28• Armëpushim

476 21 6
                                    

    - Ke dëshirë, të të ndihmoj me rrobat?

    Blerimi la valixhen e saj pranë krevatit dhe Leonora vështroi soditëse burrin real, që ndodhej në të njëjtën dhomë me të në Nju Jork të Amerikës.

    Kishte kaluar aq shumë kohë në gjendje agonie, sa tani rrezikonte t'i krijohej lehtë halucinacioni, se ndodhej në ëndërr dhe lumturia, që po përjetonte, ishte e gjitha imagjinatë e vetja.

    - Cilat? - ajo iu afrua, pa ia ndarë vështrimin provokues. - Tani sa isha duke u ndërruar.

    Blerimi nënqeshi dhe shkundi kokën lehtë nga flirtimi i saj.

    - Po ndihesh e guximshme, Leonora? - ai kaloi dorën butësisht anash flokëve mbi veshin e majtë dhe i shtrëngoi më tepër gishtërinjtë pas koke.

    Ajo vendosi duart grusht të kapura pas fanellës së tij të zezë në kraharor. Rrahjet e thella të zemrës, ashtu si frymëmarrja, iu bënë sfidë më vete, për t'i mbajtur nën kontroll, pa llogaritur këmbët në kërcënim, për t'u përthyer në të rrëzuar.

    - Thjesht po ëndërroja, - tha si në shfajësim, dukshëm që nuk kishte aspak dëshirë, të tolerohej prej tij.

    Blerimi mbërtheu ethshëm me vështrim buzët e saj pakëz të distancuara nga njëra-tjetra dhe e çliroi veten nga dëshira e padurueshme në formën e pasionit për të, duke e puthur.

    - Duhet të kesh kujdes, princeshë vjeshte! - e paralajmëroi, me t'u shkëputur nga ajo. - Rreziku është shumë më i bukur, nga ç'mendon ti, se është.

    - Mund ta përballoj varësinë, - Leonora nuk u tërhoq nga provokimi dhe ai e pëlqeu më tepër qëndrimin e saj.

    - Shijo pushimin deri në martesë, Leonora! Të siguroj, që nuk do ndiesh fare mall për të, kur të mbarojë. - Blerimi e mbajti mbërthyer edhe për disa çaste nën shikimin e tij dhe më pas e la të lirë, duke shkuar në dhomën e tij, që të bëhej gati, për të dalë.

    Leonora vendosi dorën e djathtë të mbledhur grusht mbi buzët e ngrohta dhe tjetrën në qendër të kraharorit, për të ndierë më tepër rrahjet e vrullshme të zemrës, që e ndiente sikur i kishin vënë flakën. Kujtimet e momenteve me Blerimin dhe përfytyrimi i të ardhmes së bukur me të e shtuan edhe shumë ritmin atyre rrahjeve.

    Ajo vendosi të vishte xhinse gri të çelët, pulovër ngjyrë hiri të mbyllur dhe kambale të zeza, ashtu si palltoja. Zgjodhi edhe një shall të zi dhe shkoi në dhomën e tij.

    Blerimin e gjeti përpara pasqyrës katrore të gardërobës. Leonora u dorëzua e tëra ndjenjës së admirimit, se sa i bukur, i fortë dhe joshës dukej në ato rroba të zeza, tek e shikonte të vishte pallton dhe ai vështronte serioz refleksionin e tij në pasqyrë.

    Mënyra se si ktheu kokën nga ajo, kuptoi vështrimin e saj dhe i shtoi dozën e soditjes, duke i buzëqeshur, e bënë Leonorën të ndiente më tepër dashuri për të.

••••
    Shëtitja nëpër qytet u mbyll me sugjerimin e tij, që të blinin ushqim të shpejtë dhe ajo heshti me ngurrim, për të hyrë brenda në pastiçeri.

    - OK, shko ti, ndërsa unë po të pres këtu.

    - Pse? - ai u habit nga të sjellurit e saj.

    - Po... unë, nëse hyj, do blej ëmbëlsira dhe tani i kam vënë kusht vetes, që nuk do ha çdo ditë, sepse më bëjnë dëm. Ne pak më parë hëngrëm.

    - Si do ia bësh, kur t'i shohësh në rrugë? Ti hyr, ama rezistoju!

    - Thua? - ajo nuk u duk aq e bindur, se kishte mjaftueshëm vullnet, për ta mundur zakonin e të blerit ëmbëlsira, sapo të hynte në një dyqan. - OK, por nëse sheh, që tundohem, mos më lër të blej, mirë?

    - Mirë, - vuri buzën në gaz ai.

    Leonora hyri me të në pastiçeri. Sytë e saj gjetën rrugën menjëherë te ekspozitorët në të majtë, ëmbëlsirat e kuruara me detaje, që dukeshin më të shijshme se kurrë dhe mendimi se vetëm atë ditë të blinte një, e më pas nuk do hante për të gjithë javën, ia doli ta lëkundte goxha.

    - Si jeni? - Blerimi përshëndeti pastiçeren e veshur me uniformën e zezë të punës nga ana tjetër e banakut, e cila dukej rreth njëzet e katër vjeçe, ndërsa mbante dorën e majtë të Leonorës. - Dy nga këta sanduiçët, ju lutem!

    - Po, - biondja me sytë e errët ngjyrë kafe mori dy qese poshtë banakut te kasa, për të bërë gati porositë.

    Ai shikoi të dashurën pas tij, e cila i buzëqeshi fill.

    - Je shumë e fortë, - e inkurajoi dhe Leonora i shtrëngoi dorën falendëruese.

    Blerimi nxori paratë nga portofoli i tij blu, që t'i kishte gati, kur të merrte faturën. Pastiçerja vendosi sanduiçët në qese dhe iu afrua banakut, për të dhënë faturën. Ai ktheu kokën pas, për të parë Leonorën, e cila ishte shkëputur prej tij dhe, e përhumbur me dorën e mbledhur pakëz grusht, mbante mbështetur thonjtë te buza e poshtme edhe vështronte e grishur ëmbëlsirat përballë saj në ekspozitorët më tutje.

    - Nora! - Blerimi thirri me zë sa më të vogël, që mundi, por ajo nuk e dëgjoi. - Nora! - thirrja ra sërish në vesh të shurdhër.

    Ai bëri pagesën dhe i shkoi pranë.

    - Të goditën, Leonora? Nuk lufton dot më? - e qesëndisi.

    Ajo e vështroi fajtore dhe më pas kafshoi pakëz buzën e poshtme, e cila i rrëshqiti ngadalë nëpër dhëmbë, ndërsa shikonte ëmbëlsirat.

    - Ndoshta nesër është ditë më e mirë, për të filluar luftën. Sot po bëj armëpushim. - vendosi Leonora.

    Blerimi qeshi me sjelljen e saj prej një lozonjareje të ndrojtur.

    - Shpirt, - i preku flokët e lëshuar pas koke. - Cilën dëshiron?

    - Këtë, - ajo iu referua menjëherë tërë gëzim pastës me çokollatë të bardhë, krem luleshtrydhe dhe sipërfaqe vaniljeje, në etiketën ngjitur së cilës shkruhej 'Kujtime të Ëmbla'.

    - Në rregull, - pranoi ai dhe shikoi përballë tyre pastiçeren e mëparshme, e cila kishte qenë në pritje të tyre, këtë herë më e buzëqeshur dhe e ndierë pozitivisht nga dashuria midis atij çifti të panjohurish. - Dy 'Kujtime të Ëmbla'. - i lexoi punonjëses emrin e pastës në etiketën ngjitur saj dhe ajo pohoi me kokë.

    Leonora po priste tërë entuziasëm marrjen e ëmbëlsirave.

    - Urdhëro! Mbaji ti! - Blerimi i zgjati kutinë e shumëpritur, kur dolën nga pastiçeria.

    - Ejani, binjaket e mia! - iu referua ajo ëmbëlsirave dhe e mori menjëherë kutinë.

    Ai i vuri dorën sipër supeve, për ta tërhequr pranë vetes dhe u kthyen në shtëpi.

••••
    Leonora i vendosi ëmbëlsirat në dy pjata bashkë me pirunjtë dhe doli në ballkonin ngjitur sallonit. Blerimi po e priste i ulur në divanin lëvizës në skaj të ballkonit.

    Ajo u ul e lumtur në prehërin e tij, mbështeti kokën pranë supit të majtë. Pranoi një copë ëmbëlsirë, që ai mori me pirunin e saj dhe ia ofroi, edhe shikoi tutje.

    - Të dua! - tha butësisht Leonora dhe ai ndenji në heshtje për disa çaste.

    - Mund të m'i japësh fund torturës, duke treguar se kujt po i thoje? - kërkoi Blerimi. - Mua apo ëmbëlsirës?

    - Ty, - u përgjigj ajo me të qeshur. - Edhe ëmbëlsirën e dua, sigurisht, por tani të thashë ty.

    - Nuk jam fare xheloz, - ia ktheu ai dhe e puthi në ballë.

    Leonora mbylli sytë dhe psherëtiu e lehtësuar, tek shijonte paqen më në fund të arritur brenda vetes.

    Në mendje i erdhi çasti, kur do vdiste dhe shprehu dëshirën që, kur të vinte momenti, për t'iu përsëritur e gjithë jeta, që kishte bërë, si një film edhe një herë të fundit, donte, që kujtimet të fillonin me takimin e parë me Blerimin dhe të mbaronin me të.

....vazhdon....







Pjesa i dedikohet stefibelesova ❤️🤗

Rrënoja prej VjeshteWhere stories live. Discover now