kërcënimin e Albionit. Kishte frikë se deri atëherë do ishte tepër vonë.

    - Norë!

    Ajo e njohu zërin e të vëllait menjëherë, me ta dëgjuar dhe ktheu kokën pas, që të shikonte Granitin, teksa i afrohej me hapa të shpejtë dhe i shqetësuar në fytyrë.

    Ai kishte qëndruar në pritje te një bar përballë shtëpisë së saj, me dyshimin intuitiv se mos Leonora do ndryshonte mendim dhe do dëshironte, të qëndronte në Shqipëri. Kur e kishte parë me valixhe në dorë, ishte ngritur menjëherë i alarmuar nga tavolina dhe me justifikimin gati, se po ta pyeste e inatosur ajo, në mos ai kishte qenë duke mbajtur nën vëzhgim atë, do thoshte se kishte takuar disa miq dhe ata e kishin ftuar, për të pirë diçka tek ai bar, i shkoi pranë.

    - Ça ndodhi? - e pyeti me një frymë Graniti, duke iu referuar me vështrim valixhes së saj.

    - Kërkova divorcin, - rrëfeu me ndjenjë të pashpjegueshme faji Leonora.

    Ai zbuti menjëherë tonin e të folurit nga çehrja e saj e trishtë e fytyrës.

    - Ça tha?

    - Tha... - fjalët iu fshehën Leonorës, për të mos u thënë, frika i ngushtoi fytin dhe mushkëritë protestuan për oksigjen. - Tha...

    Do shkaktonte luftë, po të tregonte të vërtetën. Graniti do shkonte dhe do t'i kërkonte llogari Albionit. Albioni do ta denonconte tek Agustini dhe Graniti do hynte në burg, e me siguri do konsideronte motrën e tij arsyen, se pse ishte përfshirë në telashe të tilla. Po të mos kishte nxjerrë krye ajo, çdo gjë do kishte qenë në rregull. Leonora nuk e dinte se sa ishin mundësitë, që ai të pranonte se e gjithë ajo katrahurë kishte ndodhur për shkak të tij në radhë të parë.

    - Fol! Mos ta marr vesh vetë! - Graniti kërkoi në padurim e sipër me ton të ashpër, që të dinte. - M'trego! - tha me zë më të ulët, për të mos e frikësuar Leonorën më tepër, se saajo dukej, që ishte.

    - Tha se t'ka ndihmue do herë, kur ti ke qán n'rrezik për jetën. - foli me të vogël ajo, ndërsa vinte re paqartësinë e tij, tek kthehej në tërbim dhe bluja e syve i errësohej përherë e më shumë nga fjalët e tjera të Leonorës. - Dhe tani nuk mbân mâ përgjegj'si, po t'ndodhi naj gja e keqe, n'qoft'se unë ndahem me letra prej tij.

    Graniti puliti sytë më fort se zakonisht me kokën ulur, që të mos e shprehte zemërimin para saj dhe ta trembte atë.

    - Ku je t'u shku ti? - pyeti i qetë në dukje.

    - Te Denada.

    - A asht t'u t'prit?

    - Po.

    - Mirë. N'qoft'se nuk je rehat aty, hajde e rri te shpia eme, se kam n'Tiranë! Ta çoj adresën te numri jot.

    - Ti s'e ke numrin tem, - Leonora e shikoi e habitur.

    Graniti vuri buzën në gaz nga pafajësia e saj dhe i përshkoi dorën përgjatë flokëve në të majtë në shenjë pekuleje.

    Ajo nuk e flaku dot menjëherë ndjesinë e sigurisë së marrë nga gjesti i të vëllait dhe ia shprehu me vështrim gati në përlotje Granitit, se sa nevojë kishte ndierë për atë veprim prej tij.

    - Ma mir ec e jeto me mue! - kërkoi ai. - Mos t'm'rrije mendja te ti prej Albionit. Qëndro sa t'dush pastaj te shpia! Unë s'e kam hiç problem.

    Leonora nuk e mohonte dot, që atë frikë kishte dhe ajo për të; se mos do merrte ndonjë lajm të hidhur rreth tij, ndërsa priste, të lirohej nga burgu i martesës, i cili e mbante akoma pjesërisht në skllavërim; veprim që në ato çaste po e kuptonte se, edhe sikur të bëhej realitet, nuk do kishte rezultatin, që priste ajo.

    Njeriu, në një mënyrë apo një tjetër, e burgos vazhdimisht veten në jetë.

    Po ta kishte para syve, do ndihej më e sigurt, që i vëllai ishte mirë dhe do jetonte më e qetë. Në burgun e saj do kishte një kyçje më pak në derën me shumë brava.

    Ajo e lejoi veten, që ta kuptonte dhe ndiente pendimin në vështrimin e tij prej të drobituri gjithashtu nga jeta, që po bënin, sa po përpëlitej, që t'i ndryshonte gjërat midis tyre, me aq sa po i jepej mundësia dhe kishte tmerrësisht nevojë për ndihmën e saj, edhe për një moment Graniti vërejti se si Leonora i uli mburojat kundër tij, mori energjinë e dashurisë së shkaktuar nga lidhja e gjakut, që të dy kishin dhe realizimi, që ishte vonë, e goditi pa zhurmë edhe i ngushtësoi të gjithë qenien me pesimizëm, kur e motra e zhduku menjëherë atë dashuri me një përplasje qerpikësh dhe i ngriti mburojat më lart se më parë ndaj tij.

    - Jo, - u përgjigj me ton të vrazhdë ajo.

    I dukej ende herët, për të ngushtuar aq shumë distancë midis njëri-tjetrit dhe kishte nevojë për më tepër kohë, që të zbulonte qëllimet e tij të vërteta, se pse po sillej aq mirë me të.

    - OK, - Graniti nuk i bëri më tepër presion dhe e la të largohej.

    Në mbrëmje i shkroi asaj në WhatsApp, për ta ditur, në ishte mirë.

    Leonora iu përgjigj vetëm me një "Po." dhe pyetjen se si ishte ai.

    "Mirë," - pohoi i vëllai gjithashtu dhe asnjëri nuk shkroi më, të ndikuar nga mendimi, që të mos e bezdisnin njëri-tjetrin më gjatë.

    Ajo kishte qenë e frikësuar se mos Albioni mund ta kishte bindur Granitin, që Leonora e kishte mashtruar atë: në të vërtetë kishte qenë ai, që e kishte kërkuar divorcin, sepse e shoqja kishte qenë duke e tradhtuar, Albioni e kishte zbuluar dhe i kishte kërkuar llogari, ajo kishte mohuar akuzat në fillim dhe më pas e kishte pranuar edhe vetë, që kishte bërë mëkat dhe nuk ishte penduar aspak; Graniti do kishte mbajtur anën e kunatit, do ishte penduar, që kishte dashur të pajtohej me të motrën dhe do ta urrente, por nga mesazhi i tij, Leonora kuptoi, që i vëllai ishte në anën e saj, e, megjithatë, nuk u takuan më, që pasi ajo i kishte treguar se Albioni e kishte kërcënuar me jetën e tij.

    Ai e kishte mbajtur nën vëzhgim Leonorën gjatë tërë asaj kohe, që të sigurohej se nuk do kishte probleme me njeri dhe kishte vendosur ta priste brenda makinës, kur ajo të dilte nga gjykata. Denada po e priste Leonorën gjithashtu, e ulur në një stol pranë institucionit.

    Ajo iu afrua me nxitim e qeshur shoqes së ngushtë dhe Graniti uli xhamin e dritares, për të dëgjuar se si kishte shkuar seanca.

    - Çfarë ndodhi? - pyeti me zemrën peshë Denada.

    - Mbaroi. U ndamë.

    - Oh, tani je e lirë. Mund të bësh çfarë të duash. - tha e lehtësuar Denada, sikur të kishte shpëtuar vetë. - A je e lumtur? - deshi që Leonora ta thoshte me zë përgjigjen, që edhe ajo vetë ta besonte më tepër, por ajo vetëm fshehu fytyrën mbi gishtërinjtë pak të distancuar nga njëri-tjetri dhe nisi të qante me ngashërima në pëshpëritje.

    Graniti uli menjëherë kokën dhe lejoi të goditej nga dhimbja prej lotëve të saj, që e ndiente se ishin, ngaqë ajo po sillte në mendje çdo vuajtje të përjetuar dhe akoma nuk e besonte dot, se ato kishin mbaruar vërtet.

    Ishte çmimi, që po paguante në lidhje me të. Dikur nuk i bëhej fare vonë, kur Leonora qante, ndërsa tani më përpara do preferonte të verbohej, sesa të shihte lotë në sytë e saj.

....vazhdon....





Pjesa shkon për @coolgreta ❤🙂

Rrënoja prej VjeshteWhere stories live. Discover now